Tregu i sigurimeve për vitin 2009, rritet me mbi 11 për qind
Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, viti 2009 rezultoi i suksesshëm për sektorin e sigurimeve në Shqipëri, duke rritur ndjeshëm ritmet e zhvillimit të shoqërive të sigurimit dhe tregut në tërësi. Të ardhurat nga primet e sigurimit arritën rreth 7.889 milionë lekë, ose 11.28 për qind më shumë se në vitin 2008. Gjatë vitit 2009 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 755,669 duke shënuar një rritje prej rreth 9.83 për qind, krahasuar me një vit më parë.
Rritja e primeve ka qenë në harmoni me rritjen e numrit të kontratave të sigurimit, çfarë përforcon qëndrueshmërinë e tendencës së zhvillimit. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 90.83 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9.17 për qind . Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 47.31 për qind dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 52.69 për qind të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar e ka ruajtur tendencën pozitive që e ka karakterizuar përgjatë gjithë vitit 2009.