Banorët e Nënshkodrës: Të papërgatitur për një tjetër përmbytje

SITUATA/ Uji ka dalë mbi rrugë tek Harku i Bërdicës duke sjellë probleme në qarkullim
SHKODËR - "Është rreziku i këtij populli që ka një qeveri të tillë dhe politikanë të çdo krahu që vetëm për të nuk mendojnë, por i lëshojnë ujin sa herë që duan dhe i lënë të mbyten.
Qeveria nuk pyet më për ne. Nëse herën e parë ishte këtu dhe na ofronte ndihmë e na lajmëronte, dy herët e tjera kjo nuk ka ndodhur dhe ne jemi në mëshirë të fatit", -shprehen banorët e fshatit Mushan në komunën e Dajçit në Shkodër teksa qëndrojnë të mbledhur pranë argjinaturës së fshatit të tyre, afër rrugës automobilistike dhe shohin me shqetësim nivelin e ujit në rritje.
Niveli i ujit në lumenjtë Drin e Buna, por dhe Kir e Gjadër ka pësuar rritje kjo e ndikuar jo vetëm nga reshjet e shumta të shiut, por kryesisht nga shkarkimet nga portat e hidrocentraleve, ka sjellë rritje të sipërfaqes së tokës bujqësore nën ujë duke dëmtuar dhe ato toka të mbjella, ndonëse me vonesë nga banorët e Nënshkodrës, për shkak të përmbytjeve të pak kohëve më parë. Sipërfaqe të tëra me misër, bar livadhesh dhe jonxhë, por dhe perime në sera janë nën ujë në Mushan, Bërdicë, Trush të Poshtëm, Obot etj.
Uji ka dalë mbi rrugë tek Harku i Bërdicës duke sjellë probleme dhe në qarkullimin e automjeteve e këmbësorëve, ndërsa në krahun e djathtë të tij ai ka rrethuar banesat. Po kështu dhe në fushat e Mushanit, aurelave të Shirqit, Trushit të Poshtëm etj. Banorët, që pohojnë se kanë dhe mungesë informacioni për situatën e krijuar së fundmi fajësojnë shtetin dhe politikën në përgjithësi që sipas tyre "grindet për interesat e veta e nuk i jep një zgjidhje këtij problemi". "Këtu një shi me ra, mbushen tokat me ujë se nuk funksionojnë kanale , e jo më kur lëshohen ujërat nga hidrocentrali.
U tha se do të hapej tek Viluni në Velipojë, por atje kanalin e kanë blloku mbeturinat e nuk kalon uji duke qëndruar këtu", thonë banorët e Mushanit. Në argjinaturë janë vendosur disa thasë në dy radhë, ndërsa vetëm pak metra kanal në anë të rrugës para nënstacionit elektrik në Shirq është thelluar.
Në fshatin Obot të komunës Ana e Malit, fshat ky që për shkak të kuotës së ulët përballet me përmbytje më të mëdha e më të gjata, uji ka rrethuar banesat dhe ka dëmtuar ato prodhime të mbjella. Rreth 200m rrugë që lidh Obotin me rrugën kryesore është e mbuluar nga uji dhe atje mund të kalohet vetëm me kamionë.
Sipas kryetarit të komunës Berdicë, Qamil Xhorreta, në këtë komunë janë 150 ha tokë e përmbytur, në 52 familje ka prezencë uji rreth banesave, nuk ka ujë brenda në asnjë shtepi, në fshatin Berdicë e Mesme ka 4 ha tokë me ujë.
Ajo që vërehet tek banorët e Nënshkodrës është mosbesimi tek ajo që dëgjojnë e tek shteti që për ta përbën tashmë një problem, si dhe pasiguria se këto situata të përsëritura do sjellin pasoja të paparashikuara.
Mësohet se gjatë paradites së djeshme ka nisur shpërndarja e dëmshpërblimit të dhënë nga shteti për familjet e përmbytura në janar të këtij viti, të cilët kanë filluar tërheqjen e parave pranë sporteleve të postës shqiptare.