Prifti ngre grup pune për vlerësimin e dëmeve nga përmbytja në Shkodër
Grupi i punës, me 12 anëtarë nga OSSH, OST dhe IQT Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës ka ngritur një grup pune për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës. Në një deklaratë për shtyp Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njofton se është ngritur një grup pune për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut e përmbytjet në qarqet e Shkodrës e Lezhës. Vendimi është marrë nga vetë ministri Dritan Prifti, ndërsa ky grup
do të veprojë si pjesë përbërëse e grupeve të tjera të punës, duke u vënë në dispozicion të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile. Urdhëroj ngritjen e grupit të Punës së Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe përmbytjet në qarqet e Shkodrës dhe të Lezhës, si grup pune e pjesë përbërëse e grupeve të tjera të punës të ngritura në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, thuhej në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Energjetikës. Gjithashtu në këtë vendim të METE theksohet se grupi i punës do të jetë i përbërë nga 12 anëtarë, të cilët janë specialistë të marrë nga Operatori i Sistemit të shpërndarjes, Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Inspektorati Qendror Teknik. Ky grup do të kryesohet nga 12 anëtarë dhe do të funksionojë për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga shiu dhe përmbytjet në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës për tu vënë në dispozicion të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, përfundon deklarata e METE. Grupi i punës përbëhet nga specialistë të OSSH, OST dhe IQT. Në këtë grup bëjnë pjesë, Admir Golemi (OSSH), Mirsad Zagani (OSSH), Rajmond Tole (OSSH), Bledar Dizdari (OSSH), Naim Muça (OST), Shkëlzen Behari (OST), Xhovalin Nika (OST), Myzafer Babaj (OST), Kujtim Kumanova (IQT), Gjovalin Dajçi (IQT), Agim Galica (IQT) dhe Llesh Marku (IQT). Në mbledhjen e para një jave qeveria miratoi ngritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ku kryetar u emërua ministri Prifti. Kreu i METE pati deklaruar se ky komitet do të bëjë vlerësimin e çdo dëmi të madh apo të vogël që është shkaktuar nga përmbytjet në veri të vendit. Ndërsa edhe kryeministri Berisha u shpreh para pak kohësh se ministritë do të ndryshojnë fondet, për të shkuar tek zonat e përmbytura. Gjithashtu kreu i qeverisë u ka bërë apel të gjithë atyre njerëzve që të ndihmojnë banorët e përmbytur me lëndë ushqimore për gjënë e gjallë. Gjatë përmbytjeve në këtë fillim viti në veriperëndim të vendit u përmbytën mbi 11 mijë ha tokë dhe mbi 2 mijë banesa.Olli:Vlerësimi i dëmeve brenda 2 javësh Ndërkohë që Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Alfred Olli, deklaroi se verifikimi i dëmeve të shkaktuara nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës do të përfundojë brenda dy javëve. Olli theksoi se komisionet me ekspertë dhe përfaqësues të qeverisjes vendore kanë nisur sot punën në terren duke verifikuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e javëve të para të janarit. Procesi do të drejtohet nga Këshilli i Qarkut Shkodër dhe kryetari i grupit të punës për çdo njësi vendore do të jetë përfaqësuesi i Këshillit të Qarkut Shkodër, ndërsa koordinatorët e këtyre grupeve do të jenë përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile. Ne duam një proces komplet transparent, ku të gjithë pjesëtarët dhe drejtuesit e komisioneve përkatëse në bashkëpunim me familjet e dëmtuara duhet të vlerësojnë atë që është dëmtuar vërtet me ato çmime që janë efektiv në tregun shqiptar sot dhe për të plotësuar ato nevoja dhe kërkesa që kanë banorët e zonave të përmbytur, theksoi Olli. Sipas tij, dëmshpërblimi i banorëve do të bëhet me numër llogarie bankare, siç janë ligjet dhe rregullat, gjë që shmang çdo lloj keqkuptimi me banorët. Taulant Halili
Last Updated on E Hene, 25 Janar 2010 21:38