E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, miniera e vdekjes vret sërish, plagoset një minator

Miniera e Bulqizës vret sërish. Një minator është plagosur sot duke kontrolluar punën në zonën D të minierës. Masivi i dheut është shkëputur duke e zënë poshtë dhe duke e plagosur rëndë 35-vjeçarin Myslym Dagja, i cili është dërguar me urgjencë në spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë.

Viktimat në minierat e kromit në pellgun e kromit Bulqizë-Martanesh, nuk kanë të ndalur. Vetëm brenda vitit të fundit në këtë minierë kanë humbur jetën më shumë se 12 persona. Sot është shënuar një tjetër plagosje, kur s’ka vetëm një javë kur ministria e Ekonomise dhe kryeministri Sali Berisha, folën për marrje masash dhe rritjen e sigurisë në miniera.

Sipas minatorëve kushtet e punës në shumë prej galerive janë krejtësisht të papërshtatëshme duke qenë dhe burim aksidentesh të vijueshme. Janë rreth 35 sektorë të privatizuar që nga viti 1994 në këtë zonë, ndërsa mungojnë kontrollet sistematike për të vëzhguar kushtet dhe sigurinë në punë, kur privatët janë të interesuar vetëm të nxjerrin nga thellësitë e nëntokës sa më shumë mineral kromi.

Duket se këto "zgafella" të privatizuara për shfrytëzim minieralit të kromit, janë kthyer në gropa vdekjeje të vazhdueshme për banorët e këtyre anëve të cilët futen duke punuar në kushte të pasigurta për të ushqyer familjet e tyre të varfëra.

Miniera, mundësia e vetme e punësimit në zonë

Miniera është e vetme mundësi punësimi në zonën e Bulqizës. Por vdekjet zinxhir, muaj pas muaji, duket se nuk kanë të sosur në Bulqizë, edhe pse ka pasur protesta të vijueshme për rritjen e sigurisë në punë, dhe kur kjo minierë për disa muaj qëndroi e mbyllur për t’i plotësuar këto kushte, por gjërat nuk po ndryshojnë, për më tepër të ndalen aksidentet permanente. Edhe pse ngjet vdekja dhe plagosja e dhjetera minatoreve, ende nuk ka asnjë të ndëshkuar nga gjyqësori shqiptar për këto tragjedi të kthyera në ritual normal në Bulqizë!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›