E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensioni i lartë i gjakut ndikon në dobësimin e kujtesës



Jonida Tashi

Tensioni i gjakut lidhet me humbjen e kujtesës. Një nga shqetësimet më të mëdha në fushën e shëndetit, në Shtetet e Bashkuara është shtimi me ritme të shpejta i degradimit të trurit ose siç quhet ndryshe Dementia, që sjell humbjen e kujtesës tek të moshuarit. Dementia, që në disa raste quhet demenca, është një simptomë e Alcajmerit, dhe thuhet se 20 për qind e amerikanëve mbi moshën 80 vjeç vuajnë nga ky degradim i trurit. Por një studim i ri e lidh dementian me tensionin dhe rekomandohet që një trajtim i thjeshtë i tensionit të gjakut mund të ulë rrezikun e humbjes së kujtesës mes të moshuarve. Më shumë se 3 milionë amerikanë të moshës 70 vjeç e lartë vuajnë nga dementia dhe 5 milionë të tjerë vuajnë nga një lloj humbjeje kujtese që i vë ata në rrezik të lartë për tu’ prekur nga dementia.
Trajtimi
Aktualisht, nuk ekziston ndonjë mënyrë e provuar për shmangien e dementias, megjithëse studimet në këtë fushë tregojnë se arsimi i lartë, të mirëushqyerit dhe ushtrime të rregullta fizike mund ta pakësojnë këtë rrezik. Kohët e fundit, një studim i ri doli me idenë se edhe duke ulur tensionin e gjakut njerëzit mund të pakësojnë gjasat për t’u prekur nga dementia. Shkencëtarët krahasuan rezultatet e një studimi në shkallë ndërkombëtare mbi tensionin e gjakut mes rreth 3 mijë pacientëve mbi moshën 80 vjeç, dhe vunë re se trajtimi i tensionit të gjakut me barna të quajtur Diuretikë dhe ACE pakësoi 13 për qind mundësitë e prekjes nga dementia. Me këto rezultate në duar, shkencëtarët tani thonë se kujtesa duket se ndihmohet nga përmirësimi i qarkullimit të gjakut. Megjithëse të tjerë bëjnë thirrje për studime më të gjëra e më afatgjatë për të vërtetuar këto rezultate.
Sëmundja
Sëmundja e Alzheimerit, ose ndryshe siç njihet më shpesh, humbja e kujtesës, lind pas moshës 65-vjeçare. Përqindja e popullsisë që preket në këtë moshë është rreth 10 për qind. Pas kësaj moshe, përqindja e popullsisë që preket rritet 2 për qind çdo vit, për të arritur rreth 50 për qind në moshën 85-vjeçare. Sipas specialistëve, sëmundja ka raste që lind edhe para moshës 65-vjeçare, por këto raste janë të rralla dhe karakterizohen nga histori të veçanta. Për shembull, pacienti mund të jetë me sindromën Down. Probabiliteti i këtyre pacientëve me Down, për t’u sëmurur edhe me Alzheimer pas moshës 40-vjeçare rritet shumë. Sindroma e Alzheimerit nuk varet nga vendi ku personi jeton. Përqindjet e popullsisë që kap janë të njëjta pothuajse në gjithë botën. Prandaj në Shqipëri këta pacientë janë në proporcion me popullsinë tonë, po aq sa janë në Itali, USA etj.
Harresa
Simptoma më e njohur e kësaj sëmundjeje është harresa, por simptomat janë të shumta. Zakonisht sëmundja fillon me harresa gjithmonë e më të mëdha, të cilat në fillim kanë karakter minimal dhe me kalimin e kohës bëhen gjithmonë e me shqetësuese. Duhet pasur kujdes të mos ngatërrohen harresat normale me ato harresa që përbëjnë sëmundje. Për shembull, është harresë normale të mos mbash mend ku ke parkuar makinën në parkingun e supermarketit, por është një harresë patologjike të kthehesh në shtëpi pa makinë, sepse ke harruar që kishe shkuar me makinë. Të sëmurët me Alzheimer kanë një karakteristikë që e bën më të vështirë diagnostikimin e tyre. Në përgjithësi nuk e pranojnë kurrë se janë sëmurë. Simptoma e dytë interesante e kësaj sëmundje është anemia, pra mos gjetja e emrave dhe fjalëve gjatë diskutimeve. Kjo simptomë, në fakt, përbën simptomën e dytë kryesore me të cilën Alzheimeri mund të lindë. Në ato pak raste që sëmundja nuk fillon me harresa, ajo më së shumti fillon me probleme gjuhësore.
Fjalët
Sëmundja bën që me kalimin e kohës pacienti të evitojë gjithmonë e më shumë fjalët që nuk i gjen dot dhe të përdorë sinonime dhe përshkrime të gjata për gjëra që kanë fjalën e vetë. Simptoma e tretë është çorientimi kohor dhe hapësinor. Simptoma të tjera janë: Humbja e kapacitetit të gjykimit logjik, ndryshime të çuditshme të humorit, ndryshim i personalitetit (këtë e ve re mirë kush ka shume vite që jeton me personin), humbje e dëshirës dhe iniciativës për të bërë shumë gjëra. Nuk duhet ngatërruar me rënien e aktivitetit të moshës së plakur. Është krejt anormale që një i moshuar të humbasë interesin për çdo gjë. Të gjitha këto simptoma lindin në periudha të ndryshme kohore dhe nuk kanë një periudhë të caktuar kohore. Ajo që është më e vazhdueshme në të gjithë rastet e sëmundjes, është fillimi me harresa, me probleme gjuhësore ose me probleme të detyrave të thjeshta motorë (zbërthim i këmishës etj).
Sistemi imunitar
Sipas specialistëve të kësaj fushe, sistemi imunitar në një periudhë të caktuar të jetës fillon të prodhojë antikorpe që shkatërrojnë neuronet që përdorin si neurotrasmetitor acetilcolinen. Zakonisht truri është komplet i izoluar nga substancat që kalojnë në gjak. Çdo enë gjaku që shkon në tru vishet me degëzimet e qelizave gliale, të cilat lejojnë kalimin e substancave të caktuara, dhe nuk lenë të kalojnë pjesa më e madhe e substancave dhe agjenteve patogjene. Kjo hipotezë hedh idenë e një kolapsi të barrierës, e cila fillon të mos punojë si më parë, duke lënë të kalojnë agjentë patogjene toksike që vdesin neuronet. Deri me sot nuk ekziston një diagnoze e sigurt. Pothuajse të gjithë doktorët në vendet perëndimore nuk diagnostikojnë asnjë pacient që vuan nga humbja e kujtesës. E vetmja siguri se sëmundja është pikërisht ajo, merret pas vdekjes, me një autopsi të trurit.

