E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqet Dick Marty: S’akuzoj as UÇK-në, as Thaçin, por individë të tjerë

Intervista ekskluzive e Dick Martyt dhënë portalit Albinfo.ch. Raportuesi pranon se kosovarët ishin viktimat e luftës

Kush është Dick Marty? Dick Marty është me origjinë nga Tessina. Është Këshilltar në Këshillin e Kantoneve (i përbërë nga përfaqësues të Kantoneve të Zvicrës). Më parë ka qenë Këshilltar Shteti. Gjithashtu, ai ka pasur një karrierë të rëndësishme si Prokuror i përgjithshëm dhe parapëlqen veçanërisht dosjet e ndjeshme, siç ka qenë për shembull raporti mbi burgjet sekrete të CIA-s, i bërë publik më 2006. Ai është një personalitet shumë i respektuar në Zvicër, e gjithashtu edhe në shkallë ndërkombëtare. Prej vitit 2010, është kryetar i Këshillit të Universitetit të Neuchatelit si dhe është emëruar kryetar i Asamblesë ndër-jurasiene, një punë që nuk është e lehtë në kontekstin e Zvicrës.

Siç e përmenda pak më herët, raporti juaj shkaktoi polemika të shumta, dhe në vend që të shuhen, ato vazhdojnë të shtohen, në lidhje me akuzën sipas së cilës përgjegjësit politikë kosovarë janë të përfshirë në trafikimin e organeve. Por para se të hyjmë në thelbin e debatit, në hyrjen e raportit tuaj, ju i referoheni Rezolutës 1244 të OKB-së. Ndërkaq, ajo (rezoluta) nuk përbën më ndonjë referim as edhe për Beogradin. Për më tepër, në verën e vitit 2010, me kërkesë të shtetit serb, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës dha mendimin e saj, duke vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare. Pyetja jonë është kjo: Pse nuk flitet në raportin tuaj për GJND, dhe as lidhur me nocionin e Shtetit të Kosovës; përveç kësaj, ju flisni për administrim të kosovarëve?

Në radhë të parë, më lejoni t’ju falënderoj që më dhatë mundësinë që t’ iu drejtohem qytetarëve dhe qytetareve të Kosovës dhe të Shqipërisë, shqiptarëve në përgjithësi. Kështu unë jam shumë mirënjohës për rastin që më jepet, sepse mendoj se është e nevojshme që disa pohime dhe përshtypje të korrigjohen. Ky raport dhe veprimtaria ime, dhe për këtë ju siguroj, nuk kanë qenë kurrë dhe nuk duhet kuptuar kurrë si diçka kundër bashkësisë kosovare, ose kundër bashkësisë shqiptare. Në të kundërtën, unë mendoj se jam përpjekur të bëj një punë që më ishte kërkuar. Nuk e kërkova unë këtë mandat, por u ngarkova për ta kryer atë. E bëra me ndërgjegje të plotë. E di se kërkimi i së vërtetës mund të shkaktojë dhembje, mirëpo kurrë nuk kam pasur për qëllim të kritikoj, dhe aq më pak ta kriminalizoj një bashkësi. Kam shumë miq dhe të njohur kosovarë dhe shqiptarë. Shumë prej tyre jetojnë në Zvicër dhe Zoti e di por unë nuk kam pasur asnjëherë ndonjë problem me ndonjërin nga Kosova apo Shqipëria. Kam pasur vetëm marrëdhënie respekti dhe miqësie.

Por pikërisht, z. Dick Marty, pjesa më e madhe e kritikave vijnë nga qarqet politike, por edhe nga shoqëria civile kosovare dhe qarqe të ndryshme, duke përfshirë edhe ato akademike, të cilët ju kritikojnë se jeni autor i këtij raporti, ndërkohë që më parë qëndrimet tuaja politike ishin kundër, për sa i përket ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Pra, sipas jush, a është i justifikuar mendimi politik kosovar dhe shqiptar që ka shprehur dyshime serioze lidhur me paanshmërinë tuaj?

