E Diel, 1 Nëntor 2026

Trofeu i Luftës së Ftohtë, në Kështjellën e Argjirosë

Ndërmjet relikeve të shumta, të pothuajse gjithë luftërave të zhvilluara në vendin tonë gjatë shekullit të kaluar e që prej shumë vitesh ndodhen të ekspozuara apo të magazinuara në mjediset e Muzeut Kombëtar të Armëve në kalanë e Gjirokastrës, natyrisht që aeroplani amerikan zë një vend të veçantë. Mbështjellë me tisin e misterit, “trofeu i Luftës së Ftohtë” (ndoshta i vetmi i këtij lloji në Shqipëri) prej më shumë se 33 vjetësh qëndron në “vendin e tij të zakonshëm”, në pjesën ballore të kështjellës së Argjirosë, me pamje nga qyteti.

Ndoshta janë të shumtë ata që e dinë historinë e mbërritjes së tij në qytetin e gurtë. Të tjerë, ndoshta, po aq të shumtë, që nuk e dinë nëse ekziston një i tillë. Por natyrisht, të gjithë atyre dhe jo vetëm turistë të zakonshëm, por edhe personalitete të vendeve të ndryshme të botës, që kanë vizituar kështjellën, u ka rënë në sy avioni ushtarak, kapja rob e të cilit u cilësua dikur si një sukses i jashtëzakonshëm, që solli me vete edhe mjaft dekorata e tituj për pjesëmarrësit në aksion.

Avioni

I vendosur në kalanë e Gjirokastrës, menjëherë pas ngritjes së muzeut të armëve, i pozicionuar pikërisht në këtë vend, aeroplani dikur shihej nga të gjithë me respekt, për atë çka përfaqësonte. 28 qershori i vitit 1973 shënoi edhe pëfundimin e montimit të tij dhe prej kësaj dite e në vijim, avioni vazhdon të qëndrojë në të njëjtin vend. “Duke qenë se muzeu i armëve në Gjirokastër kishte statusin “Kombëtar”, atëherë u vendos që aeroplani të vendosej pikërisht këtu. Nga të gjithë njihej si një “trofe i kapur gjatë Luftës së Ftohtë”, shpjegon në lidhje me historinë e aeroplanit, drejtoresha e muzeut, Teuta Kallajxhi. Qytetarët e vjetër gjirokastritë, që ende jetojnë në këtë qytet e kujtojnë momentin e sjelljes së tij. “Ishte mjaft e vështirë ngjitja e tij nëpër kalldrëme”, shprehet njëri prej tyre.

“Aeroplani për shkak të madhësisë dhe vështirësive në rrugëtim është sjellë pjesë-pjesë në kala dhe këtu 9 punonjës, kryesisht teknikë avionesh kanë punuar për 7 ditë me radhë, duke filluar nga data 22 qershor e deri më 28 qershor të vitit 1973 për montimin e tij. U mendua si vendi më i përshtatshëm, pjesa ballore e kalasë, prej nga shihet si “në pëllëmbë të dorës” qyteti i Gjirokastrës. Qysh prej asaj dite, aeroplani ka qëndruar gjithë kohën këtu”. Fillimisht vizitorët që vinin në kala nuk mund të largoheshin pa e parë dhe pa e njohur historinë e tij, por pas viteve 1990 interesi për të ra dukshëm”, vijon më tej drejtoresha Kallajxhi.

Historia

Duket se historia e aeroplanit amerikan, që u cilësua si “shkelës i hapësirës ajrore të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” ka nisur mesditën e një dite dimri të vitit 1958, atëherë kur prania e tij mbi territorin shqiptar u pikas nga radarët. Për të gjithë ata që kanë dëshirë ta njohin këtë histori, katër dëshmitarë okularë të ngjarjes, kanë depozituar dëshminë e tyre.

“Aty rreth orës së mesditës të datës së 8 dhjetorit të vitit 1958, postat e zbulimit të hapësirës ajrore të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, zbuluan në rajonin e Përmetit shenjën ajrore dhe përcaktuan “Shkelës i huaj”. Menjëherë, aeroplanët e shërbimit roje si dhe të gjitha bateritë kundërajrore kaluan në gatishmëri Nr-1. Pa vonesë u ngritën në ajër dy aeroplanë gjuajtës të çiftit të parë të pilotëve, nga Anastas Ngjelo dhe Mahmut Hysa. Disa çifte të tjerë kaluan në gatishmëri Nr-1, për t’u ngritur në komandë në ajër. Si rezultat i manovrimeve në lartësi e drejtim, shkelësi i hapësirës ajrore të Shqipërisë për një kohë humbi nga shikimi i ekraneve të posaçëm dhe vetëm kur iu afrua Tiranës u shfaq përsëri. Prej këtej, drejtimi i gjuajtësve në ndjekje ishte i saktë dhe kjo iu dha atyre mundësi të zbulonin shkelësin në veri të Tiranës dhe ta shoqëronin deri sa u ul në Rinas, në të cilin punimet nuk kishin përfunduar plotësisht.

Organet kompetente përcaktuan se aeroplani ishte prodhim amerikan i tipit RF 33 dhe piloti ishte një Major Amerikan i quajtur Kerin (emri mund të mos jetë dhënë i saktë), me detyrën e inspektorit të Forcave Amerikane. Aeroplani ishte ngritur nga një aerodrom i Francës”. Kjo është dëshmia e depozituar nga katër dëshmitarët, e cila tregon hollësitë e kapjes së avionit luftarak amerikan. “Bashkë me ne që kemi nënshkruar më poshtë si dëshmitarë të kësaj ngjarjeje, të gjithë ish-efektivat e regjimentit të 23-të gjuajtës-bombardues “Peza”, që ishte përqendruar në aerodromin e qytetit “Stalin”. Nga ky aerodrome u ngritën kapësit tanë, ish-efektivat e postave të zbulimit të Artilerisë Kundërajrore e të tjerë”, thuhet më tej në deklaratë.

