E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ura e Badovcit duhet vetëm të rinovohet

Prishtinë, 10 gusht – Ura mbi një pjesë të liqenit të Badovcit, e cila lidh Prishtinën me Gjilanin, ka filluar të riparohet pas konstatimit të ekspertëve të Ministrisë së Transportit se baza e saj është ende e fortë.   
Para rreth dy muajsh, kur ishte ndërprerë qarkullimi i automjeteve mbi atë urë, zyrtarët e MTPT-së patën deklaruar se ura është e vjetër dhe mund të krijojë rreziqe për shoferët. Së fundi, ekspertët e së njëjtës ministri kanë konstatuar se ajo ka bazë të fortë dhe nevojitet vetëm rinovimi i saj. 
“Ekspertët kanë konstatuar se ura e ka një bazë të fortë dhe se tashti vetëm është duke u rinovuar”, ka theksuar Xhevdet Pozhari, zëdhënës i kësaj Ministrie. Sipas tij, qysh tashti një kompani është duke i zhvilluar punimet, kështu që, siç është shprehur ai, nuk do të kalojë shumë kohë dhe ajo do të bëhet e qarkullueshme. Pozhari ka treguar për Kohën Ditore se për rinovimin e kësaj ure nuk ka pasur nevojë të shpallet fare tender dhe të harxhohet buxhet i veçantë i parasë publike.
“Ministria i ka të kontraktuara kompanitë që mirëmbajnë rrugët dhe ajo që është duke e mirëmbajtur atë rrugë aktualisht e ka për detyrë edhe rinovimin”, ka theksuar Pozhari, për të shtuar se “fillimisht do të rregullohet pjesa e dëmtuar e urës e më pastaj do të hidhet edhe shtresa e asfaltit mbi të”.
Që të mos u krijoheshin telashe për shoferë, MTPT-ja nëpërmjet një kompanie ka ndërtuar një rrugë alternative, të gjatë mbi 800 metra. Ajo rrugë përkohësisht e ka zgjidhur problemin e qarkullimit të automjeteve në këtë rrugë.
Për disa ditë ura ka qenë e bllokuar për mjetet e rënda, derisa automjetet e udhëtarëve dhe kombit deri në ndërtimin e rrugës alternative.
Autobusët dhe kamionët, gjatë kohës së ndërprerjes së qarkullimit mbi urë kanë qarkulluar për në Prishtinë nëpërmjet Ferizajt, pasi që rruga nga Mramori deri në Grashticë, e cila do të vazhdonte për në Prishtinë, edhe pse ka qenë më e shkurtër, për shkak të moszgjidhjes së problemeve pronësore të Komunës së Prishtinës me disa familje, ka qenë e ndaluar.
Nga ana tjetër, qytetarët janë ankuar se rruga alternative nuk është duke u mirëmbajtur sa duhet.
“Rruga alternative është duke funksionuar mirë, është e gjerë dhe e përshtatshme për qarkullim edhe të autobusëve, mirëpo ajo po krijon shumë pluhur”, ka thënë njëri nga pronarët e ndërmarrjes private transportuese “Ali Commerce”, Hajrush Kçiku nga Gjilani.
Sipas tij hedhja ujë në të nëpërmjet cisternave do ta evitonte këtë telash.
“Ne udhëtojmë për çdo ditë në këtë linjë nga Gjilani dhe anasjelltas. Pluhuri po na krijon telashe, andaj ndërhyrja e kompanive për të hedhur ujë në rrugë do të ishte një zgjidhje e mirë dhe pak e kushtueshme”, ka thënë ai.   Ankesa të ngjashme kanë paraqitur edhe udhëtarë të tjerë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›