Ftohen marrëdhëniet mes PDSH-së dhe zyrtarëve kosovarë
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi, ka shprehur dyshime për vizitën që pritej të zhvillonte ditën e enjte në Prishtinë. “Kam shumë punë më të rëndësishme se sa të merrem me premtime qesharake dhe të fëlliqura politike. Njohja e pavarësisë së Kosovës duhet të ndodhë në Shkup, jo në Prishtinë. Prishtina është një marketing qesharak i palejueshëm, i turpshëm për shqiptarët”, - është shprehur Thaçi. Vlerësohet se PDSH-ja ka ftohur marrëdhëniet me zyrtarët në Kosovë, sidomos pas një deklarate të kryeministrit Hashim Thaçi se për situatën në Maqedoni diskuton me Ali Ahmetin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Bardhyl Mahmutin e Bashkimit Demokratik Shqiptar.
Sipas njoftimeve, edhe kryetari i PPD-së, Abdyladi Veseli, nuk do të shkojë në Prishtinë. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, është shprehur se kjo vizitë do të rikonfirmojë marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. “Para shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka pasur qëndrime konstruktive se do të ndiqet linja e SHBA-ve dhe BE-së. Mendoj se Maqedonia do të qëndrojë në këtë premtim të dhënë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Është ndoshta çështje kohe kur do të ndodhë momenti i rëndësishëm i njohjes që ka vlerë edhe për Maqedoninë dhe për Kosovën”, - tha Ahmeti. Takimi në Prishtinë është thirrur vetëm një ditë para fillimit të procesit të shënimit të vijës kufitare mes dy vendeve. Të gjitha partitë politike shqiptare, pa përjashtim, thonë se Maqedonia duhet ta njohë Kosovën sa më shpejt.
21 Mars 2008