Alban Meha shënon edhe në Kupën e Gjermanisë
Mesfushori nga Mitrovica, Alban Meha, që luan në radhët e Paderbonit në Bundesligën e dytë gjermane e ka nisur mbarë sezonin e ri, duke u konfirmuar edhe si golashënues. Mesfushori 26 vjeçar po përflitet shumë si një alternativë për të veshur fanellën kuqezi, madje trajneri i kombëtares shqiptare ka qenë dje në Gjermani për të ndjekur nga afër Mehën, ku Padërboni u eleminuar nga Kupa e Gjermanisë, pasi u mund 3-1 nga Arminia e Bielefieldit. Ndonëse Padërborni është eliminuar, Meha ka arritur të shënojë në minutën e 36-të të takimit. Ky gol i Mehës i dha avantazhin Paderbonit, por në fund është Arminia që përmbys. Gjithsesi, mesfushori kosovar ka arritur që ta tregojë veten edhe në Kupën e Gjermanisë dhe goli i tij i djeshëm ishte tjetër sinjal për trajnerin dhe stafin e ekipit kombëtar shqiptar. Mësohet se pas ndeshjes së djeshme ka pasur edhe një takim mes trajnerit të ekipit kombëtar, Xhani De Biazi dhe mesfushorit të Paderbornit, Alban Meha.
Bekim Bala asnjë minutë në fitoren e Spartës
Sparta e Pragës ka fituar dje 3-1 ndaj Ceska Budejovice, por në këtë takim sulmuesi shkodran Bekim Bala nuk është aktivizuar dhe e ka ndjekur nga stoli suksesin e skuadrës së tij të re. Një javë më parë Bala ka gjetur golin e parë si futbollist i Spartës së Pragës.
Agolli Teli shijojnë fitoren 6-1 të Karabakut në transfertë
Skuadra azerbajxhanase e Karabakut ku bëjnë pjesë edhe dy futbollistë të kombëtares shqiptare, Ansi Agolli dhe Admir Teli, në javën e tretë të kampionatit ka arritur një fitore tenistike 6-1 në transfertë ndaj Sumqayit. Dyshja kuqezi janë titullar të padiskutueshëm me Karabakun, por dje nuk kanë arritur që të shënojnë. Ndonëse Agolli nuk ka shënuar mesfushori ka kryer një lojë të bukur duke dhënë edhe asiste goli për shokët e tij. Mbrojtësi shkodran Admir Teli e ka zhvilluar të plotë takimin, ndërsa Ansi Agolli në minutën e 66-të është zëvendësuar nga Abdulov.
Çërnomorec mundet nga Shaktar, Bakaj titullar
Çërnomorec Odesa ka pritur mbrëmë në fushën e saj kampionët ukrainas të Shaktar Donjeckut, por pa mundur që tu bëjë ballë, pasi janë mundur 0-2. Tek Odesa bëjnë pjesë edhe dy futbollistë të kombëtares shqiptare, Elis Bakaj dhe Kristi Vangjeli. Bakaj ka qenë titullar edhe mbrëmë me Odesën ku ka luajtur deri në minutën e 80-të, por nuk ka arritur të shënojë, ndërsa mbrojtësi Vangjeli ende mbetet në fazë rikuperimi të dëmtimit të gjatë disamujor.
