Ndërtuesit pranojnë ndryshimet në ligjin për lejet e ndërtimit
Shoqata e Ndërtuesve ka mirëpritur ndryshimin ligjor të propozuar nga qeveria shqiptare për shkurtimin e procedurave ligjore për marrjen e lejeve të ndërtimit. Sipas tyre, ky amendim do të bëjë të mundur një lehtësi për ndërtimin, si dhe do të reduktohet ndjeshëm korrupsionin me lejet e ndërtimit, si dhe do të reduktohet kostoja administrative. Përfaqësuesi i Shoqatës së Ndërtimit, Ilir Hebovina, tha dje se këto ndryshime do të japin një impakt pozitiv. Ai shtoi se ligji për lejet e ndërtimit duhet të ndryshohet më tej. “Ky është një amendim i mirë, por në fakt duhen ndryshime të tjera. Ka shumë hallka, të cilat duhen të ndryshohen në këtë ligj, në mënyrë që të plotësojnë zinxhirin e plotë. Ne mendojmë se ka shumë akte të tjera të domosdoshme për t’u ndryshuar”, tha Hebovina. Me ndryshimin në ligjin për lejet e ndërtimit, dhënia e tyre pritet të liberalizohet. Tashmë do të ketë një afat prej 50 ditësh, e cila do të shërbejë për dhënien e pëlqimit ose jo për ndërtim. Aktualisht duhen mbi 300 ditë që të merret një përgjigje për ndërtim, qoftë negative, qoftë pozitive. Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar miratimin e ligjit të ri të urbanistikë, në mënyrë që këto mendime të aplikohen në terren. “Me këto ndryshime i jepet një frymëmarrje e madhe sektorit kryesor të ekonomisë, promotorit të zhvillimit, që është ndërtimi, por me këto ndryshime, me këtë lehtësim të madh të burokracisë, shkurtim të madh të kohës dhe të kostos, i jepet një goditje e fortë dhe i vihet një pengesë shumë e madhe informalitetit, i cili aktualisht ka si faktor kryesor burokracinë e lemerishme korruptive të dhënies së lejeve të ndërtimit”, - ka deklaruar Berisha. Kryeministri ka vënë në dukje se “për fat të keq Shqipëria është kuotuar në vendin e 176-të, pra në grupin e katër-pesë vendeve më të mundimshme për dhënien e lejeve të ndërtimit”.