E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata nga zjarret, vazhdon angazhimi i forcave operacionale nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme

28-08-2012 / Gazeta 55

33 vatra aktive zjarresh në të gjithë territorin- në ndihmë për shuarjen e zjarreve edhe helikopteri i ardhur nga Turqia
 
Vazhdon angazhimi i forcave operacionale nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, për shuarjen e zjarreve në zonat ku vazhdojnë të jenë aktive. Dje, helikopteri i vënë në dispozicion nga Republika Turke, operoi në lartësinë e Priksës dhe më pas, gjatë gjithë ditës rrethin e Korçës, në zonën e Voskopojës dhe Parkut Kombëtar të Bozodovecit. U kryen 5 hedhje uji në lartësinë e Priskës, 5 në pyllin e Voskopojës dhe 33 mbi parkun e Bozdovecit, duke kryer kështu 43 operacione në total. Gjithashtu, Ministria e Brendshme bën me dije se, gjatë ditës së sotme do të vijojnë operacionet bazuar në planin operacional të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, të miratuar nga Ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Ndërkohë që në vatrat e tjera të zjarrit kanë operuar pa pushim forcat e PMNZSH-së, Forcave të Armatosura dhe Shërbimit Pyjor, me mjete zjarrfikëse dhe mjete të rënda.  
Bazuar në informacionet e grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile nga specialistët e Emergjencave Civile në Institucionin e Prefektëve, Stacionet e PMNZSH-së në rrethe, drejtuesit dhe përfaqësuesit e njësive të Qeverisjes Vendore, nga strukturat e Shërbimit Pyjor, si dhe nga pika të tjera kontakti në nivel qendror dhe vendor, situata ka qenë më e rëndë në qarkun e Shkodrës, Kukësit dhe Dibrës. Ndërkaq, në të gjithë territorin e vendit mbeten 33 vatra aktive zjarresh. 

Qarku Dibër: 4 vatra aktive. Në Parkun Kombëtar të Lurës, zjarri vijon me intensitet të ulët. Në ekonominë pyjore Kacni, zjarri vazhdon më intesitet mesatar. Në Qafë-Murrë zjarri është aktiv. Në ekonominë pyjore Derjan, zjarri ka përshkruar 150 ha kullotë, por nuk ka prekur pyjet me pisha, ndërkohë që në komunën Macukull, në vendin e quajtur Shquti i Cukës, zjarri i rënë në pyllin e përzier vazhdon me intensitet mesatar.

Qarku Elbasan: Ka 1 vatër zjarri aktive, në rrethin e Librazhdit, ku vazhdon zjarri në fshatin Letëm, në komunën e Lunikut.

Qarku Kukës: 6 vatra aktive. Vatra e zjarrit në Qafë Komi është drejt izolimit të plotë, ndërsa ajo në ekonominë pyjore Surroj është nën kontroll. Vatra e zjarrit në fshatin Bardhoc, komuna Tërthore është mjaft aktive dhe po punojnë intesivisht 25 forca të PMNZSH-së dhe komunitetit për shuarjen e tij. Në rrethin e Tropojës, vatrat e zjarrit në komunën Fierzë, fshati Kojen e Geg-Hysenit, komunën Bytyç, komunën Lekbibaj, zona Nikaj-Mërtur, mbeten zjarre problematikë.

Qarku Korçë: Ka 3 vatra aktive. Vatrat në Parkun Kombëtar të Bozdovecit, në komunën e  Voskopojës dhe në fshatin Floq zjarret vazhdojnë të jenë aktivë.

Qarku Lezhë: Ka 3 vatra aktive zjarri. Vatrat që vazhdojnë në komunën Selitë, rrethin Mirditë, në komunën Hungrei, rrethi Lezhë, si edhe në vendin e quajtur Fusha e Lugjeve, komuna Kthellë, mbeten vatra shqetësuese.

Qarku Shkodër: Ka 11 vatra aktive. Në rrethin Shkodër janë aktive 2 vatra zjarri në komunat Shalë, Pult. Në rrethin Malësi e Madhe, aktualisht janë 5 vatra zjarri dhe konkretisht në komunat: Kelmend, Kastrat dhe Shkrel.
Në rrethin Pukë 4 vatrat aktive janë në malin e Krabit, në Mide, 2 vatra; në komunën Qaf Mali, fshati Orosh; në komunën Qelëz, fshati Millë.

Qarku Tiranë: 2 vatra aktive, ajo në Qafë Priskë, ku përveç ndërhyrjes nga ajri vazhdojnë operacionet 40 efektivë  të Shërbimit pyjor dhe 45 efektivë të FA-ve. Zjarri në Krrabë është izoluar dhe forcat e Shërbimit pyjore dhe komunitetit po punojnë për shuarjen e plotë.