 Mendoj se edhe këtu është një keqkuptim. Unë kam shprehur vetëm kritika të natyrës esencialisht juridike. Më pati ardhur shumë keq që ndërhyrja e NATO-s nuk qe kryer në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, domethënë me mbështetjen e Këshillit të Sigurimit. Është aq e vërtetë sa që Zvicra pati ndaluar fluturimin e aeroplanëve mbi territorin e saj, sepse kjo nuk ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kur e them këtë, unë isha gjithashtu i bindur se duhej ndërhyrë në Kosovë. Se politika kriminale dhe e marrë e Millosheviçit, e pastrimit etnik, ishte krejtësisht absurde. Ja përse unë mendoja, dhe mendoj përsëri, se nëse do të ishin bërë gjërat në mënyrë të qartë nga pikëpamja juridike, do të kishim pasur shumë më pak polemika. Për sa i përket pavarësisë, unë nuk e kam kundërshtuar asnjëherë pavarësinë si të tillë, kam kundërshtuar dhe kritikuar nga pikëpamja juridike, duke u mbështetur në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, bazuar mbi vlerësimet juridike të profesorëve të njohur ndërkombëtarisht, që na patën dëshmuar se mënyra se si ishte shpallur pavarësia nuk ishte krejtësisht korrekte. Dhe unë mendoj, se nëse kjo pavarësi, të cilën nuk e kundërshtoj si të tillë, po të ishte përgatitur ndoshta më mirë, ne do të kishim shumë më pak probleme dhe ndoshta popullsia kosovare do të kishte mundur të jetonte më mirë. Pra unë vura për diskutim dhe kritikova kushtet e veçanta dhe jo thelbin. Përveç kësaj, një nga kritikat e mia mbi modalitetet e veçanta, fatkeqësisht, u dëshmua. Unë kisha thënë se kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm, sepse do të ketë nga ata që do t’i referohen këtij precedenti. Kjo ndodhi me Abkazinë dhe Osetinë e Jugut, të cilat, me të drejtë ose pa të drejtë, iu referuan këtij precedenti. Mirëpo po e përsëris, nuk është pavarësia si e tillë, por unë kritikova mënyrën se si u vendos ajo. Do të kisha preferuar më tepër që të jenë kosovarët ata që do të kishin vendosur vetë, dhe jo që ky vendim të ishte marrë nga Uashingtoni, Berlini apo Parisi. Gjithashtu, jam po ashtu paksa kritik për këtë gjendje perfuzioni që ekziston tani me ndërkombëtarët në Kosovë. Mendoj se kosovarët do të ishin në gjendje të bënin shumë më shumë gjëra vetë dhe atje do të kishte më pak efekte negative se sa me këtë prani të madhe ndërkombëtare.

Me të vërtetë ju keni thënë se deklarata e Pavarësisë nuk ka qenë vendosur në Prishtinë, por në fund të fundit ajo çoi në një seri marrëveshjesh...

 Dëgjoni. Unë nuk e vë më Pavarësinë në diskutim. Ajo nuk përbën më temë për mua. Kosova e pavarur, unë do të uroja që ajo të jetë me të vërtetë e pavarur. Që të mund të ecë me këmbët e veta, dhe për mendimin tim, kjo nuk vihet më aspak në dyshim. Për mua, ishte çështja e modaliteteve të atij moment, të çështjes së nxitimit të Zvicrës në lidhje me njohjen e saj dhe që është në kundërshtim me praktikën që ajo kishte ndjekur deri më tani, kjo ishte e gjitha. Unë jam realist: kosovarët e duan pa dyshim pavarësinë dhe besoj se tani duhet respektuar kjo pavarësi. Për mua, ky është një kapitull i

mbyllur dhe duhet të them se ai nuk ka të bëjë aspak me këtë raport. Unë kam bërë një raport tjetër tejet kritik për Rusinë dhe politikën e saj në Kaukazin e Veriut; megjithatë nuk do të thotë se mbajta një qëndrim në favor apo kundër pavarësisë së Çeçenisë. Kjo nuk është detyra ime. Detyra që m’u caktua është një detyrë që shkon në drejtim të respektit të parimeve të Konventës Evropjane të të Drejtave të Njeriut, kjo është e gjitha.

Meqenëse po flasim për këtë raport, propozoj që të futemi në thelbin e çështjes. Më parë, ka pasur dy raporte të GJPN dhe të EULEX-it mbi ish-Jugosllavinë. Dy anketa që u realizuan në bazë të thënieve mbi trafikun e organeve. Çfarë sjell më tepër raporti juaj, në lidhje me atë që është bërë deri tani?

