E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me izen e Albertit

Klubet nga shtetet skandinave ia kanë mësyrë tregut kosovar të futbollistëve. Ekipet nga ato vende kanë marrëdhënie të mira me Albert Bunjakun, prej të cilit po marrin informacione për lojtarë nga Kosova. Rasti i fundit është ai i Kalmarit, i cili me ‘izen’ e selektorit kosovar u përforcua me Alban Dragushën e Liridon Lecin. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 09 janar 2011 në ora 13:13

Kohëve të fundit klubet skandinave e kanë kthyer kokën kah tregu kosovar, nga i cili po i shqyrtojnë mundësitë për t’u përforcuar me futbollistë. Rasti i fundit është ai i ekipit nga elita e futbollit suedez Kalmar, i cili para pak ditëve u përforcua me dyshen kosovare; Alban Dragusha e Liridon Leci.

Zyrtarët e këtij klubi kishin vendosur të përforcohen me këta dy futbollistë, pasi kishin marrë edhe ‘izen’ nga selektori i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, i cili vite më parë ka qenë pjesë e shtabit teknik të kësaj skuadre. Këtë e kanë bërë të ditur zyrtarët e Kalmarit, por edhe vetë Bunjaku.

Por, përveç Kalmarit, përzgjedhësi kosovar ka marrëdhënie të mira edhe me shumë klube tjera nga shtetet skandinave dhe më gjerë.

Madje, klube të tilla po e shfrytëzojnë Bunjakun si burim të informacioneve për futbollistë jo vetëm kosovarë, por edhe për lojtarë nga Shqipëria, me të cilët mendojnë të përforcohen.

“Zyrtarët e Kalmarit më kanë pyetur për Dragushën e Lecin, krahas asaj që edhe skautët e tyre i kanë vëzhguar direkt. Kur jam pyetur, unë u kam treguar drejt dhe realitetin për ata dy lojtarë, të cilët tashmë kanë nënshkruar kontrata me Kalmarin”, deklaroi Bunjaku për Express.

Bunjaku tregoi se edhe nga shumë klube tjera prej shteteve skandinave, por edhe nga vende tjera, është duke u pyetur për lojtarë tjerë kosovarë.

Në këtë mënyrë, ai paralajmëroi se deri në fund të afatit kalimtar të dimrit, i cili mbyllet më 31 janar, mund të ngjajnë edhe transferime tjera të lojtarëve kosovarë nëpër klube të atilla.

“Afati kalimtar akoma është i hapur dhe tani hyjmë në fazën kur nëpër klube bëhen ato ndryshimet e mëdha, dhe sigurisht se mund të ketë edhe transferime tjera, përveç Dragushës e Lecit. Sigurisht se jam duke u pyetur nga klubet edhe për lojtarë tjerë”, tha ai.

Bunjaku nuk i tregoi emrat e lojtarëve për të cilët po pyetet, por tha se interesimi i atyre klubeve më i madh është për lojtarët e përfaqësueses kosovare.

Seleksionuesi kosovar tregoi edhe dy arsyet kryesore që klubet e atilla e kanë kthyer kokën kah tregu kosovar i futbollistëve. “Më parë atje kanë luajtur disa kosovarë, si: Xhevdet Llumnica, Etrit Berisha, Anel Raskaj, Shpëtim Hasani, etj. Shumica nga ta kanë treguar kualitete, të cilat i kanë shtyrë klubet të shikojnë të gjejnë edhe lojtarë tjerë të atillë cilësorë në Kosovë. Kjo është arsyeja kryesore”, pohoi Bunjaku, i cili theksoi se interesimi i klubeve të tilla për lojtarët kosovarë është shtuar dukshëm, sidomos pas disa ndeshjeve miqësore që reprezentacioni i Kosovës i ka zhvilluar më parë me ekipe suedeze e zvicerane.

Kurse arsyeja e dytë, sipas tij, është se tregu kosovar i futbollistëve është më i favorshëm në aspektin financiar për dallim prej shumë vendeve tjera.

Ndërkohë, Bunjaku ndihet krenar që i ka ardhur mundësia për t’i ndihmuar futbollistët kosovarë që të depërtojnë në liga më të forta, pas shumë e shumë vitesh të izoluar.

“Para se të emërohesha selektor, gjithmonë jam munduar të kontribuoj në avancimin e futbollit kosovar. Tani si selektor jam shumë, shumë më i kyçur në futbollin kosovar, sepse i njoh rrethanat, i njoh trajnerët e klubeve, lojtarët, zyrtarët e Federatës dhe ata të klubeve, dhe në këtë mënyrë e kam shumë më lehtë të kontribuoj ende më shumë”, shtoi Bunjaku.

Ai beson se ky kontribut i tij një ditë do t’i shërbejë personalisht edhe atij si selektor i reprezentacionit kosovar.

“Unë i ndihmoj futbollistët kosovarë të aktivizohen nëpër klube sa më të forta dhe kjo e mirë e imja një ditë do të më shërbejë edhe mua si selektor, sepse do të kem mjaft lojtarë kualitativë në dispozicion për ta krijuar një përfaqësuese të fortë shtetërore, e cila edhe sot e ka një bazë mjaft të mirë”, përfundoi Bunjaku.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›