E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça për titull

Trepça i është bashkuar Trepçës ’89 dhe Prishtinës në luftë për titull të kampionit në Superligë. Dështimi i ekipeve kryesuese dhe fitoret e xhirove të fundit e futën në ‘valle’ edhe ekipin ‘Xehetar’. Trajneri Fidaim Haxhiu e pranon se Trepça do ta synojë titullin, por insiston se ky nuk është imperativ kryesor i mitrovicasve. Me disa përforcime në janar, ai beson se gjelbërezinjtë do të korrin suksese në pranverë.

Pas Trepçës ’89 dhe Prishtinës, ‘valles’ për titull të kampionit në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll i është shtuar edhe Trepça. Skuadra mitrovicase i shfrytëzoi për mrekulli lëshimet që bënë ekipet kryesuese, duke iu afruar kreut të tabelës në vetëm katër pikë.

Pas fitores ndaj Prishtinës të dielën, ‘Xehetarët’ kanë grumbulluar 20 pikë, prej tyre 6 fitore, 2 barazime e 4 humbje, duke u renditur në pozitën e tretë. Ndërkaq, Trepça ’89, kryesuese, ka 24 pikë, kurse kampioni aktual Prishtina është i dyti me 23.

“Mbasi i jemi afruar kreut, normalisht se jemi futur në garën për titull, të cilin megjithatë nuk e kemi imperativ kryesor. Por, fitoret tona nuk do të mjaftonin nëse nuk do të ekzistonin dështimet e ekipeve tjera, që na mundësuan që në këtë valle të futemi edhe ne”, deklaroi trajneri i Trepçës, Fidaim Haxhiu.

Sigurisht, objektiv primar i Haxhiut, që e zëvendësoi trajnerin Shefqet Kurti, është që të grumbullojë sa më shumë pikë e nëse i jepet mundësia, ta kërkojë edhe vetë titullin. “Fillimisht synojmë t’u ikim pozitave të poshtme të tabelës që ta sigurojmë ekzistencën, në mënyrë që ta kemi më lehtë në pranverë. Kemi orar të përshtatshëm dhe nëse na ofrohet mundësia, do të mundohemi ta shfrytëzojmë”, vazhdoi ai.

Për të arritur deri tek titulli, Haxhiu e pranon se nevojiten përforcime, edhe pse thotë se momentalisht ka ekip solid. “Kemi fond të lojtarëve kualitativë, por duhet ta rrisim konkurrencën dhe t’i mbulojmë disa mangësi me 3-4 përforcime me lojtarë që premtojnë. Kemi ekip stabil, serioz dhe lojtarë me përvojë. Do të mendojmë të nxjerrim rezultat pozitiv lojë pas loje”, përfundoi Haxhiu.

Hysi vazhdon të mahnitë

Ndërkohë, ekipi i cili po mahnit këtë sezon në Superligë është Hysi. Skuadra nga Merdara, e cila në fillim të sezonit shihej si e rrezikuar për të rënë nga liga, pas largimit të shumicës prej futbollistëve, ka bërë sensacion nën drejtimin e strategut Hysni Maxhuni. Skuadra llapjane e mundi të dielën Dritën dhe u ngrit në kuotën e 19 pikëve, vetëm 5 më pak se kryesuesi Trepça ’89, duke shënuar 5 fitore, 4 barazime e 3 humbje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›