E Shtunë, 31 Tetor 2026

Triumfon Miller

Bode Miller fitoi medaljen e tij të parë të artë olimpike dhe të tretën në Lojërat e Vancouverit, ndërsa gjermanja Magdalena Neuner triumfoi për herë të dytë në biatlon të dielën.

Rusia fitoi të artën kur Evgeny Ustyogov ngadhënjeu në garën e biatlonit për meshkuj, ndërsa Michael Schmid i Zvicrës mori medaljen e tij të partë të artë në akrobatikë me ski në disiplinën e krosit, në debutim në Lojërat Olimpike.

Miller fitoi garën e meshkujve në super-kombinim, kur lideri në lëshim, Alsek Lund Svindal nga Norvegjia dështoi të kompletojë garën e sllallomit. Amerikani, i cili ka fituar edhe të argjendtën në super-g dhe të bronztën në lëshim, tani ka pesë medalje olimpike së bashku me të argjendtat e vitit 2002 në sllallom të madh dhe super-kombinim.

Ivica Kostelic nga Kroacia e mbrojti medaljen e argjendtë nga super-kombinim i Olimpiadës së vitit 2006 në Torino, duke përfunduar 0.33 sekonda prapa Millerit. Medalja e bronztë i takoi zviceranit Silvan Zurbriggen.

Mbretëresha e biatlonit, gjermanja Magdalena Neuner fitoi medaljen e dytë të artë dhe të tretën gjatë Olimpiadës së Vancouverit. Neuner, 23 vjeç, tejkaloi rusen Olga Zaisteva në xhiron e fundit të gjuajtjeve dhe fitoi garën në 12.5 kilometra.

Zaitsevas mori të argjendtën para gjermanes Simone Hauswald. Neuner më parë kishte fituar medaljen e artë në 10 kilometra dhe të argjendtën në sprint në Whistler Olympic Park.

Medalja e artë në garën akrobatike me ski në disiplinën e krosit i takoi zviceranit Michael Schmid në debutimin e tij olimpik. Ai fitoi para austriakut Andreas Matt dhe norvegjezit
Audun Groenvold.

Tifozët vendas u dëshpëruan kur kanadezi Christopher Delbosco u rrëzua në shteg, derisa ishte i treti. Në rrëshqitje të shpejtë me patina në 1500 metra, më e shpejta ishte holandezja Irene Wust. Medalja e argjendtë i takoi kanadezes Kristina Groves, ndërsa e bronzta iu dha çekes Martina Sablikova.

Pas ditës së dhjetë të Olimpiadës në Vancouver, në renditjen e medaljeve kryeson SHBA-ja me gjithsej 24 medalje, prej tyre 7 të arta, derisa Gjermania ka 18 medalje - 6 të arta.

SHBA 7 7 10 24
Gjermania 6 7 5 18
Norvegjia 5 3 4 12
Kanadaja 4 4 1 9
Koreja 4 4 1 9
Austria 2 3 3 8
Rusia 2 3 3 8
Franca 2 2 4 8
Zvicra 5 0 2 7
Suedia 3 1 2 6

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›