Tri marrëveshje në Bruksel?
Shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanovic ka deklaruar se gjatë takimit në Bruksel, të shtunën, pret marrëveshje për lirinë e lëvizjes, librat amzë dhe ata kadastralë.
Stefanovic ka refuzuar të japë detaje, por ka theksuar se të ashtuquajturat pasaporta dhe tabela regjistrimi me stemën e Kosovës dhe me simbolin RKS nuk do të mund të përdoren në Serbi.
“Jemi të vetëdijshëm se do të ketë të pakënaqur, por bëhet fjalë për kompromis. Më mirë nuk ishte e mundur të bëhet. Esenca është se vetë ne kemi propozuar zgjidhje dhe i kemi harmonizuar me ndihmën e BE’së. Ato nuk janë të imponuara dhe në asnjë mënyrë nuk do të thotë se njihet pavarësia e Kosovës”, ka thënë Stefanovic.
Ai ka akuzuar edhe Edita Tahirin, duke thënë se shumica e gjërave që ajo i ka nxjerrë në opinion si zgjidhje të ardhshme, janë të pavërteta.
Stefanovic ka thënë se nuk do të nënshkruhen kurrfarë marrëveshjesh, por në bazë të ujdisë në Bruksel, Qeveria e Serbisë do të marrë vendimet që do të zbatohen.
I pyetur nëse arritja e marrëveshjes me Kosovën është pasojë e ultimatumeve lidhur me marrjen e statusit të kandidatit për Serbinë, Stefanovic ka theksuar se bëhet fjalë për dy procese, por se “gatishmëria për të gjetur zgjidhje kompromisi do të ndikojë në pozicionin e jashtëm politik të Serbisë“.
Rreth arritjes së marrëveshjeve me Serbinë, ka folur edhe Ilir Deda, këshilltar i Presidentes së Kosovës, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”. Edhe Deda ka përmendur mundësinë që me Beogradin të arrihen 3 marrëveshje.
“Tash kemi informata kontradiktore se sa marrëveshje janë arritur, a janë tri a po gjashtë. Por si po duket, ky korpusi i parë i të ashtuquajturave çështje praktike teknike është para përfundimit dhe presim t’i shohim se cilat janë këto çështje”, ka thënë Deda.
Zëdhënësja e Përfaqësueses së lartë të BE’së, Maja Kocijancic ka deklaruar për mediat serbe nuk mund të konfirmojë nëse marrëveshja është e sigurt.
“Ende asgjë nuk është e definuar. Për të shtunën, është planifikuar të punohet tërë ditën. Shpresojmë për marrëveshje dhe përshëndesim çdo marrëveshje të të dy palëve. Bëhet fjalë për dialogun për çështje të rëndomta jetësore dhe ai nuk ka lidhje me çështjen e njohjes së Kosovës”, ka thënë Kocijancic.
Mediat serbe, ndërkaq kanë cituat një zyrtar anonim të BE’së duke thënë se është optimist sa i përket rrethit të pestë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe pret që të arrihen rezultatet e para konkrete dhe marrëveshje ndërmjet dy palëve për disa nga gjashtë temat e hapura deri më tash.
“Presim rezultate dhe jam optimist se gjatë rrethit të nesërm të dialogut do të arrihen rezultate konkrete”, ka thënë zyrtari i BE’së
Sipas zyrtarëve në BE, marrëveshjet që do të arrihen nuk do të jenë në formë të “konkluzioneve” dhe nuk do të nënshkruhen. Por në çfarëdo rasti do të vendoset një mekanizëm mbikëqyrës për zbatimin e asaj që është arritur”.