Qarku Vlorë: 2 vatra zjarri aktive. Gjatë ditës së sotme pati një riaktivizim të zjarrit në kullotë, në fshatin Dukat, komuna Tragjas, ku vijon puna për shuarjen më  mjet zjarrfikës,  forca zjarrfikëse, forca të komunitetit dhe të Shërbimit pyjor. Rreth mesditës, së sotme në Borsh  (Sarandë), zjarri i rënë rrezikoi djegien e disa banesave, por ndërhyrja në kohë me 3 mjete zjarrfikëse dhe efektivët, shmangu rrezikun. Aktualisht vijon puna për shuarjen e plotë të tij.

Qarku Durrës: Ka 1 vatër aktive në rrethin e Krujës, në Qafë Shtamë.

Qarku Gjirokastër: Në aksin Tepelenë-Memaliaj, një zjarri i vënë në pyll me pisha, u shua krejtësisht.

Qarku Berat: Nuk ka vatra zjarri aktive.

Qarku Fier: Nuk ka vatra zjarri aktive.

Qarku Berat: Nuk ka vatra zjarri.

Qarku Fier: Nuk ka vatra zjarri.

Vihen nën kontroll zjarret në masivin pyjor të Voskopojës – vatra aktive në fshatin Dardhë dhe Parkun e Bozdovecit

Policia e Korçës, dy të arrestuar për zjarrvënie të qëllimshme

Falë ndërhyrjes nga ajri të helikopterit të ardhur nga Turqia, u bë i mundur neutralizimi i zjarreve në masivin pyjor të Voskopojës. Operacionet për shuarjen e tyre në qarkun e Korçës filluan dje gjatë mesditës dhe do të vazhdojnë përgjatë gjithë kohës derisa të shuhet çdo vatër zjarri në këtë zonë. Drejtuesit vendorë thonë se operacionet nga ajri po ndihmohen dhe nga forcat e terrenit, ndaj situata ka ndryshuar. Por megjithatë ende mbetet kritike gjendja në parkun kombëtar të Bozdovecit ku flakët e zjarrit kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të masivit pyjor me pisha dhe bredha. Për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë flaket kane prekur një sipërfaqe prej me shume se 50 hektarësh. Drejtuesit e shërbimit pyjor thonë se intensiteti i flakëve vijon të mbetet i lartë dukë vënë në rrezik edhe përhapjen e tyre në parkun kombëtar të Dardhës. E vetmja zgjidhje për të vënë nën kontroll situatën mbetet ndërhyrja nga ajri. Ndërkohë policia e Korçës ka arrestuar dy vëllezër që akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme në masivin pyjor të Voskopojës.

Drejtori i shërbimit zjarrfikës të Tiranës, Haki Hoxha: Gjatë gushtit ka patur 145 ndërhyrje nga ana e zjarrfikësve

Vatrat e zjarrit të shfaqura javën e fundit kanë qenë të rrezikshme për jetën e banorëve por edhe për jetën e punonjësve të zjarrfikësve, ushtrisë e emergjencave civile. Drejtori i shërbimit zjarrfikës të Tiranës Haki Hoxha shprehet se këtë muaj ka patur një dinamikë të madhe të vatrave të zjarrit dhe deri tani është përballuar me sukses.
Hoxha thekson se janë shtuar zjarret në pyje kullota e fshatra ndërkohë që janë pakësuar zjarret në qytete. Vetëm gjatë muajit gusht ka patur 145 ndërhyrje nga ana e zjarrfikësve të Tiranës në lokalizimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit të shfaqur.
Sipas Hoxhës të gjitha vatrat e zjarrit të shfaqura deri tani kanë qenë vëna qëllimisht nga grupe dhe qarqe të caktuara.
Ndërkohë kreu i zjarrfikësve të kryeqytetit i bën apel qytetarëve që të mos i vënë zjarrin pyjeve e kullotave pasi do të përballen me ashpërsinë e ligjit.

Përmirësohet situata në Dajt dhe Kërrabë

Vatrat e zjarrit në Dajt dhe në Kërrabë vazhdojnë të jenë aktive, por situata e tyre duket të jetë përmirësuar nga ndërhyrjet e helikopterit nga ajri, sidomos në fshatin Priskë. Situata e zjarrit në Dajt vazhdon të jetë nën kontroll nga shërbimi i pyjor dhe zjarrfikësit, por edhe subjekte private të cilat kanë ofruar ndihmën e tyre. Në ndihmë të punonjësve të shërbimit pyjor kanë shkuar dhe rreth 60 forca të ushtrisë, të cilët po bëjnë të mundur izolimin e kësaj vatre të zjarrit. Sipas informacioneve aktualisht nuk po digjen drurët e mëdhenj, por vetëm shkurret dhe bari. Ndërkohë në zonën e Kërrabës janë izoluar vatrat e zjarrit, ndërsa në vendngjarje janë 4 zjarrfikëse në gatishmëri. Në Kërrabë në ndihmë kanë ardhur edhe punonjësit e firmës që po ndërtojnë tunelin në rrugën e Elbasanit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›