E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Trojanet” shqiptare në skenën e Izmirit

 

Pas testimit nga publiku shqiptar, “Trojanet” shqiptare do të udhëtojnë drejt Turqisë. Tragjedia e Euripidit, një produksion i Teatrit Kombëtar, shfaqet sot në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Antik në Turqi. Me regjisor artistin grek Vangjelis Theodoropulos, “Trojanet” do të ngjitet në amfiteatrin antik të Izmirit, në aktivitetin që tashmë është shndërruar në traditë prej më se dy dekadash në Turqi, e në të cilin marrin pjesë e përfaqësohen trupa teatrore nga e gjithë bota me shfaqjet e tyre më të mira, të cilat janë frymëzuar nga vepra të antikitetit, që janë vënie të drejtpërdrejta të tyre, apo variante të punuara mbi veprat e antikëve të mëdhenj, si Euripidi, Sofokliu, Eskili, etj.  Sipas idesë së regjisorit Theodoropuolos Troja në fakt është Ballkani në shkrumbin e luftës, në fatin e emigrimit në një nënshtrim ndaj fatit, që ndihet edhe sot. Regjisori Theodoropulos e ka konceptuar shfaqjen si një ndërthurje mes konceptit tradicional antik dhe atij modern. Ideja e tij përshfaqet mes aktrimit, kostumeve dhe muzikës së huazuar nga polifonia shqiptare. Skenografia dhe kostumet janë realizuar nga Angjelos Menvis, një nga skenografët më të mirë grekë, i cili ka bërë edhe hapjen e Lojërave Olimpike në Greqi me paradën e historisë së Greqisë nga antikiteti deri në vitet e sotme. Përkthyes i veprës është Romeo Çollaku. Në rolin e mbretëreshës Hekubë interpreton aktorja Margarita Xhepa, në atë të Andromakës, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, në rolin e Helenës, Ema Andrea në atë të Kasandrës, Arben Derhemi në rolin e Menelaut, një nga personazhet që ka tërhequr më së shumti vëmendjen e spektatorit me nuancat ironike, gati komike, që i janë veshur prijësit të helenëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›