Tri botë me dy çmime

Filmi francez në të cilin luan Arta Dobroshi rrëmbeu dy prej çmimeve më të rëndësishme të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit ‘PriFilmFest’. ‘Tri botë’ fitoi çmimin për filmin më të mirë si dhe çmimin për aktoren më të mirë. Ky i dyti iu dha aktores Arta Dobroshi, për rolin e saj të një moldaveje që jeton në Francë, të cilës i vdes bashkëshorti në një aksident.
‘Trios Mondes’ (Tri botë), film në regji dhe skenar të Catherine Corsini, me aktorët Raphael Personnaz, Clotilde Hesme dhe Arta Dobroshi, trajton një temë mjaft interesante. Alan, një djalosh i cili vjen nga një familje jo shumë e pasur, po martohet me vajzën e shefit të tij. Duke u kthyer të dehur nga festa e beqarisë, ai shkakton një aksident, i nxitur nga dy shokët e tij. Ata ikin nga vendi i ngjarjes, por ndjenjat e fajit nuk e lënë të qetë Alanin. Të nesërmen ai vendos të hetojë rreth viktimës së tij. Por ai nuk e di se dëshmitare e aksidentit ishte Xhulieta, e cila e sheh tërë ngjarjen nga ballkoni i saj. Ajo thirr ambulancën dhe e ndihmon burrin e lënduar dhe gruan e tij Verën, një azilante nga Moldavia, rolin e së cilës e luan Arta. Ndonëse Xhulieta e identifikon Alanin në spital, lindja e disa ndjenjave të papritura bën që ajo të heshtë.
Meqenëse as Arta e as regjisorja e filmit nuk qenë të pranishme në ceremoninë e dhënies së çmimeve, e cila u mbajt të hënën mbrëma në Swisse Diamond Hotel, çmimet i mori producenti i filmit, Stephane Parthenay. Ai tregoi për Express se ky është filmi i katërt i regjisores Catherine Corsini, të cilin kompania e tij, ‘Pyramide Productions’, e prodhon. “Filmin e kemi xhiruar vitin e kaluar në Paris dhe në Francë do të shfaqet në dhjetor dhe shpresoj që edhe në Kosovë të shfaqet vitin e ardhshëm”, tha ai.
Parthenay shtoi se ndihet shumë i gëzuar për Artën sepse, siç u shpreh ai, ajo është një aktore shumë e talentuar nga Kosova.
“Ajo do të jetë e nderuar dhe e lumtur që ka fituar çmimin për aktoren më të mirë dhe gjithashtu edhe unë jam i lumtur edhe për filmin sepse është kënaqësi e madhe të shpërblehesh në një festival sikurse PriFilmFest”, tha Parthenay.
Ndërkaq, çmimin për regjisorin më të mirë e mori Umut Dag, regjisor i filmit ‘Kuma’. Ky film tregon ngjarjen e dy femrave: Fatmës e cila është rreth 50-vjeç dhe është një amvise e cila ka gjashtë fëmijë. Ajo jeton në Vjenë, por është rritur në Turqi dhe është e kapur kokëfortësisht në traditat dhe vlerat e shtetit të vjetër. Ajshja është 19-vjeçare, dhe filmi fillon me martesën e saj në një pjesë rurale të Turqisë, tek i biri i Fatmës, Hasani, 21-vjeçar. Mirëpo, kur familja e Ajshes e merr atë në Vjenë, ajo zbulohet si maskaradë, ku ajo është për t’u bërë kuma (gruaja e dytë) e burrit të Fatmës, Mustafës, i cili është 60-vjeçar.
“Është e mrekullueshme sepse nuk e pret një gjë të tillë”, tha regjisori kurd me origjinë nga Turqia por i cili jeton në Austri. Ai tregoi se ka fituar edhe vitin e kaluar për filmin e shkurtër dhe shtoi se është diçka e veçantë të jesh këtu prapë dhe të fitosh për herë të dytë.
“Ky është filmi i parë i gjatë dhe natyrisht edhe ky është çmimi i parë që po e fitoj si regjisor. Ky çmim është shumë i veçantë për mua. Është një film familjar që flet për gruan e dytë që vjen në një familje dhe të gjitha dinamikat dhe problemet në këtë familje, marrëdhëniet e saj me gruan e parë. Është një dramë që përshkruan problemet dhe konfliktet në një familje”, theksoi ai.
Gjithashtu me çmime u shpërblyen edhe filma të tjerë si filmi ‘Ave’ nga Bullgaria, i cili fitoi çmimin special të jurisë, pastaj filmi serb ‘Parada’, që përcjell një grup aktivistësh homoseksualë në tentativat e tyre për të organizuar një paradë krenarie homoseksualësh në Beograd. Çmimin për aktorin më të mirë e mori Nabil Asli, i cili luan në filmin algjerian ‘I penduari’, ndërsa
Për skenaristin dhe dramaturgun Naser Shatrolli nuk ishte befasi që fituan këta filma. Ai tha se e kanë merituar.
“Në njëfarë forme i kam paraparë këto çmime që sonte veç u dhanë. Jam i gëzuar që ky filmi francez ‘Tri botë’, në të cilin luante edhe aktorja shqiptare Arta Dobroshi, fitoi dy çmimet më të rëndësishme të festivalit, atë të filmit më të mirë dhe çmimin për aktoren më të mirë. Arta ka qenë promotor i filmit, ka qenë shtyllë, si të thuash, ajo ndërthurja dramaturgjike e filmit, sepse krejt pesha e filmit bartet në supet e saj”, tha ai. Ky film , sipas Shatrollit, është një film me një temë shumë interesante, është një personazh që vjen nga Moldavia, jeton në Francë dhe i ndodh një aksident, një fatkeqësi burrit të saj dhe tash krejt drama bartet mbi supet e saj.
“Është diçka që si gjetje, si regjisurë, si realizim, në të gjitha kuptimet, është një prej filmave që prej fillimit është diskutuar dhe e mori çmimin. Gjithashtu, Arta është paraqitur me një rol jashtëzakonisht të mirë dhe mendoj se ka qenë një prej roleve më të mira të saj”, tha ai. Ndërkaq, për filmin ‘Kuma’, që mori çmimin për regjisorin më të mirë, Shatrolli tha se ky film i ka pëlqyer shumë për faktin se trajton një temë jashtëzakonisht të ndjeshme për komunitetin kurd dhe për komunitetin turk në përgjithësi që jeton në perëndim, të cilët atje marrin vajza të reja nga Turqia, ua bëjnë letrat dhe i qojnë dhe i ngujojnë brenda katër mureve dhe mundësia e tyre e vetme është të shkojnë deri në një shitore.
Çmimin për filmin më të mirë të metrazhit të mesëm e mori filmi holandez ‘Vast’, ndërkaq me çmim nuk mbeti pa u shpërblyer as filmi kosovar ‘Agnus Dei’ i regjisorit Agim Sopi. Ai mori çmimin që edhe ishte pritur ta merrte, atë të publikut.