E Diel, 1 Nëntor 2026

Trofeu i parë si kapiten, Lika: Tirana nuk do ndalet, tani duam titullin!

TIRANE-Ilion Lika edhe këtë herë ka qenë deciziv në fushë. Portieri me pritjet e tij spektakolare arriti të shmangte gola të sigurt dhe për këtë ai meriton një notë tepër të lartë. Për të ky është trofe i parë si kapiten. Ndërsa, me modestinë që e karakterizon, Lika shprehet se merita u takon të gjithëve për suksesin e arritur dhe se për të nuk ka rëndësi se kush e mban shiritin. Kur na ndan edhe një javë nga starti i kampionatit, ai mendon se Tirana e tij është gati për titullin. Kjo ishte prova e duhur për të vërtetuar se bardheblutë do të jenë pa diskutim pretendentë për edicionin e ri. Këto dhe të tjera, Ilion Lika i ka rrëfyer në intervistën e dhënë, pasi ngritën Superkupën e 10-të në historinë e këtij klubi.
Tirana bën bis, fiton një tjetër trofe përballë Skënderbeut, fat apo meritë?
E sa rëndësi ka kjo, nëse ishte fat, apo meritë? Ajo që vlen, është që ne fituam sërish.
Lika sërish deciziv në portë, duke evituar gola të sigurt…
Jo, nuk është merita ime, absolutisht. Unë bëra vetëm detyrën: ruajta portën, asgjë më shumë. Ky trofe erdhi falë punës së lojtarëve, drejtuesve, stafit teknik dhe tifozëve të mrekullueshëm.
Trofeu i parë te Tirana si kapiten. Ndiheni ndryshe?
Për mua rëndësi ka që fituam, por me, ose pa shirit nuk ka ndonjë vlerë. Kushdo qoftë kapiteni, ne i gëzohemi suksesit.
Ishte ditë Bajrami, mos ju ndihmoi pak Zoti?
Besoj se po, e ndaj jo vetëm që u uroj të gjithë besimtarëve myslimanë festën e Bajramit, por falënderoj Zotin që na ndihmoi në këtë ditë.
Kjo Superkupë do ju ndihmojë që t’i hidhni pas krahëve problemet?
Sigurisht që një trofe i tillë të sjell buzëqeshjen. Ndonëse nga vlera, ajo të jep vetëm prestigj.
Jeni gati për kampionatin tashmë?
Ishte ndeshje që na vlejti për të parë se ku jemi dhe a kemi forcën për të nisur një sezon të gjatë dhe të vështirë. Mendoj se pas këtij 90-minutëshi, mund ta them me bindje që “po”, jemi gati! Kemi një grup të mirë e punëtor, i cili nuk dorëzohet kurrë. Tashmë duam titullin dhe për atë do të mendojmë.

Heroi Taku: Goli im i parë, faleminderit Rubio!
Afrim Taku gjen golin e tij të parë si bardheblu. Pas një viti në formacionin e kryeqytetasve, ai shënon dhe madje një gol deciziv. Është më shumë se i lumtur, pasi me atë episod i dha pa diskutim dorë Tiranës që të shkonte drejt suksesit. I pyetur nga mediat në përfundim të finales, lojtari ua dedikon golin trajnerit, shokëve dhe tifozëve. Deri më tani ka marrë kupë dhe Superkupë, ndërsa kërkon titullin, duke qenë se i mungon në karrierën e tij ky trofe. “Jam më shumë se i lumtur që na u shtua edhe një tjetër Superkupë. Kjo është e dyta radhazi dhe përballë të njëjtit kundërshtar, çka na gëzon më shumë. Fituam me 9 lojtarë, e patëm të vështirë, por arritëm t’ia dilnim përballë një rivali të fortë. Dalja e Dushkut na dëmtoi pak, megjithëse e morëm veten shpejt duke mos krijuar hapësira. Sa i përket golit, sigurisht që i gëzohem. Pas një viti si bardheblu, ky ishte i pari dhe tepër deciziv, duke parë rrjedhën e lojës. Ua dedikoj trajnerit, shokëve dhe tifozëve, pasi falë bashkëpunimit jemi këtu”, – tha fillimisht mesfushori shkatërrues i kryeqytetasve. Ndër të tjera, lojtari shprehet se tashmë Tirana është gati për titull dhe po pret me ankth startin e kampionatit. “Jemi gati për kampionatit. E nisëm mbarë këtë sezon me këtë trofe, por tashmë duam titullin. Sa u përket objektivave personale, pasi të marr gjithçka me Tiranën dua edhe të fitoj edhe Kombëtaren”, – tha Taku, autori i golit të parë të bardhebluve.

Bajrami, 9 besimtarë të zjarrtë në fushë
Finalja e Superkupës ka përkuar në të njëjtën ditë me festën e besimtarëve myslimanë, Fiter Bajramin. Shumica e futbollistëve të Tiranës, por edhe një pjesë e Skënderbeut, kanë mbajtur agjërim gjatë muajit të Ramazanit, ndaj ditën e djeshme e kanë ndjerë më shumë se të tjerët. Ata kanë ngrënë drekën e bollshme me rastin e kësaj feste dhe, më pas, janë nisur për në stadium. Në fushën e lojës, por edhe në stol, dje kanë qenë plot 11 futbollistë që janë besimtarë të zjarrtë dhe kanë mbajtur agjërim. Nga bardheblutë ishin Ilion dhe Gilman Lika, për të kaluar te Muçollari, Tushe dhe Kalari. Ndërsa nga bardhekuqtë ishin: Kuli, Çaushaj, Orelesi dhe Vrapi.

(d.b/PanoramaSport/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›