 Të flasësh për hetimin e GJPN dhe të EULEX-it, në lidhje me këto raste, është e tepërt të pretendohet se bëhet fjalë për hetim. Në vitin 2002 apo 2003, GJPN kishte një mision në «Burrel» dhe në këtë kuadër, ajo mblodhi një numër provash teknike, si gjurmë gjaku, ilaçe, etj., dhe nuk ka pasur asnjë vazhdim pas kësaj vizite atje. Bile, këto prova, që sot do të mund të shfrytëzoheshin në suazat e një hetimi të vërtetë, janë asgjësuar, gjë që është mjaft e çuditshme. Sepse unë nuk njoh asnjë autoritet gjyqësor, asnjë ministri publike, e cila, edhe në rastin kur ajo pranon se nuk është kompetente, asgjëson, për më pak se dy vite, elemente të provave që mundeshin të ishin, në të ardhmen, thelbësore. Pra, thënë shkurt, nuk ka pasur kurrë ndonjë hetim të vërtetë mbi këto ngjarje.

Sot ne jemi në dijeni dhe EULEX-i është duke e dëshmuar, ekziston një akt akuzimi, se një kamp sekret i të burgosurve mbahej në territorin e Shqipërisë së veriut nga ana e forcave të UÇK-së. Gjithashtu, edhe këtu, më lejoni të ju them se nëse lexohet me kujdes raporti im, nuk është UÇK, si e tillë që kriminalizohet apo kritikohet. Bile dua të theksoj se ka anëtarë të UÇK-së që u angazhuan në mënyrë të lakmueshme për atdheun e tyre. Nuk besoj se mund të konsiderohet UÇK-ja si një ushtri e strukturuar, në kuptimin klasik, me një gjeneral etj. Mirëpo, për mendimin tim, ka pasur abuzime dhe krime që janë kryer nga disa grupe, të cilat, sipas mendimit tim, duhet të jenë objekt i një hetimi. Ajo që kam sjellë unë në këtë raport nuk është në fund të fundit diçka shumë e re. Qoftë UÇK-ja, disa forca të UÇK-së, apo z. Thaçi, të gjithë tashmë kanë qenë të cituar në shumë raporte të shërbimeve informative, në studime që janë realizuar, ose edhe në artikuj të hartuar, apo nga një hulumtim i detajuar i BBC-së. Pra ajo që ne arritëm të bëjmë në kërkimet tona, ishte se na u dha mundësia të gjejmë dëshmitarë shumë të besueshëm që kanë mundur të japin hollësira që figurojnë në raport. Por ne nuk jemi një autoritet hetimi dhe akoma më pak gjykimi. Ne jemi një autoritet denoncimi. Ne denoncojmë dhe kërkojmë që të kryhen hetime për ngjarje që tregojnë indice për shkelje të rënda të të Drejtave të Njeriut. Dhe ne e kemi bërë këtë në shumë raste. Pak më parë ju folët për raportin mbi burgjet sekrete të CIA-së; ju them se edhe në atë rast kam cituar emra, si atë të ish presidentit të Rumanisë, të Këshilltarit të sigurisë të Polonisë, që ishin në dijeni se çfarë ndodhte. Dhe në qershor 2007, paraqita këtë raport për të cilin po ashtu më kërkuan dëshmi dhe kësaj iu përgjigja se u përkiste atyre që t`i kërkonin dëshmitë. Detyra ime është të denoncoj, dhe mund të ju them se tre vite më vonë, nuk ka pasur asnjë fjalë të raportit tim që është përgënjeshtruar. Dhe sot, mendoj se ky raport konsiderohet si diçka që është dëshmuar në të gjitha elementet e tij.

Pikërisht, juve ju qortojnë për faktin se sillni shumë akuza të rënda dhe të ashpra, kurse dëshmitë për t`i mbështetur ato ju mungojnë. Ndjenja e përgjithshme është se raporti juaj i ngjan një gjykimi, para hetimit juridik.

