Fiorentina, 1 milion euro rrogë Behramit

Transferimi i Valon Behramit në Romë pothuajse është punë e kryer. Sipas mediave italiane, futbollisti kosovar pritet të arrijë të dielën në Firenze për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore dhe më pas për ta nënshkruar kontratën me klubin Viola.
Ueb faqja italiane firenzeviola.it sjell edhe detajet e këtij transferimi, i cili thuhet se është kryer përmes faksit. Kështu Fiorentina ia ka dalë ta sigurojë kartonin e futbollistit për 4 milionë euro, karshi 7 sa i kërkonte fillimisht West Ham United.
Ndërkaq, 25 vjeçari do të nënshkruajë kontratë për tri vjet e gjysmë dhe do të paguhet 1 milion euro në vit, një shumë kjo më e vogël në krahasim me atë që merrte te klubi ‘Hammers’. Kështu, Behrami do të rikthehet në kampionatin italian pas dy vjetësh e gjysmë. Ai ishte pjesë e Lazios, para se të transferohej në West Ham në verën e vitit 2008.