E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trofeu i parë i sezonit shkon në Mitrovicë

Prishtinë, 9 gusht - Kampiones në fuqi të Kosovës, Trepçës, nuk i mjaftuan 90 minuta të rregullt për të mposhtur fituesen e Kupës së Kosovës, Lirinë, në ndeshjen e Superkupës. Por, ndryshe ishte në vazhdimin gjysmorësh, ku Trepçës i mjaftuan vetëm dy minuta për të shënuar dy gola dhe për të çuar trofeun në Mitrovicë.

Trepça fitoi ndeshjen për Superkupë, të dielën në Kastriot me rezultatin 2:0. Kapiteni i Trepçës Elvis Osmani (97) dhe Isuf Sejdiu (98) shënuan nga një gol brenda dy minutave për të vendosur fituesin e trofeut të parë të stinorit të ri. Koha e rregullt u mbyll pa gola.

"Me këtë fitore vërtetuam se ende jemi kampion dhe se me plot meritë arritëm të fitojmë Superkupën dhe njëherësh trofeun e parë të këtij stinori. Lojtarët e mi luajtën pa presion dhe ia arritën qëllimit që kishin. Ishte një ndeshje e mirë ku në pjesën e parë ishim më të mirë se Liria, ndërsa në të dytën Liria ishte ajo që diktoi tempin e lojës", tha trajneri i Trepçës, Gani Sejdiu.

Skuadra e Trepçës arriti të shënojë golin e parë në pjesën e parë të vazhdimeve. Kapiteni Elvis Osmani në minutën e 97-të, nga afërsia arriti të mposhtë portierin e Lirisë, Asman Memaj, pas një pasimi të mirë nga Florent Sejdiu. Një minutë më vonë Isuf Sejdiu doli në skenë duke shënuar nga afërsia.

Në pjesën e parë skuadrat kërcënuan nga një herë. Trepça ishte ajo që kërcënoi e para nëpërmjet sulmuesit, Florent Sejdiu (36), i cili kaloi mbrojtjen e Lirisë, por goditja e tij u ndal nga Aman Memaj. Për skuadrën e Lirisë ishte sulmuesi Fatih Karahoda (45), i cili gjuajti nga afërsia, por nuk ishte i saktë.

Në 45 minutat e pjesës së dytë, Elvis Osmani (51) pati rastin më të mirë, por goditja e tij u ndal nga portieri i Lirisë. Për skuadrën e Lirisë më i disponuari për lojë ishte Agron Skeraj, i cili në dy raste tentoi të bënte diç më shumë.

"Nuk arritëm t'i shfrytëzonim rastet dhe pësuam disfatë. Trepça arriti të shënonte dy herë nga gabimet tona. Loja ishte jona, por rezultati i Trepçës", tha trajneri i Lirisë, Behajdin Gjinali.

Kjo ndeshje do t'i paraprijë sezonit të ri që nis pas një jave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›