 Jo! Duke cituar shumë burime dhe dokumente, unë them se ka aq indice, pa i harruar dëshmitarët që kam dëgjuar që rrëfejnë ngjarjet, dhe nuk mund të shtiresh se nuk ka ndodhur asgjë. Prandaj, duhet bërë një hetim. Ndërkaq, unë konstatoj se autoritetet gjyqësore të rajonit, fatkeqësisht nuk janë në gjendje t`i mbrojnë dëshmitarët. Dhe për këtë arsye, dëshmitarët nuk flasin. Ju e dini shumë mirë se ka dëshmitarë që janë kanosur apo vrarë. Ju e dini shumë mirë që ka dëshmitarë që kanë bërë deklarata akuzuese në procesin e hetimeve, dhe që nuk kanë folur pastaj gjatë gjykimit. Ju e dini shumë mirë se nuk ka akoma, ashtu siç ka kërkuar Bashkësia ndërkombëtare, një ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve. Do të thotë, nuk është një popullatë që është kriminalizuar. Për mua, shumica e kosovarëve kanë qenë viktima dhe kanë qenë të detyruar të paguajnë një haraç të rëndë. Do të dëshiroja, që për këta burra dhe gra, e ardhmja e tyre të mos ndërtohet mbi dyshime dhe gënjeshtra, por mbi të vërtetën. Është e vërtetë se kërkimi i së vërtetës shkakton dhembje, por nuk duhet reaguar sikurse serbët. Serbët reaguan kur pati akuza kundër Millosheviçit dhe krimeve të tmerrshme të kryera kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve. Ata protestuan duke thënë se duan dëshmi. Nuk duhet reaguar në mënyrë të tillë. Më duket se reagimi i drejtë është të thuash: ju bëni akuza shumë serioze, tani duam që autoritetet kompetente të bëjnë gjithçka që është e mundur që të zbardhet e vërteta. Sepse e vërteta është në interes tonin. Ka shumë shembuj, bile edhe në Zvicër, me të mirat dhe pasuritë e lëna nga hebrenjtë në bankat tona. Për vite të tëra ne u bëmë sikurse nuk e shihnim këtë problem ndërsa historia ne na kapi shumë kohë pas luftës. Dhe kjo i shkaktoi shumë dëm vendit tonë.

Por raporti juaj, megjithatë, u fillua pas botimit të librit të ish-prokurores së GJPN, zonjës Karla del Ponte. Lidhur me këtë, zëdhënësja e saj, zonja Florence Hartmann, i cilëson fjalët e saj të papërgjegjshme, sepse ajo paraqet si fakte të sigurta hipoteza të thjeshta. Duke e ditur se raporti juaj bazohet mbi këtë libër, shqiptarët e Kosovës kanë përshtypjen se ju u kërkoni atyre ta dëshmojnë pafajësinë e tyre, sepse ju nuk keni mundur ta dëshmoni fajësinë e tyre.

 Zotëri, unë jam në fund të karrierës sime politike dhe jam pak a shumë i moshuar, për të mos thënë njëfarë moshe. Kam shërbyer në tri fusha të shtetit: drejtësi, ekzekutiv dhe tani në ligjvënie. Ju nuk do të mendoni vallë se unë do të rrezikoj të hedh poshtë karrierën time duke shkruar një roman në vend të një raporti. Unë besoj në një ndërgjegje dhe aftësi profesionale. Për më tepër se 15 vite kam qenë prokuror dhe jam marrë sidomos me kriminalitetin e organizuar ndërkombëtar. Ndërkaq, kam marrë dy çmime nderi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, dhe kjo nuk është për t’u mburrur, por për të dëshmuar njëfarë aftësie që e zotëroj. Unë e di se si duhet pyetur një dëshmitar, se nuk duhet të bazohesh në një deklaratë të vetme dhe se duhen bërë prova të kryqëzuara. Mirëpo, nëse e lexoni me kujdes raportin tim, unë nuk them në asnjë rast

se z. Thaçi është i implikuar drejtpërdrejt në një trafik organesh, por them se njerëz të afërt të z. Thaçit janë të implikuar. Pra, është e vështirë të mendosh se ai nuk ka dëgjuar kurrë për to. Për ndryshim nga zonja Karla del Ponte, unë saktësoj shumë aspekte. Nuk them se bëhet fjalë për qindra transplantime të paligjshme. Flas vetëm për një grusht rastesh.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›