Trichet: "Vendet e BE të reduktojnë deficitin brenda vitit 2011"
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Jean-Claude Trichet, ka rrëfyer për të përjavshmen gjermane "Bild am Sonntag" se bankat duhet të ofrojnë kreditim të mjaftueshëm dhe se qeveritë e vendeve të zonës Euro duhet të reduktojnë deficitin buxhetor për të mbështetur zhvillim ekonomik global në vitin 2010.
Trichet shtoi se për të dalë nga kriza financiare është e nevojshme një përpjekje e përqendruar për të përballuar problemin e papunësisë. "Bankat duhet të luajnë rolin e tyre thelbësor për t‘i ofruar kreditim ekonomisë. Të përballosh pasojat e krizës për tregun e punës dhe financat publike është një sfidë më shumë. Deficitet e bilanceve në zonën Euro duhet të shkurtohen maksimumi brenda vitit 2011, madje në disa vende kjo duhet të ndodhë që në vitin 2010", tha kreu i BCE-së. "Në Europë dhe në botë, duhet të mësojnë nga kriza financiare për ta bërë sistemin financiar më rezistent", tha ai. Trichet siguroi se Banka Qendrore Europiane do të vazhdojë të garantojë stabilitetin e çmimeve duke përmbushur kështu detyrën e saj kryesore. Greqia që bashkë me 15 vende të tjera të Bashkimit Europian, mes të cilave Gjermania, është pjesë e zonës Euro, është sanksionuar nga agjencitë e vlerësimit të kreditit për sasinë e madhe të deficitit të saj buxhetor dhe për debitin e saj. Gjendja e saj e rënduar financiare, më e keqja në këto 30 vitet e fundit tronditi tregjet aksioneve europiane në mes të dhjetorit. Athina, kohët e fundit ka dyfishuar parashikimet zyrtare të deficitit që tashmë vlerësohet rreth 12.7 për qind të GDP-së. Po ashtu, shumë vende të tjera e kanë parë deficitin e tyre të rritej me krizën ekonomike. Edhe Berlinit i duhet të prezantojë në muajin korrik, masat e marra për të reduktuar deficitin duke nisur nga viti 2011.