Fundi i parlamentarizmit
Në sistemin tonë kushtetues parlamenti është institucioni kryesor politik, përfaqësuesi direkt i sovranitetit të popullit dhe vendi ku jetësohet verdikti demokratik. Ky pozicion i lartë kushtetues është tipik për një sistem qeverisës parlamentar e republikan, të zgjedhur nga shqiptarët më 1991 dhe të konfirmuar me referendumin e vitit 1997 dhe në Kushtetutën e vitit 1998. Bazuar edhe në kriteret e dokumentit të Kopenhagenit, referuar vendimit të Bashkimit Europian mbi statutin kandidat për Shqipërinë, parlamenti do të duhet të jetë një institucion aktiv, i besueshëm, funksional dhe përfaqësues. Kjo pozitë e lartë kushtetuese, ligjore dhe politike e institucionit të parlamentit do të duhej të kishte për produkt një institucion me bilanc pozitiv në 20 vitet e tranzicionit dhe sidomos në fazat vendimtare të reformave dhe zgjidhjes së krizave politike. Në realitet bilanci rezulton ndryshe. Gjatë 20 viteve të tranzicionit parlamenti nuk arriti të jetë aktor kryesor në asnjë prej krizave politike; asnjë qeveri nuk ra përmes mocioneve parlamentare, ashtu siç asnjë krizë postzgjedhore nuk gjeti zgjidhje në parlament. Në vend të institucionit vendimmarrës parlamenti u shndërrua në shtojcë formale e selive të partive politike. Partitë bënë negociata dhe realizuan marrëveshje, ato krijuan e rrëzuan qeveri, ato hartuan drafte kushtetuese dhe bënë pakte për ndryshime kushtetuese, ato iniciuan ligje dhe akte themelore politike, dhe në çdo rast, parlamenti vetëm sa u ftua teknikisht të luajë funksionin e noterizimit të këtyre akteve. Kjo pozitë e ka dobësuar institucionin dhe domethënien politike e kushtetuese të tij. Në tranzicionin ecuria e aktivitetit parlamentar njeh tri faza; e para ajo e parlamentit si qendër e politikës dhe e debatit politik, parlamenti si shumicë formale kartonash për jetësimin e vullnetit të njëanshëm të shumicës, dhe së fundi, gjithnjë e më shumë po merr jetë modeli parlamentar i konfliktit verbal, i shndërrimit të tribunës së debatit politik në tribunë të etiketimit, denigrimit, fyerjes dhe poshtërimit të rivalëve politikë. Këtë funksion të ri ishim mësuar ta kryenin selitë e partive, gazetat militante partiake e "të pavarura", por vitet e fundit, ato janë konkurruar dhe dominuar nga ai që duhej të ishte institucioni më i lartë politik e përfaqësues i qytetarëve. Prej muajsh seancat parlamentare nuk kanë asgjë të përbashkët me jetën normale parlamentare, në vend të debatit mbi ligjet shohim një lumë sharjesh e etiketimesh personale mbi deputetët e familjet e tyre; në vend të nismave për zgjidhje politike e ligjore të problemeve shohim retorika boshe të dominuara nga urrejtja e gjuha përjashtuese për mendimet e tjetrit. Sistemi i ri zgjedhor do të duhej të sillte në parlament politikanë karriere, profesionistë e të aftë për vendimmarrjet e duhura politike. Në vend të tyre ne kemi një parlament nën nivelin mesatar të politikës, plot militantë e imitues politikë, biznesmenë që bëjnë rolin e bodigardit dhe badigardë, që bëjnë rolin e liderëve politikë; aktorë që kanë ngatërruar rolet me politikën, njerëz pa profesion, të cilët qenien e tyre parlamentare e kanë mbijetesë personale dhe ekonomike, dhe mbi të gjitha, kemi një parlament të paaftë të prodhojë politikë dhe gjithnjë të aftë të prodhojë e stimulojë konflikt e kriza. Ky është parlamenti shqiptar në kohën e Shqipërisë në NATO, parlamenti që duhej të bënte reforma për t'u anëtarësuar në BE, parlamenti i shekullit XXI, që duhej të reflektonte të gjithë ngritjen e madhe morale, kulturore e politike të shoqërisë shqiptare. Seanca