Kontradiktat

Pas viteve 1990, “shkëlqimi” i aeroplanit amerikan dhe historisë së tij dikur “bujëmadhe”, u zbeh së tepërmi. Duket se për një periudhë kohe madje u harrua, deri në një moment, në të cilin deklarohet se gjithçka kishte të bënte me të ishte e stisur. Aeroplani ishte lënë nga kinezët, pas largimit të tyre nga Shqipëria. Ndërkaq, historia e “trukut kinez” nuk mund të kalonte pa bërë shumë zhurmë dhe natyrisht pa ngjallur edhe zemërimin e pjesëmarrësve në aksionin për kapjen e tij, të cilët madje me anë të një dëshmie kanë treguar ngjarjen reale. “Për të rivendosur historinë e vërtetë të aeroplanit Rf-33 me mbishkrimet dalluese anësore USAF, që nuk është truk kinez, Drejtoria e Muzeut Kombëtar të Armëve në Gjirokastër mund t’u referohet shumë dokumentave zyrtarë të asaj kohesi njoftimieve radiofonike, dekreteve për dekorimin e pjesëmarrësve në aksionin luftarak, artikujve në shtyp, analizave, hetimit të çështjes e të tjera” shkruajnë dëshmitarët okularë. Ndërkaq, po sipas drejtoreshës së këtij muzeu në Gjirokastër “aeroplani është vizituar nga ambasadorë të vendeve të ndryshme të botës, kryesisht pas viteve 1990 dhe askush nuk e ka kundërshtuar historinë e treguar nga ne, pasi për të gjithë ata ngjarja e ndodhur me avionin amerikan në vitin 1958 ishte një fakt i njohur e që nuk kishte nevojë për replika”.

Dëshmia

Në dokumentat zyrtarë që ekzistojnë në Drejtorinë e Muzeut Kombëtar të Armëve në Gjirokastër, gjendet edhe një dëshmi, e titulluar “Dëshmitarët tregojnë sesi e ulën në aerodromin e Rinasit aeroplanin amerikan gjuajtës zbulues RF 33” dhe e nënshkruar nga tre ish-pilotë e një ish-teknik avionësh. Tomorr Avdia, Gëzdar Veipi, Bardhyl Taçi (ish-pilotë) e Sulo Gorrica (ish teknik avioni), dëshmitarë okularë të ngjarjes së ndodhur më 8 dhjetor të vitit 1958, rreth gjashtë vjet më parë e pikërisht në datën 17 dhjetor të vitit 2000 dërgojnë pranë Drejtorisë së Muzeut në Gjirokastër dëshminë e tyre. E gjithë kjo, po sipas së njëjtës dëshmi për arsyen e keqintepretimit të historisë së vërtetë të aeroplanit amerikan gjuajtës. “Ne i dërgojmë këtë dëshmi Drejtorisë së Muzeut të Armëve në Gjirokastër, ku tregohet e vërteta e dëshmitarëve okularë dhe të autorëve të qëndrimit në gatishmëri Nr-1 (në kabinat e avionëve) për t’u ngritur në ajër në komandë, për të hedhur poshtë një deklaratë të një personi të papërgjegjshëm që e quantë aeroplanin shkelës të hapësirës ajrore, i cili ndodhet në muzeun e armëve në Gjirokastër si një truk kinez. Dëshmojmë përsëri që në këtë aeroplan, i cili qëndron në territorin e muzeut, megjithëse nuk ia njohin historinë, ndodhet edhe sakrifica dhe tensioni i efektivave pjesëmarrës në Aksionin Luftarak për kapjen e tij. Ne jemi plotësisht të bindur se e vërteta historike nuk ka të bëjë me nxitje konfliktesh dhe prishje miqësie, e vërteta historike e gjykuar me gjakftohtësi nxjerr përfundime të mençura”, thuhet shprehimisht në dëshminë origjinale të firmosur nga dëshmitarët okularë.

Aeroplani sot

Tashmë është veçse një copë metali e ndryshkur, në formën e aeroplanit. Qysh prej montimit të tij, 33 vjet të shkuara në asnjërën prej epokave nuk janë bërë ndërhyrje për restaurimin apo riparimin e tij dhe kjo ka bërë që aeroplani zor të quhet i tillë. Shenjat treguese në bishtin e tij, ku shkruhet përkatësisht CAMA EUROPE dhe numri 14413 janë zbehur nga kohërat dhe përkrah tyre, të apasionuar pas historisë që duket se kanë dashur të jenë pjesë e tij, kanë lënë autografet e tyre apo edhe mesazhe dashurie duke gërvishtur bojën gri të avionit. Mbishkrimet e tjera janë zhdukur dhe në vend të kabinës ka mbetur veçse një gropë brenda së cilës metali ka zënë mysh e ndryshk.

“Lavdia” e trofeut së bashku me vitet ka humbur pothuajse plotësisht dhe janë të paktë vizitorët që e ndjekin me kureshtje. Ndërsa në ditët e ngrohta aeroplani amerikan shijon “shoqërinë” e fëmijëve, që e kanë kthyer atë në një prej vendeve më të preferuar për lojërat e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›