E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deri në 2012 do të menaxhojmë rreth 20 mijë vendparkime

Ndërhyrja
Bashkia e Tiranës parashikon zbatimin e projektit që do të studiojë “zonat e lira” në kryeqytet

Mungesa e vendeve për të parkuar makinën është shndërruar thuajse në një makth të vërtetë për drejtuesit e automjeteve në kryeqytet. Po kështu edhe “rrota e kuqe” e gjobave të Bashkisë së Tiranës, e cila vetëm kohët e fundit duket sikur ka dalë nga qarkullimi. Megjithatë, drejtuesit e bashkisë më të madhe në vend ngjajnë optimistë lidhur me menaxhimin e vendeve të parkimit në metropolin e rrëmujshëm Tiranë. Kështu, në buxhetin afatmesëm të 2010-2012, mes të tjerash është parashikuar të aplikohet edhe një projekt me anë të së cilit do të kontrollohen hapësirat e parkimit në qytet dhe si rrjedhim do të arrihet që të menaxhohen rreth 17584 vendparkime.
“Parkimi i kontrolluar në hapësirat rrugore në qytetin e Tiranës konsiston në përmirësimin e menaxhimit të trafikut kryeqytetas dhe ofrimin e një infrastrukture, sipas standardeve bashkëkohore, në të gjithë komponentët e saj, me qëllim që të mundësojë akomodimin e kërkesës për parkim dhe lehtësimin e lëvizjes në qytetin e Tiranës, në kuadër të një transporti të qëndrueshëm”. është ky synimi i drejtuesve të Bashkisë së Tiranës lidhur me arritjen e objektivave të programit afatmesëm të zhvillimit të metropolit shqiptar.
Sipas tyre, parkimi i kontrolluar në hapësirat rrugore të Tiranës është një projekt që parashikon një sistem të dhënash mbi hapësirat e parkimit në rrugë, brenda unazës së mesme dhe disa shtrirje të saj, ku përfshihen emërtimi i rrugës, gjatësia e aksit rrugor, kategoria e rrugës dhe numri i parkimeve. Po kështu do të studiohet ndarja zonale sipas një kufiri natyral, ku parashikohen dhe parkimet e kontrolluara rezidenciale. Do të kryhet zonifikimi i nivelit tarifor, ditët, orët vepruese dhe kohëzgjatja e qëndrimit. Dhe natyrisht nuk do të mungojë as një analizë e kostos financiare. “Ky projekt, shpjegojnë përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, ka si objektiva finalë rregullimin e situatës kaotike të parkimit, lehtësimin e gjetjes së vendeve të lira për parkim, si pasojë e vendosjes së tarifave, lehtësimin e situatës në rrugë etj”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›