E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimet në Itali, 11 gusht, afati i fundit për Dëftesën e Pjekurisë



Jonida Tashi

Aplikantët që duan të ndjekin studimet e larta në një nga universitetet italiane duhet të dorëzojnë Dëftesën e Pjekurisë pranë ambasadës Italiane në Tiranë, jo më vonë se data 11 gusht. Ora 12.00 e kësaj date, është afati i fundit që një aplikant të paraqesë pranë ambasadës Italiane në Tiranë, certifikatën e Maturës, e cila duhet të dorëzohet e mbyllur në zarf. Për të evituar ndonjë problem në paraqitjen e dokumenteve, gjë që mund rrezikojë edhe të drejtën e tyre për studim jashtë vendit, aplikantët duhet të tregohen shumë korrekt në zbatimin e rregullave që ka vendosur kjo Ambasadë për këtë aplikim. Ambasada Italiane është e vetmja nga të gjitha shtetet e tjera që kërkon certifikatën e Maturës Shtetërore, si dokument kryesor për maturantët që duan të konkurojnë për në universitetet italiane. Gjithashtu, kusht kryesor për të ndjekur studimet në një nga universitetet italiane është që duhet të kalohen të dyja provimet me zgjedhje, që janë të nevojshme për regjistrimin në universitetet shqiptare.
Rregullat
Sipas rregullave të përcaktuara nga Ambasada Italiane, Dëftesa e Pjekurisë duhet të jetë në origjinal, e firmosur dhe vulosur nga Drejtoria Arsimore e Rrethit dhe nga Ministria e Arsimit. Gjithashtu, ajo duhet përkthyer në italisht në çdo pjesë të saj, noterizuar tek noteri dhe në fund legalizuar në Ministrinë e Jashtme Shqiptare. Vetëm pasi ky origjinal të jetë vulosur e firmosur në Drejtorinë Arsimore të Rrethit dhe në Ministrinë e Arsimit, të jetë përkthyer, të jetë noterizuar dhe në fund të jetë legalizuar në Ministrinë e Jashtme Shqiptare, asaj duhet t’i bëhen dhe dy fotokopje, të panoterizuara, por të kapura veç e veç, me pincetë kancelerie, të të gjitha fletëve, përfshirë: vulat e institucioneve shqiptare, përkthimin, noterizimin dhe legalizim në Ministrinë e Jashtme që i keni bërë origjinalit. Të njëjtin afat për dorëzimin e Dëftesës së Pjekurisë kanë edhe aplikantët të cilët e kanë mbaruar shkollën e mesme në vitet e mëparshme, por provimeve të Matures Shtetërore i janë nënshtruar këtë verë. Këta aplikantë duhet të paraqesin pranë ambasadës Italiane certifikatën e Maturës Shtetërore në origjinal, lëshuar këtë vit nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA). Vetëm pasi ky origjinal të jetë përkthyer, noterizuar dhe në fund legalizuar në Ministrinë e Jashtme Shqiptare duhet t’i bëhen dhe dy fotokopje, të panoterizuara, por edhe të gjitha fletëve, përfshirë, përkthimin e noterizimin dhe legalizimin në Ministrinë e Jashtme që i keni bërë origjinalit.
Plotësimi
Të gjithë dokumentacionin aplikantët duhet ta fusin në një zarf dhe ta dorëzojnë personalisht sipas kalendarit.
Mbi këtë zarf ju duhet të shënoni qartë me gërma të mëdha shtypi: Emrin dhe Mbiemrin tuaj (pra të studentit); Vetëm 1 Universitet Italian, 1 Fakultet dhe 1 Degë të përzgjedhur (atë që keni shënuar e përzgjedhur në MODELLO A, e cila nuk mund të ndryshohet më); Adresën e saktë ku banoni, numër telefoni fiks (jo celular); Mesataren e saktë të të katër viteve, të përllogaritur në “Dëftesën e Pjekurisë” nga vetë shkolla. Këtë zarf, për lehtësi veprimi, mund ta dorëzoni personalisht dorazi pranë sportelit të kësaj Ambasade, që ndodhet përballë Televizionit Publik Shqiptar, ose ta nisni me poste me destinacion: AMBASADA ITALIANE, KANCELERIA KONSULLORE, RRUGA: LEK DUKAGJINI N. 2, ZYRA E REGJISTRIMEVE UNIVERSITARE, TIRANE. Informacionet e mësipërme janë të vlefshme vetëm për ata kandidatë, të cilët pasaportën e kanë tërhequr pranë komisariateve të rretheve në vijim: Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë. Të tjerët, duhet t’i drejtohen Konsullatave Italiane në Vlorë e Shkodër, sipas jurisdiksionit përkatës.
Regjistrimi paraprak
Të gjithë studentët shqiptarë të cilët plotësojnë kërkesat për regjistrim pranë universiteteve shqiptare dhe që kanë kaluar me sukses të dy provat me shkrim e me gojë të provimit për njohjen e gjuhës italiane (CELI 3), kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për regjistrim paraprak pranë universiteteve italiane. Kërkesat do të nisen më pas, nga ana e Kancelerisë Konsullore të Ambasadës Italiane në Tiranë, drejt universitetit italian të përzgjedhur, i cili edhe do të vendosë në fund mbi praninim e studentëve, sipas vendeve të rezervuara për studentët e huaj. Vendet e disponueshme për këta studentë mund t’i gjeni duke konsultuar faqen e internetit, në adresën:
http://ëëë.studiare-in-italia.it/studentistranieri/. Konsiderohen të përjashtuar nga dhënia provimit të Celi 3 vetëm studentët shqiptarë të cilët, kanë kryer liceun dygjuhësh italo-shqiptar.

