Trembet Tirana, kërkon arbitra të huaj në Korçë
Tirana kërkon arbitra të huaj për sfidën e së shtunës ndaj Skënderbeut në Korçë. Lajmi konfirmohet edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka marrë dje një kërkesë zyrtare nga klubi bardheblu për të plotësuar këtë gjë. Duket se te 24 herë kampionët nuk ka shumë besim te bilbilat shqiptarë, ndaj është kërkuar me ngulm që FSHF-ja të realizojë këtë kërkesë, edhe pse koha në dispozicion është e kufizuar. Mësohet se Tirana ka shprehur dëshirën në kërkesën e vet, që treshja të jetë mundësisht nga vende të Evropës perëndimore. Faktikisht, federata ka në dispozicion vetëm tre arbitra ndërkombëtarë, të cilët po ti marrësh një e nga një, secili ka ndonjë cen që nuk pranohet nga palët. Lorenc Jemini ka drejtuar në ndeshjet e fundit Skënderbeun, ndaj nuk do ishte normale (madje do ishte flagrante) që të vërshëllente edhe në këtë ndeshje. Bardhyl Pashaj nuk pranohet nga Tirana për shkak të kontestimeve që klubi bardheblu ka pasur ndaj tij për disa takime. I vetmi në listë është Enea Jorgji, por edhe ky i fundit duket disi i paragjykuar, nisur më shumë nga profesioni/puna që ai bën te Tatim-Taksat. Në këtë këndvështrim është gjykuar, të paktën nga klubi i Tiranës, që për sfidën më të rëndësishme të kampionatit të arbitrojë një treshe gjyqtarësh të huaj. Ndërkohë duhet thënë se për të pasur në dispozicion arbitra të huaj duhet që klubi që bën një kërkesë të tillë, të mundësojë edhe pagesën shtesë. Kështu sipas informacioneve, për arbitra të huaj fatura shkon minimalisht te 5500 euro (dhe më shumë nëse bëhet fjalë për arbitra nga federata prestigjioze si Itali, Gjermani, etj), shumë herë më shumë nga sa paguhet një treshe gjyqtarësh shqiptarë. Këtë shifër sipas rregullave duhet ta paguajë Tirana, gjithsesi përderisa klubi bardheblu ka bërë kërkesën, kuptohet se ka marrë parasysh edhe pagesën për këta bilbila.