E Shtunë, 31 Tetor 2026

Triumfi pirrik i mbretit qymyr

Bruksel – Nganjëherë lajmi më i rëndësishëm është ajo çfarë nuk po ndodh. Kjo verë na ka dhënë një rast të tillë: ligji për ndryshimin klimatik, për të cilin presidenti Barack Obama ka punuar me mish e me shpirt, madje nuk do të jetë i pranishëm në Senat, meqë dihet se nuk shans të miratohet.
Kjo do të thotë se është shkruar që SHBA-ja të përsërisë “përvojën e saj të Kyotos”. Njëzet vjet më herët, më 1990, SHBA-ja mori pjesë në bisedimet fillestare që kishin për qëllim arritjen e një marrëveshjeje botërore për reduktimin e emetimeve të dyoksidit të karbonit. Atëbotë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ishin emetuesit më të mëdhenj, dhe ishte larg mendsh të pritje se ekonomitë në shpërthim të botës merrnin ndonjë zotim. Me kalimin e kohës u pa se SHBA-ja do të duhej të kapërcente çështjen e zotimit, meqë dihej mirëfilli se Senati nuk do ta miratonte atë marrëveshje. Evropa rroku bajrakun në duar, duke prezantuar shtegun dalës nëpërmjet krijimit të Sistemit Tregtar Evropian të Emetimit, me shpresë se do t’i printe kësaj kauze.
Pa një pako amerikane të ndryshimit klimatik, premtimet e bëra nga administrata amerikane para vetëm shtatë muajsh në Samitin e Kopenhagës, nuk kanë asnjë vlerë. Edhe strategjia evropiane është shndërruar në një letër të leckosur – dhe jo vetëm në frontin transatlantik.
Zotimi i Kinës për rritur efikasitetin e dyoksidit të karbonit të ekonomisë së saj për 3 për qind në vit nuk jep asnjë shpresë, meqë vlera e bruto prodhimit të brendshëm vjetor arrin deri në dhjetë për qind që do të thotë se shkalla e emetimit të dyoksidit të karbonit gjatë dekadës së ardhshme, jo që do të rritet, por do të fluturojë. Kjo do të thotë se gjatë dekadës pasuese niveli i emetimeve të ekonomisë kineze do të trefishojë nivelin evropian dhe mbase do të kalojë nivelin e kombinuar evropian dhe amerikan. Premtimet e dhëna nga ekonomitë e mëdha, sikurse u bënë në Protokollin e Kyotos, më nuk pinë ujë.
Pse dështuan përpjekjet që t’iu vihej një çmim emetimit botëror të karbonit? Përgjigjja mund të jepet me një fjalë të vetme: “qymyri” – ose më mirë të thuhet se qymyri është lirë dhe gjendet me bollëk.
Djegia e hidrokarboneve (gazit natyral dhe benzenit) prodhon ujë dhe dyoksid karboni. Në kontrast me këtë, djegia e thëngjillit prodhon vetëm dyoksid karboni. Me fjalë të tjera, krahasuar me gazin natyror dhe naftën e parafinuar, thëngjilli është më i lirë për ton. Kjo tregon se çdo taksë ndaj karbonit ka ndikim më të madh në thëngjill sesa në naftë të parafinuar (ose gaz). Prandaj pronarët e minierave të thëngjillit dhe klientët e tyre kundërshtojnë fuqishëm çdo taksë mbi karbonin. Ata përbëjnë një grup të vogël, por mjaft të organizuar që ka edhe njerëzit lobues, të cilët bëjnë presion mbi administratën amerikane kur diskutohet mundësia e taksimit të emetimeve të dyoksidit të karbonit.
Në Evropë, prodhimi i thëngjillit indigjen më nuk luan ndonjë rol të rëndësishëm ekonomik. është për t’u çuditur sesi Evropa nuk arrin të zbatojë një politikë taksative që ia cakton një çmim emetimeve të dyoksidit të karbonit. Ajo do të kishte ndikim më të madh mbi kompanitë e huaja. Ndryshe prej Evropës, kundërshtimi në Amerikë ka një “arsye”, meqë ekonomia amerikane me të madhe bazohet në industrinë e thëngjillit, që po vendos edhe për fatin e ligjit të propozuar nga administrata e Obamas.
Përvoja amerikane ka implikime më të gjera. Nëse nuk është e mundshme të dilet me një taksë të moderuar për karbonit në një ekonomi të pasur, çfarë prisni prej gjeneratës së ardhshme të Kinës, e cila vazhdon të jetë më e varfër dhe që vazhdon të bazohet në industrinë më indigjene të qymyrit se ajo e Amerikës. Dhe pas Kinës, duket se India e bazuar e në gjeneratën e ardhshme industriale të qymyrit do të shpërthejë si superfuqi.
Pa ndonjë zotim specifik, Marrëveshje e shumë përfolur e Kopenhagës, e vitit të kaluar, nuk do të ketë asnjë vlerë. Gjërat nuk do të ndryshojnë; do të vazhdojë të ketë angazhim të madh diplomatik për ndryshimin klimatik, derisa biznesi do t’i grahë në të veten, pa çarë shumë kokën për takimet e mëdha ndërkombëtare, e emetimet e dyoksidit të karbonit do të rriten.
Takimet do të shfrytëzojnë për krijimin e bindjes se liderët botërorë janë ende duke punuar për zgjidhje të problemit. Por ajo çfarë po ndodh në të vërtetë në terren është rritje e nivelit të emetimeve. Ka një rritje enorme të industrisë së thëngjillit. Kjo do ta bëjë jashtëzakonisht shumë të ndryshojë trendi i së ardhshmes.
Një planet i kompozuar nga shtete-kombëtare që në fakt dominohet nga grupe të veçanta interesi duket se nuk është i aftë ta zgjidhë këtë problem. Për fat keq ka qymyr me bollëk në këtë botë saqë edhe për një shekull do ta ndotim sa të duam planetin tonë. E vetmja dilemë që do të mbetet pezull është sa lart do të arrijnë temperaturat.
Aksioni i vendosur në nivel botëror do të jetë i mundshëm vetëm atëherë kur ndryshimi klimatik nuk do të jetë me një parashikim shkencor, por një realitet që njerëzit e ndjejnë. Por kur të arrijmë në atë shkallë, nuk do të jetë i mundshëm rikthimi i gjendjes pas ndikimit të madh të emetimeve dekadëshe. Një bote të paaftë për të parandaluar ndryshimin klimatik do t’i duhet të bashkëjetojë me të.

(Autori është drejtor i Qendrës për Studime të Politikës Evropiane. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›