E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritan Shehu: Amatorizëm dhe konfuzion i plotë nga vizita e Ramës në Turqi

04-08-2013 / Gazeta 55

Deputeti demokrat: Rama dhe kabineti i tij, lajka të pështirosura dhe servilizma infantile ndaj të tjerëve

“Amatorizëm dhe konfuzion i plotë në kampin e majtë, përsa i takon politikës së jashtme. Vizita në Turqi e Z. Rama po pasohet nga deklarata kontradiktore, njoftime që dalin e zhduken në Facebook-ët e tyre apo në gazetën Shekulli”. Kështu shprehet në profilin e tij në Facebook, deputeti i PD, Tritan Shehu duke komentuar vizitën e Edi Ramës në Turqi dhe takimet e tij atje me kryeministrin turk, Erdogan. Ai thotë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe të tilla do të vazhdojnë të jenë, por janë të papranueshme lajkat e pështirosura dhe servilizmat infantile të demonstruara gjatë kësaj vizite. “Së pari unë dëshiroj ta përshëndes atë vizitë, në një vend mik e shumë të rëndësishëm për ne e për rajonin në tërësi. Marrëdhëniet tona me Turqinë janë të shkëlqyera prej shumë vitesh, e do të ngelin të tilla dhe në të ardhmen. Kjo është tashmë një traditë e konsoliduar. Por, nuk ka pse të spekulohet me këtë fakt, e as pse të bëhen lajka të pështirosura. Sot në mëngjes është shkruar në zëdhënësen e Z. Rama, gazetën Shekulli qartësisht: “Qeveria e re vendos që partneri ynë kryesor do jetë Turqia”, shkrim që më tej u zhduk. Në Facebook u shkrua se "Turqia është partneri strategjik i ynë", dhe më vonë u transformua në formulën e përgjithshme: "Turqia partner strategjik". Duhet të jemi seriozë e të mos konfondojmë terminologji shumë të rëndësishme diplomatike! Të tilla veprime amatoreske, fëmijërore, nuk i kanë hije politikës së jashtme të një shteti serioz. Këto janë elemente të mirë përcaktuar prej vitesh, të palëkundshme”- shkruan ai.
Tritan Shehu thekson se “në nivelin e përgjithshëm të politikave globale, për rajonin e shumë më tej partneri ynë madhor janë ShBA”. “Nga ana tjetër, partneri ynë strategjik kryesor, porta jonë e integrimit europian, aleati ynë i madh historik, donatori kryesor publik për ne, është Italia. Askush nuk mund ta zëvendësojë rolin e saj në zhvillimin tonë ekonomik, social, politik, në ecurinë tonë drejt perëndimit. Këtë duhet ta themi me zë të lartë, hapur e qartë, pa tentuar të bëjmë servilizma infantile ndaj të tjerëve, qofshin këta dhe miq të rëndësishëm për ne. Po kështu, Greqia përbën një partner tjetër shumë të rëndësishëm strategjik, që ka sot peshën kryesore në investimet private në Shqipëri. Për ne është një avantazh i madh, që dy nga fqinjët tanë, Italia e Greqia, janë anëtare të BE e NATO-s. Miqësitë apo rëndësia e këtyre vendeve për ne, nuk i bëjnë hije aspak marrëdhënieve tona shumë të rëndësishme me Turqinë mike. Gjithsecili ka vendin e tij. Lodrat e lajkat fëminore të bëjnë veçse të pabesueshëm tek të gjithë”- mbyll komentin e tij, deputeti i PD, Tritan Shehu.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›