E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri vatra aktive dhe katër në monitorim, situata problematike në Dajt-Qafë Priskë

TIRANË, 3 shtator /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi sot se gjatë 24 orëve të fundit deri në orën 09:00 janë raportuar 27 vatra, prej të cilave 3 mbeten aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 3 janë shuar plotësisht.

Sipas MM- së në operacionet e shuarjes janë angazhuar gjithsej 292 forca operacionale dhe 26 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 80 efektivë dhe 3 helikopterë.

Vatrat kryesore aktive janë të përqendruara në qarkun Dibër: në Vajkal, Bulqizë, ku zjarri ka përshkuar mbi 18 ha dhe sot vijon ndërhyrja me MZSH, forca bashkiake dhe 30 efektivë të FA; në Lundre, Mat, ku zjarri vijon në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe operacioni mbështetet gjithashtu nga 30 forca të FA; si dhe në Mallunxë, Mat, ku riaktivizimi i zjarrit nga era e fortë e ka orientuar atë drejt fshatrave Mallunxë dhe Lis.

Në Dajt–Qafë Priskë situata vijon të jetë problematike, por pa rrezik për zonat e banuara; sot operacioni vazhdon me mbështetjen e 30 forcave të FA.

Nën mbikëqyrje janë gjithashtu vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit–Prrenjas dhe Iballë–Fushë-Arrëz, ku kjo e fundit ndodhet në terren shumë të vështirë dhe gjatë ditës së djeshme u ndërhy edhe me helikopter të FA.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe mjedisit.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›