Tregu i siguracioneve te makinave eshte zhytur ne parregullsi

Tregu i siguracioneve të makinave është zhytur në parregullsi. Çmimet kapin vlera ekstreme brenda një kohë të shkurtër. Nga vëzhgime të bëra, çmimi lëviz nga 160 brenda një javë, deri në 60 mijë javën tjetër për sigurimin e të njëjtit automjetet.
Këtë fundjave pyetëm agjentët e shitjeve, të cilët na dhanë përgjigje si një muaj më parë. Disa kompani të vogla, për të fituar treg i japin çmimet e siguracioneve nën kosto, deri në 60 mijë lekë për një autoveturë 4+1.
Para një jave çmimi i siguracionit të një autoveture ka qenë 180 mijë lekë, ndërsa dje ka zbritur në 60 mijë lekë.
Duke qenë se kjo situatë zgjat që prej muajit janar, kemi kontaktuar me autoritetin e mbikëqyrjes financiare, zyrtarë të cilit nuk na dhanë një shpjegim. Në fakt, sipas rregullave është ky isntitucion që duhet të rikthejë rregullin në treg.
Sipas ligjit aktual në fuqi, tarifat e sigurimit të automjeteve janë të liberalizuara. Çdo kompani duhet të ofrojë tarifat në proporcion me tregun që ka, çka do të thotë se çmimi nuk duhet të jetë i njëjtë për të gjitha kompanitë. Nga ana tjetër, tregu i sigurimeve nuk arriti të funksiononte në këtë mënyrë për shkak të konkurrencës së madhe, mungesës së mjeteve të kontrollit dhe informalitetit të lartë.