E Diel, 1 Nëntor 2026

Trenat mbeten pa xhama, Hekurudha: Të ndërhyjë policia

“Asnjë xham i pathyer nuk ka mbetur në vagonët e trenave të pasagjerëve”, - deklaroi për “standard” drejtori i HSH-së, Zamir Ramadani. Ai ka thënë se “hekurudha po jep sinjalin SOS, që shteti dhe veçanërisht policia të ndërhyjë me forcën e ligjit, ndryshe policët e shërbimit duhet të na paguajnë dëmet e evidentuara çdo ditë”. Fenomeni i gjuajtjes së trenave me gurë vazhdon me intensitet më të lartë. Në këtë sezon dimri, DPH ka nisur punën për zëvendësimin e të gjithë xhamave të thyer me të rinj, në mënyrë që të plotësohen kushtet e udhëtimit për ata që preferojnë hekurudhën për të lëvizur. Por drejtuesit e hekurudhës druhen se edhe xhamat e rinj nuk do ta kenë të gjatë, pasi edhe ato do të transformohen në tabela qitjeje për keqbërësit. Për të parandaluar këtë fenomen, Drejtoria e Hekurudhës i ka dërguar një shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku kërkohet ndërhyrja energjike e kësaj të fundit për të mbrojtur jo vetëm jetët e udhëtarëve, por edhe trenat, të cilat janë pronë publike. Në hekurudhë janë të mendimit se xhamat e trenave thyhen për shkaqe konkurrence nga ata që kanë interesa në transportin tokësor të udhëtarëve.

Investimi

Me një fond të veçantë dhe emergjent, Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave, me vlerën prej 27 milionë lekësh ka nisur nga puna për zëvendësimit e të gjithë xhamave të thyer të dritareve të vagonëve të pasagjerëve. Prej gati 12 vitesh, trenat dhe kryesisht pasagjeri, vazhdojnë të jenë shënjestra e disa personave, të cilët janë transformuar në një rrezik serioz për të ardhmen e këtij transporti. Një masë e tillë nga ana e DPH është marrë në kushtet kur të gjithë xhamat e trenave rezultojnë të thyer dhe dimri tashmë ka ardhur. Sipas z. Ramadani, në qarkullim janë 5 trena me nga 5 vagonë secili, të cilët për çdo ditë përshkojnë rrugët e hekurta e që qëllohen me gurë dhe sfera metalike. Sipas projektit, xhamat e rinj duhet të jenë vendosur brenda një periudhe 2-javore. Por drejtuesit e hekurudhës druhen se trenat do të vazhdojnë të jenë sërish objekt i sulmeve të gangsterëve të rrugës. Për të parandaluar një fenomen të tillë, DPH me anë të një letre ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›