Aksidentet, shtohen dy viktima
FIER/ TROPOJE
Aksidenteve të ndodhura në akset e vendit i shtohen edhe dy viktima të tjera. Viktimat janë një 20-vjeçar nga Fieri, i cili u përplas me motorçikletën e tij me një mjet të tonazhit të rëndë, ndërsa në Tropojë humbi jetën 45-vjeçari Gajor Dervishi, pasi ra bashkë me mjetin që po udhëtonte në një greminë. Policia e Fierit bëri të ditur se mbrëmjen e së martës, i riu Ajol Kotherja, emigrant i sapo kthyer ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi u përplas nga një mjet i rëndë. Ngjarja ndodhi në aksin Fier- Lushnjë, pranë fshatin Zharrës. Sipas burimeve, Kotherja po udhëtonte me motoçikletën e tij, kur është përplasur me kamionin e tonazhit të rëndë me targë FR 1749 B. Pas hetimeve të para dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes, rezultoi se 20-vjeçari Kotherja në momentin që është përplasur me kamionin ishte duke udhëtuar me shpejtësi të madhe. Për më tepër, sipas policisë, mungesa e ndriçimit në rrugë dhe mosndezja e dritave nga viktima kanë ndikuar për këtë aksident. Drejtuesi i kamionit u shoqërua në polici për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, dje një tjetër aksident i rëndë është shënuar në rrugët e vendit. Aksidenti ndodhi rreth orës 10:00 në aksin rrugor Bajram Curri - Qafë Mali, ku për pasojë humbi jetën drejtuesi i automjetit Gajor Dervishi. Automjeti i rëndë që vinte nga Bajram Curri, i ngarkuar me hekur ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 20 metra poshtë në greminë, duke i shkaktuar vdekjen në vend shoferit të saj nga fshati Kryezi i Pukës. Kalimtarët e rastit kanë njoftuar policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe shkakut të saj. Rruga në këtë aks është tepër e vështirë, me kthesa të mëdha dhe mjaft e ngushtë. Megjithatë, nuk është një segment rrugor me fluks të madh në qarkullim, ndonëse është rrugë nacionale. Policisë i është dashur më shumë se dy orë për të ndërhyrë e nxjerrë nga kabina e trajlerit viktimën për shkak të terrenit. Po dje janë shënuar disa aksidente të tjera në akse të ndryshme të vendit, por bilanci i tyre ka qenë vetëm me të plagosur. m.r/ j.h
Lezhë, dy të plagosur në aksidente
LEZHE- Dy aksidente me dy të plagosur në rrugët e qarkut të Lezhës. Ngjarjet kanë ndodhur gjatë ditës së martë në Laç dhe Mirditë. I pari aksident ka ndodhur rreth orës 18:30, në superstradën Laç- Lezhë, në afërsi të Fushë Milotit. 50-vjeçari Ismail Haxhiu nga Tirana, duke drejtuar autoveturën benz 250, me targa TR 1551 L, është përplasur me një motoçikletë tip APRILA me targë AM 62524 që drejtohej nga 30-vjeçari Fatjon Staga, nga fshati Fush Kuqe i Kurbinit. Pas aksidentit Staga është dërguar në spital nga ku mësohet se është jashtë rrezikut. Po të martën, rreth orës 13:30, në aksin Rrëshen – Rubik, ka ndodhur një tjetër aksident rrugor. Një makinë është aksidentuar e për pasojë ka mbetur i plagosur fëmija me inicialet F. Ç., 11 vjeç nga Kosova. Fëmija është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut. r.n