E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça ’89 fitoi derbin lokal

Trepça ’89 e ka mposhtur Trepçën me rezultat 2:1, në derbin e qytetit të Mitrovicës, të vlefshëm për xhiron e 11-të të Superligës së Kosovës. Kurse, kampioni në fuqi, Hysi iu rikthye fitoreve në Gjilan. Tri pikë të rëndësishme i ka fituar edhe Besa përballë Lepencit.

Sulmuesit kosovar ishin në formë të mirë gjatë kësaj fundjave. Në gjashtë ndeshje të xhiros së njëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës në futboll janë shënuar 15 gola. Asnjëri takim nuk ka përfunduar baras, derisa në tri ndeshje skuadrat mysafire ia kanë dalë t’i rrëmbejnë pikët e plota.

Trepça – Trepça ’89 1:2

Trepça ’89 ka shënuar fitore të dielën ndaj Trepçës me rezultat 1:2, në derbin lokal të qytetit të Mitrovicës, në kuadër të xhiros së njëmbëdhjetë të Superligës në futboll. Në fakt, Trepça mirë e ka nisur këtë takim, duke kaluar e para në avantazh prej 1:0 me golin që e shënoi në minutën e 18-të Berat Hyseni, i cili mirë u shërbye nga Liridon Ahmeti. Mirëpo, Trepça ’89 në minutën e 32-të arriti t’i barazoj shifrat në 1:1 me një gol të bukur që e realizoi Kadri Ademi prej rreth 30 metrave. Me këtë rezultat ka përfunduar pjesë-loja e parë, derisa në pjesën e dytë Trepça ’89 ia doli ta shënoj edhe një gol, me ç’rast i fitoi tri pikë të reja në luftën e saj për titull të kampionit. Skuadra e Gani Sejdiut në minutën e 70-të ia doli të kaloj në për herë të parë në avantazh prej 1:2 nëpërmjet Festim Krasniqit, goli i të cilit doli të jetë edhe i fitores për ekipin e tij, ndaj rivalit lokal, Trepçës. Me këtë fitore, Trepça ’89 është ngjitur në kuotën e 19 pikëve, katër më pak sesa lideri, Prishtina. Kurse, Trepça shkaku i kësaj humbje bie në vendin e gjashtë të renditjes tabelore me vetëm 14 pikë.

Gjilani – Hysi 0:3

Trajneri i ri, Jusuf Tortoshi duket se e ka këndellur kampionin aktual të Kosovës, Hysin. Bardhezinjtë të dielën kanë shënuar fitore si mysafirë të Gjilanit me rezultat 0:3. Pjesa e parë e ndeshjes ka përfunduar pa gola, ndonëse vendasit kanë bërë përpjekje më të mëdha për të shënuar. Mirëpo, në pjesën e dytë llapjanët ia dolën t’i shënojnë tri gola për ta regjistruar fitoren e katërt në këtë edicion. Tri pikë të reja Hysit ia siguruan golat të cilat i shënuan Mentor Zhdrella në minutën e 67-të, Yll Hoxha në minutën e 80-të dhe Labinot Osmani në minutën e 90-të. Me këtë fitore, Hysi është ngjitur në vendin e pestë të tabelës me 15 pikë, kurse Gjilani ka rënë në vendin e fundit me vetëm 7 pikë të tubuara.

Besa - Lepenci 2:0

Besa është ngjitur në vendin e shtatë të renditjes tabelore, falë fitores që e shënoi të dielën në Pejë ndaj Lepencit me rezultat, 2:0. Vendasit kanë kaluar në avantazh prej 1:0 në minutën e 48-të nëpërmjet Krenar Vokshit. Kurse, golin e dytë në këtë fitore të Besës e ka realizuar Elvis Gacaferi në minutën e 68-të të takimit. Shkaku i kësaj disfate kaçanikasit kanë rënë në pozitën e nëntë të tabelës me 13 pikë, një më pak sesa Besa e cila tani ka 14 pikë të grumbulluara.

Superliga – Xhiroja e 11-të

Tabela ND GD PI

1. Prishtina 11 10 23

2. Drita 11 10 22

3. Vëllaznimi 11 6 22

4. Trepça ’89 11 4 19

5. Hysi 11 3 15

6. Trepça 11 0 14

7. Besa 11 -2 14

8. Drenica 11 -2 13

9. Lepenci 11 -3 13

10. KEK-u 11 -8 10

11. Liria 11 -9 10

12. Gjilani 11 -10 7

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›