si ato të djeshmet, ku përgjigja më e mirë për kritikat dhe mungesën e alternativës është fyerja personale dhe denigrimi i kundërshtarit, janë bërë rutinë për modelin e ri të parlamentit shqiptar. Një institucion ku përdoret fjalë e gjuhë e padenjë as në rrugë, ku tjetrit i flitet më keq se në grindjet e grave në pazar, ku qeveria nuk jep llogari por kërkon llogari, ku opozita nuk ofron zgjidhje, por kërkon pushtet tavoline, ku politikën e ka zëvendësuar prej kohësh një klan individësh pa ideale, pa moral politik, pa identitete politike, të gatshëm të sakrifikojnë çdo vlerë e institucion në ruajtje apo marrje të pushtetit me çdo kusht. Ngjarje të tilla të përditshme janë dëshmi e qartë se ata që paguhen me taksat tona, na sundojnë me votat tona, votojnë (keq) përdorimin e parave tona, marrin vendime për të sotmen e të ardhmen e fëmijëve tanë; ata në fakt janë kërcënimi dhe pengesa e jonë më e madhe në ecjen përpara. Sepse po zhgënjejnë. Sepse po mbajnë peng aspiraratat tona. Sepse po privatizojnë politikën. Sepse po marrin peng institucionet. Sepse flasin e veprojnë në emër të sovranit, janë shprehje e vullnetit tonë kushtetues.
Kjo panorama mjerane e jetës tonë parlamentare plotësohet akoma më shumë me një model të ri keqpërdorimi të institucionit themelorë të demokracisë. U bënë disa vite që një rregullore masovike e parlamentit u ka njohur të drejtën deputetëve që çdo deklaratë të tyre personale, çdo akuzë, fyerje, denigrim, etj ta bëjnë jo nga shtëpia e tyre apo rruga, por pikërisht nga podiumi zyrtar i parlamentit, në foltoren zyrtare të tij, me siglën zyrtare të tij. Kjo praktikë, krejt e ndryshme nga modelet perëndimore ku duam të arrijmë, përveçse komprometon integritetin e parlamentit, por edhe abuzon të drejtën e publikut për të ruajtur dinjitetin e tij nga keqbërësit e radhës. Sfilatat e politikanëve që lexojnë periodikisht deklarata të denja për mentalitete iraniane, vetëm sa bëjnë më të plotë, kritikën e Bashkimit Europian për një parlament ineficent, larg rolit të tij kushtetues në sistemin politik dhe axhendën e pritshme politike të vendit. Për ta plotësuar pamjen gjysmake të parlamentit dhe borxhet e mëdha që ky institucion vijon t'i ketë shoqërisë shqiptare le të kujtojmë dy fakte: në dy vitet e fundit ai nuk ka arritur të miratojë asnjë ligj bazë të reformës, asnjë ligj konsensual, asnjë ligj mbi organizimin gjyqësor apo të institucioneve kushtetuese, si dhe njëherësh, nuk ka arritur të bëjë asnjë progres në drejtim të kapërcimit të ngërçit politik. I bojkotuar nga njëra palë, i keqpërdorur nga pala tjetër, i paaftë të mbrojë e garantojë natyrën kushtetuese të shtetit, i kontestuar mëse 20 herë nga gjykata kushtetuese, i kritikuar ashpër nga raport progresi i BE-së, dhe së fundi edhe burim konfliktualiteti politik midis palëve, parlamenti aktual vijon të jetë humbësi ynë më i madh, pika më e dobët e sistemit politik e kushtetues.
Për të gjitha këto arsye ky model parlamentar nuk përfaqëson më asgjë nga modeli që Shqipëria e shqiptarët kërkojnë e duhet të kenë sot anëtar në NATO dhe nesër aspirant real për në BE. Ky model na mban larg nga integrimi, nga progresi, nga synimet dhe nga e ardhmja e tonë euroatlantike. Më shumë se "tempull i demokracisë" ai i ngjan atij tregut politik anakronik, për të cilin Fan Noli këtu e 90 vjet më parë shprehej "këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha….këtu brenda një dite si me magji tradhtori bëhet patriot dhe patrioti tradhtar…që t'i ç'qitësh këta tanët nga kolltuku duhet të presësh jo vetëm duart e kokën po dhe këmbët e trupin".