Kryeministri Wen: "Të gjithë jemi krenarë për rritjen ekonomike të vendit"
Viti që po lëmë pas, 2009-a, ka qenë një vit i mrekullueshëm dhe kinezët duhet të jenë krenarë për rritjen ekonomike që vendi ka arritur. Kjo ka qenë deklarata e Kryeministrit Wen Jiabao, në një
intervistë ekskluzive dhënë agjencisë kombëtare "Xinhua", edhe pse pranon se ekonomia duhej të rritej akoma më shumë nëse "aktivitetet tona kreditore do të kishin qenë më të balancuara, të strukturuara më mirë dhe jo kështu në një shkallë të gjerë". Sipas të dhënave industriale, prodhueshmëria industriale e muajit nëntor, që mat aktivitetin e më shumë se 430 mijë ndërmarrjesh me një xhiro vjetore prej më shumë se 5 milionë juan (732 mijë dollari), është rritur me 19,2%, një rezultat shumë herë më i mirë se ai që pritej. Në 11 muajt e parë të vitit treguesi i rritjes është 10.3 për qind. "Kriza financiare nuk është kaluar akoma, por puna jonë tregon se masat e marra kanë qenë efikase. Kinezët duhet të jenë krenarë", deklaroi Wen, duke mbrojtur kështu paketën e masave stimuluese të prezantuara nëntorin e vitit të kaluar, me një plan investimesh prej 585,6 miliardë dollarësh. Ndërkaq, Kryeministri kinez foli edhe për çështjen e ndryshimeve klimaterike dhe Samitin e Klimës në Kopenhagë. Ai pranoi se të gjitha vendet e botës duhet të bashkohen për ta përballuar së bashku këtë problem. Ai tha se "Konventa e OKB-së dhe Protokolli i Kyotos, vendosin se vendet e zhvilluara duhet të reduktojnë emetimet me 40 për qind brenda vitit 2020 dhe se duhet të ofrojnë ndihmë financiare për vendet në zhvillim për të përballuar këto ndryshime". Më tej Wen shtoi se Kina në këto vite është zhvilluar, pavarësisht se sasia e konsumit elektrik për person përfaqëson nga 1/3 në 1/6 të atyre të vendeve të zhvilluara. Ajo sot ka një numër shumë herë më të ulët makinash për një mijë persona në krahasim me vendet e zhvilluara. "Kina nuk do të përshkojë më rrugën e vjetër. Ajo do të bazohet vetëm te zhvillimi i saj", përfundoi ai.