E Diel, 1 Nëntor 2026

OSSH ndërpret energjinë pa asnjë paralajmërim

Në një kohë kur Shqipëria po regjistron superprodhim të energjisë elektrike, çuditërisht mijëra banorë dhe biznese të kryeqytetit po përballen me mungesën e theksuar të furnizimit me energji. Përgjegjës për ofrimin pandërprerje të energjisë elektrike, konsumatorëve fundorë është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, kompani e privatizuar nga çekët e CEZ-it. Pavarësisht kontratave individuale që kjo kompani ka me konsumatorët familjarë apo bizneset,

OSSH po lë në errësirë një pjesë të mirë të Tiranës këto ditët e fundit. Banorët e kryeqytetit shprehen se energjia mungon deri në disa orë në ditë. Sikur të mos mungonte kjo, gjithçka ndodh edhe në errësirë të plotë komunikimi nga ana e OSSH-së. Nuk informohet media, nuk lajmërohen as qytetarët për arsyet dhe ajo që është më e rëndësishme për grafikun e ndërprerjes së energjisë elektrike. Interesit për të mësuar rreth problemeve me furnizim me energji elektrike ditët e fundit në disa zona të kryeqytetit, zyra e shtypit e OSSH i përgjigjet se ka punë më urgjente për të bërë, sesa informimi i konsumatorit për mungesën e energjisë elektrike. Më shumë se njëherë titullarë të Ministrisë së Energjetikës dhe të KESH-it kanë konfirmuar se furnizimi 24 orë me energji elektrike tashmë është një realitet i pakthyeshëm, por siç shihet OSSH nuk po i bën siç duhet detyrat e shtëpisë për të garantuar furnizim cilësor dhe pandërprerje me energji të konsumatorëve shqiptarë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›