E Diel, 1 Nëntor 2026

Trishtimi i Medihasë, e lindur në Kopshtin Botanik, ka 41 vjet që punon atje

Mediha Shima

 Emanuela Sako

Shtëpia ku ajo ka lindur ndodhej aty ku u ndërtua Kopshti Botanik. Dhe si për rastësi të fatit, ajo nisi punë po në Kopshtin Botanik, kur ai u hap në 1971. Dhe vijon të punojë aty prej 41 vitesh.

Historia e Mediha Shimës sot afër të 60-ve është një histori jete e lidhur me Kopshtin Botanik të Tiranës. Shtëpia ku ajo ka lindur ndodhej aty ku është sot Kopshti Botanik, por në vitin 1968 kur nisën punimet për ndërtimin e tij, familja e saj u shpërngul nga shteti në një pallat pranë lagjesAli Demi.

Tre vjet më vonë, Kopshti Botanik nisi nga puna dhe një nga punonjëset e para ishte Mediha Shima. E gjejmë edhe sot në 2012, po aty.

 

U linda në këtë tokë dhe u ktheva

Mediha Shima punon prej plot 41 vitesh në Kopshtin Botani. Kur flet dhe prek lulet, të duket sikur prek ndonjë fëmijë. U linda në këtë tokë dhe u ktheva më pas si punëtore në tetor 1971. Fillova punë nga të parat, madje disa muaj para se të bëhej përurimi i Kopshtit Botanik.

Sot është aq shumë e dhënë pas atyre bimëve saqë di ku ka qenë dhe ku është secila prej tyre dhe u njeh çdo kapriço. Nuk ndahet as ditët e pushimit. Vij i ujis edhe të shtunave dhe të dielave, sidomos po bëri kohë e thatë,- thotë Medihaja.

 

Ia morën hapësirën, ia shkelin lulet

Cungimi që i është bërë kohët e fundit hapësirës së Kopshtit Botanik e ka trishtuar. Duhet të kishte më tepër hapësirë dhe jo ta ngushtoni. Të paktën mirë që mbrojtëm pjesën tjetër se donin që të na i merrnin edhe më tepër. Imagjino se çmund të ndodhte me lulet e mia. Nuk është gjynah kjo sera me lule të rralla që na kanë ardhur nga vendet e ngrohta? Kam 21 vjet që kujdesem për të, – thotë me keqardhje 57-vjeçarja.

Trishtimi tjetër i vjen nga mbipopullimi i Kopshtit me vizitorë. Më parë kopshti vizitohej vetëm nga ata që merreshim me kërkime (studentët dhe botanistët). Sot kopshti është i hapur për vizitorët, dasmat, fotografët, etj të cilët shpeshherë prishin bimësinë e tij. Vijnë dhe këpusin lulet. Nuk shohin fare se ku shkelin,- zemërohet Medihaja.

 

Vitet e arta 80 kur vinin lulet e rralla

Ka nostalgji për fillim- vitet 80 dhe fund vitet 90. Ishte kulmi i lulëzimit dhe i përkushtimit për bimësinë e Kopshtit. Për Medihanë ishin vite të arta. E mbushën Kopshtin, sillnin lule nga kopshtet e botës, lulet më të rralla thotë ajo, duke shtuar që përkujdesi i asaj kohe ishte maksimal nga punonjësit dhe nga Universiteti i Shkencave të Natyrës.

Në atë kohë ishin në dispozicion dy makina për të kryer ekspeditat në rrethe për kërkimin e bimëve të reja. Ndërsa i gjenin në vende të ndryshme të vendit, në terrene të vështira apo të largëta, i mbillnin dhe i trajtonin me dashuri. Ndërsa pas viteve 90 Kopshtin e lanë pas dore. Pasurimi dhe kërkimi nëpër terrene të ndryshme nuk bëhet. Keqardhja e Medihasë është e madhe.

E preferuar? Të them kush do ngrohtësi

E pyesim se cila është lulja më e preferuar. E pamundur të marrësh përgjigje. Ato janë njëlloj për mua, i kam si njerëzit e shtëpisë, nuk bëj dot diferencime.  Por, ajo di të na thotë se cila bimë dëshiron të rrijë më ngrohtë. Dhe që ajo ia plotëson dëshirën. Bima që do të rrijë më ngrohtë është një lloj palme e veçantë, kaktusi dhe disa lloje gjembaçësh që kemi këtu,- shprehet ajo.

Në dorën e Medihasë të gjitha bimët duken të sigurta, edhe pse financimet burokratike mungojnë. Dhe Medihaja na qetëson. Edhe kur të mbushë moshën e pensionit, pas tri vitesh, ajo do ti vizitojë përsëri lulet dhe do të kujdeset për to. Vullnetarisht do ta bëj thotë duke na përcjellë.

 

 1400 lloje bimësh

Kopshti Botanik i Tiranës është themeluar në vitin 1971, mbështetur në parimet fito-gjeografike dhe sistematike. Ai shtrihet në shpatet kodrinore jugore të Tiranës. Vlerësohet si njësi shërbimi universitar në varësi të drejtpërdrejtë nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Ai është institucioni i vetëm në Shqipëri me karakter kërkimor, kulturor dhe edukues. Aktiviteti shkencor është përqendruar kryesisht në studimin e florës dhe bimësisë së Shqipërisë, veçanërisht llojeve të kërcënuara, të rralla dhe rritjen e tyre brenda kësaj hapësire.

Aty gjejnë strehë rreth 1400 lloje dhe nënlloje bimore, gati një e treta e florës së Shqipërisë. Kopshti Botanik ka luajtur rolin e një laboratori për nxënësit e shkollave dhe studentët, si dhe për shumë dashamirës të florës shqiptare. Është ideuar si mjedis mësimor për studentët e drejtimeve biologjike të FSHN-së (UT), për studentët e Gjeografisë (UT), të Pylltarisë (Universiteti Bujqësor i Tiranës), si dhe për studentët e Biologjisë së universiteteve të Shkodrës, Elbasanit dhe Gjirokastrës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›