Shenjat e sëmundjes
Memoria humbet çdo ditë e më shumë
Personi ka probleme gjuhësore (harron fjalët përkatëse dhe përdor të tjera në vend të falës së duhur)
Pjesën më të madhe të kohës është konfuz
Gjërat e reja i mban mend më shumë vështirësi
Mund të ketë konfiguracione (nuk di të bëjë llogaritë)
Nuk arrin të shkruajë normal
Lexon me vështirësi
Ka vështirësi në veshjen e rrobave të trupit
Me kalimin e kohës pacienti humbet interesin në gjërat që e rrethojnë dhe bëhet tërësisht konfuz
Mund të ketë dhe alucinacione, probleme me urinimin dhe jashtëqitjen (inkontinencë)
Në fund pacienti humbet edhe kontrollin e trupit të vetë thuajse në çdo aspekt

Të rejat nga shkenca
Shkencëtarët ende nuk kanë zbuluar pse lind sëmundja
Shkenca ende nuk ka zbuluar se nga vjen kjo sëmundje, por, megjithatë janë hedhur hipoteza të ndryshme. Sipas një varianti, thuhet që lindja e sëmundjes është gjenetike. Në disa raste Alzheimeri pacientët kanë rezultuar me një mutacion në kromozomin 21. Ky kromozom është dhe ai që shkakton sëmundjen Down, e cila vazhdon me Alzheimer pas moshës 40 vjeç. Shkencëtarët mendojnë se sëmundja mund të jetë edhe virale. Ata mendojnë se virusi hyn nga hundët për të kaluar në receptorët e erës e më pas në bulbet e erës (brenda trurit) e më pas në pjesën më të madhe të trurit. Kjo hipotezë mbështetet në goditjen e disa pjesëve të caktuara të trurit ku shenjat e Alzhiemerit rezultojnë të theksuara gjatë autopsisë neuro anatomike. Hipoteza e aluminit: Në trurin e pacienteve janë gjetur nivele të larta alumini. Gjithashtu disa kripëra alumini të vendosura në koren e trurit të disa kafshëve kanë krijuar matës neurofibrillare.

18 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›