Tri opsione për Skerajn
Pas gjashtë muajve mos aktivizimi, Shqipran Skeraj, sipas të gjitha gjasave, do të angazhohet në ndonjë skuadër gjatë këtij afati kalimtar. Futbollisti kosovar është në bisedime me disa klube si nga: Gjermania, Suedia dhe Zvicra, andaj shumë shpejt pritet të kuptohet se cila do të jetë skuadra e tij e re.
Në fakt, mbrojtësi anësor është në negociata me ekipin nga Bundesliga 2 gjermane, Karlsruher, me skuadrën nga elita e futbollist suedez, Kalmar dhe me ekipin e Superligës së Zvicrës, Zurich. Po ashtu, edhe disa ekipe tjera nga Liga e tretë gjermane kanë shprehur interesim për t’i siguruar shërbimet e prizrenasit.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Skeraj për Express, i cili nuk e fshehu dëshirën e tij për të luajtur në Bundesliga 2 me Karlsruher.
“Menaxheri im është në bisedime me Karlsruher, dhe shpejt pritet të kuptohet se a do të nënshkruaj kontratë me këtë klub apo jo. Unë do të kisha shumë dëshirë të luaj aty, sepse trajner është Uwe Rapolder, të cilin e kam pasur trajner në TuS Koblenz. Atje pata kaluar shumë mirë me të dhe kam pasur besimin e tij, andaj me dëshirë do t’u nënshtrohesha sërish urdhrave të tij”, deklaroi Skeraj për Express.
Por, nëse nuk ia del të arrijë marrëveshje me këtë skuadër, ish futbollisti i Lirisë dhe Prishtinës pohon se mund t’i bashkohet Kalmarit apo Zurichut.
“Nëse nuk arrihet marrëveshja me Karlsruher do t’i shqyrtoj dy oferta që kam marrë nga Suedia dhe Zvicra. Në Suedi mund të transferohem te skuadra Kalmar, kurse në Zvicër mund të luaj për Zurich”, shtoi ish futbollisti i Greuther Furthit dhe TuS Koblenzit.
Por, Skeraj nuk ka ndonjë preferencë të veçantë kur bëhet fjalë për Kalmarin e Zurich.
“Unë do të nënshkruaj kontratë vetëm për gjashtë muaj, pavarësisht se me cilin ekip do ta bëjë një gjë të tillë. Andaj, nuk ka shumë rëndësi se për cilin ekip do të nënshkruaj. Të dyja këto oferta janë interesante për mua. Megjithatë, vendimi përfundimtar i imi do të jetë shumë i qëlluar”, përfundoi 25 vjeçari.
Nëse Skeraj transferohet në Kalmar, aty do t’i gjejë tre kosovarët: portierin Etrit Berisha dhe dy përforcimet e fundit të kësaj skuadre, Liridon Lecin e Alban Dragushën. Kurse, nëse vendos t’i bashkohet Zurichut, Skeraj aty do t’i gjejë tre shqiptarë: Admir Mehmedi, Adrian Nikçi dhe Dugagjin Dedaj.
Pas ndarjes me TuS Koblenzin në muajin qershor të vitit të kaluar, Skeraj nuk ia kishte dalë ta gjejë ndonjë skuadër tjetër, andaj ai akoma është futbollist i lirë.