Informacion përfundimtar për të gjithë
Studentët të cilët kanë humbur Dëftesën origjinale, mund të paraqesin një vërtetim zëvendësues, që të përmbajë notat e të gjitha viteve
Dëftesa e Pjekurisë në origjinal dhe certifikata e Maturës Shtetërore në origjinal, të përkthyera, noterizuara dhe legalizuara, që do të dorëzoni në fazat përkatëse, do iu rikthehen në fund, përpara nisjes, nëpërmjet postës së union express-it, në mënyrë që t’i dorëzoni personalisht pranë sekretarive të universiteteve përkatëse, për të mbyllur regjistrimin, së bashku me origjinalin e certifikatës së Celi 3
Kujdes! Në momentin përfundimtar, mos u nisni pa kërkuar tërheqjen e Dëftesës së Pjekurisë dhe të certifikatës së Maturës Shtetërore në origjinal, dokumenta të cilat do iu rikthehen nëpërmjet zyrave të union express-it (ndërkohë certifikatën e Celi 3 në origjinal e keni vete dhe mos harroni ta merrni edhe atë me vete). Përveç pajisjes me vizë studentore, duhet të merrni me vehte, përpara nisjes, edhe Dëftesën e Pjekurisë në origjinal, certifikatën e Maturës Shtetërore në origjinal të legalizuara nga Konsullata Italiane në tiranë, së bashku me origjinalin e certifikatës së Celi 3.

Dokumentet
Kërkesa për regjistrimin paraprak (Modeli A)
Formulari i Autentifikimit të Fotografisë
Dëftesa e Pjekurisë në origjinal
Dy fotokopje të formularit A1
Dy fotokopje të certifikatës së njohjes së gjuhës italiane, (CELI 3)
Origjinali si dhe dy fotokopje të plota të titullit të studimit
Fotokopje e pasaportës (faqja ku ndodhet fotografia)
Dy fotografi me ngjyra
Dokumentet duhet të futen në zarf mbi të cilin duhet të shkruhet qartë:
Emri dhe mbiemri i studentit
Universiteti, fakulteti, dega e studimit
Numri i telefonit (celular, telefon shtëpie, apo edhe e-mail-i nëse keni)
Mesatarja e notave të shkollës së mesme

18 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›