E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri ministret femra: Realisht do të qeverisim me duar të pastra, pushteti i popullit

TIRANE - Tre ministret e ardhshme, Lindita Nikolla, Mirela Kumbaro e Milena Harito rrëfejnë për “Gazeta Shqiptare” si ju erdhi propozimi për përfshirjen në kabinetin e ri qeveritar dhe se cilat do të jenë prioritetet e punës së tyre. Lindita Nikolla, ish-kryetarja e Njësisë Minibashkiake Nr.1 në Tiranë e mori si vlerësim nga kryeministri Edi Rama emërimin e saj si Ministre e Arsimit dhe Sporteve. Ajo ka punuar për 15 vjet në fushën e mësimdhënies, ndaj shprehet në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se “arsimi është pjesë e dashurisë profesionale”.
Si ju erdhi propozimi nga kryeministri Edi Rama, për postin e Ministres së Arsimit dhe Sporteve?
Është një përgjegjësi e madhe dhe një angazhim tejet i fortë për të bërë të mundur programin për një Rilindje Shqiptare. E mora vlerësimin nga Edi Rama dhe nga i gjithë koalicioni për Shqipërinë Evropiane, por sigurisht me besimin dhe me vendosmërinë e plotë për të bërë të mundur që programi i Partisë Socialiste për Arsimin dhe programi i koalicionit për Shqipërinë Evropiane të jetë tashmë një realitet. Mendoj që përpos dijes, vendosmërisë dhe bindjes së thellë që ne mund të bëjmë të mundur një realitet të ri për arsimin shqiptar, sigurisht edhe për sportin shqiptar jam e vendosur që jo vetëm të mbajmë premtimet e programit mbi arsimin, sportin, shkencën në Shqipëri, por të ecim shpejt duke qenë çdo ditë me një devocion të plotë për sa i përket angazhimit për të qeverisur realisht me duar të pastra dhe për të bërë të mundur në mënyrë të plotë dhe të shpejtë që shkolla të largohet nga politika, shkolla të largohet nga korrupsioni dhe të jetë një qasje ajo që ka qenë për shkollën shqiptare, për arsimin shqiptar dhe ajo që realisht kërkon Shqipëria Evropiane, një shkollë cilësore, me besimin e madh të publikut që edukon jo vetëm profesionistët, por edukon të ardhmen e rinisë shqiptare që realisht shikon Evropën, jo thjesht si një ëndërr të bukur, por kërkon ta shohë Evropën me sjelljet dhe parimet e saj në Shqipërinë tonë të dashur. Unë mendoj që arsimi për mua është pjesë e dashurisë profesionale, sepse kam punuar për 15 vite si një mësimdhënëse e matematikës, drejtore e gjimnazit, por sigurisht me pasionin dhe bindjen e thellë të mendjes dhe të zemrës për të ndërtuar një punë në ekip dhe pa u lodhur për të bërë të mundur çdo premtim, çdo objektiv të programit tonë të arsimit.
E patët të vështirë të linit mandatin e deputetes?
Nuk është çështje e vështirësisë për të lënë mandatin e deputetes, sepse ende mandati nuk është lënë në kuptimin ligjor të tij, sepse ne nuk jemi ende në Parlament, por kjo tejkalon këto lloj dilemash, në kuptimin një mandat apo një tjetër, sepse është një besim, është një detyrë, realisht është një detyrë dhe unë besoj tek kryeministri, besoj tek i gjithë ekipi që përgjegjësitë janë tonat dhe pushteti është i të gjithë atyre njerëzve që votuan për koalicionin, që votuan për Partinë Socialiste dhe në këtë kuptim përballë këtij pushteti dhe këtij besimi të madh që na është dhënë përmes votës popullore, sigurisht që ajo që ne na mbetet është serioziteti dhe vendosmëria e madhe, por edhe puna, puna, puna e palodhur dhe për të folur pas marrjes së detyrës vetëm me vepra dhe me realizime objektivash.
MIRELA KUMBARO
Përkthyese, publiciste dhe pedagoge e njohur Mirela Kumbaro do të jetë ministrja e ardhshme e Kulturës. E pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, ajo nuk ka dashur të japë detaje mbi detyrën e re që i është besuar nga kryeministri i zgjedhur Edi Rama, pasi për këtë, sipas saj, ajo si fillim duhet ta marrë detyrën dhe të flasë përmes punës konkrete. Ndërkaq, pyetjes sonë, se kur i është propozuar posti i ministres, ajo tha: “Më është propozuar në kohën e përshtatshme, për të më lënë të mendohem nëse duhet ta pranoj ose jo”. Përkthyese e njohur, zonja Kumbaro është vlerësuar edhe me çmim për punën e saj. Në intervistat e dhëna më herët, ajo ka përmendur si moment kulmor në karrierën e saj, Luftën e Kosovës dhe Procesin e Milosheviçit, në të cilat ka asistuar si përkthyese dhe dëshmitare e padukshme.
MILENA HARITO
Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito e ka cilësuar “krenari” por edhe “të vështirë” detyrën që i është besuar nga kryeministri, Edi Rama. Me anë të një postimi në rrjetin social të “Facebook”-ut, ajo deklaroi pak orë pas shpalljes së kabinetit të ri qeveritar se “ndihem krenare për detyrën e lartë dhe të vështirë që më ka besuar kryeministri Rama si pjesë e qeverisë së re. Sfida të mëdha na presin dhe do t’i përballojmë vetëm të gjithë së bashku në bashkëpunim të përditshëm me grupin parlamentar. Faleminderit të gjithëve për urimet dhe mbështetjen”, - u shpreh Harito.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›