E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj merr mbështetjen e Zvicrës

Shefi i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe presidentja e Zvicrës Michelle Calmy Rey janë pajtuar që të hartohet një kornizë për të ndihmuar zhvillimin ekonomik në Republikën e Kosovës dhe kanë nënshkruar një marrëveshje bilaterale për transportin e njerëzve dhe mallrave.

Në ditën e parë të vizitës së tij në Zvicër, ministri Hoxhaj ka takuar presidenten zvicerane dhe shefen e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Michelle Calmey – Rey, të cilën e ka informuar për shtet-ndërtimin e suksesshëm të Kosovës, për stabiliteti politik dhe reformat e ndërmarra deri tani.

Duke shprehur mirënjohje për rolin që ka pasur në sensibilizimin e opinionit publik në Evropë për domosdoshmërinë e ekzistencës së shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës, ministri Hoxhaj ka thënë se pavarësia e Kosovës ndërlidhet me shtetin e Zvicrës dhe me vetë emrin e Calmey – Rey.

Hoxhaj dhe Calmey – Rey janë pajtuar që marrëdhëniet e mira politike duhet të shndërrohen në marrëdhënie të mira ekonomike, arsimore dhe kulturore.

“Prandaj prioritet për Qeverinë e Kosovës është përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe të kemi më shumë investitor nga Zvicra, sidomos nga diaspora jonë e cila është shumë e fuqishme”, ka vlerësuar Hoxhaj.

Nga ana tjetër, presidentja zvicerane ka vlerësuar lart punën e Qeverisë për progresin në Kosovë. Ajo ka kërkuar të punohet edhe më shumë në reformimin e vendit dhe zhvillimin ekonomik.

Duke folur për situatën në veri të Kosovës, presidentja Calmey – Rey dhe ministri Hoxhaj kanë kërkuar që situata atje të tejkalohet sa më shpejt.

Gjatë vizitës së Zvicër, ministri Hoxhaj ka ripërsëritur qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se jetësimi i planit Ahtisari është korniza e vetme për integrimin e suksesshëm të serbëve të veriut, ashtu siç ka ndodhur në pjesën më të madhe të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›