"Zbulohet" fajtori...përgatitësi atletik
Reali i Madridit vazhdon të jetë një "minë me sahat". Në ambientin e kampionëve të Spanjës kërkohen shkaktarët që sollën situatën problematike në skuadër. Pas trajnerit Bernd Shuster, mediat madrilene kanë gjetur një tjetër "fajtor": bëhet fjalë për përgatitësin atletik, Valter Di Salvo. Për të siguruar shërbimet e italianit, "merengues" bënë të pamundurën derisa e morën nga Mançester Junajted, por tashmë, Di Salvo ndodhet në bankën e të akuzuarve. Kjo prej dëmtimeve të njëpasnjëshme: 23 të tillë në katër muaj, ku nga kontingjenti me 25 lojtarë, 18 prej tyre kanë pasur të paktën një lëndim. Në faqen e parë të gazetës "Marca" theksohej: "Të gjithë shohin si fajtor Di Salvon" për "plaga de bajas" (plagën e dëmtimeve). E përditshmja sportive shkruante se "fajtori nuk është trajneri Shuster, por përgatitësi atletik i skuadrës". Edhe "As" shkruante: "Di Salvo është në shënjestër për shkak të dëmtimeve të shumta", madje theksonte se Reali i pagoi Mançesterit një shifër të konsiderueshme për kartonin e profesorit italian. Kjo nuk është hera e parë që Di Salvo, i cili ka punuar në Itali, Angli dhe Spanjë, ndodhet në qendër të "furtunës". Edhe gjatë sezonit të kaluar, atë e akuzuan ashpër për rënien e formës së skuadrës: madrilenët fituan titullin duke regjistruar një rekord të ri në La Liga për pikë të grumbulluara, por, për mediat vendase, kjo duket se nuk mjaftonte. Tashmë, numri i lojtarëve të dëmtuar është shumë i lartë, e nuk mund të kalonte pa u vënë re. Gjithsesi, është e qartë që përgatitësi atletik është objektivi i një beteje shumë më të gjerë. Të dielën, Ramon Kalderon duhet të përballet me aksionerët e tjerë të klubit, në Asamblenë që do të shërbejë për përmirësimin e bilancit financiar. Presidenti "merengues" ka shumë armiq, të gatshëm t‘i zënë postin drejtues, dhe Di Salvo cilësohet si blerja e tij.