Norvegjezët “Madcon” zëvendësojnë Bregoviç
Ndonëse adhuruesit e shumtë e prisnin prej kohësh, ai nuk do të vijë në Shqipëri. Një grup norvegjez do të zëvendësojë artistin serb Goran Bregoviç, i cili ishte planifikuar të jepte një koncert në plazhin e Durrësit, në datën 8 gusht. Ardhja në Shqipëri e muzikantit mundësohej nga kompania celulare “Eagle Mobile”, e cila sqaron se Bregoviç nuk do të vijë në Shqipëri për shkak të një shqetësimi shëndetësor, gjë që ia bën të pamundur udhëtimin drejt vendit tonë. Për Bregoviç kjo nuk do të ishte hera e parë që vinte në Shqipëri. Disa vjet më parë, ai dha një koncert në Pallatin e Kongreseve, ku u prit shumë mirë nga publiku shqiptar. Por pavarësisht se muzikanti serb nuk do të vijë në Durrës, kjo nuk do të thotë se koncerti do të anulohet. Bregoviç do të zëvendësohet nga “MADCON”, grupi i njohur norvegjez i dyshes urbane (Tshawe Baqwa dhe Yosef Wolde-Mariam). “MADCON” është një ndër grupet që kanë marrë më shumë çmime, mes të cilave dhe Çmimin Botëror të Muzikës. Albumet e tyre kanë pasur sukses të madh që nga Shtetet e Bashkuara e deri në Australi. Grupi u themelua në vitin 1992, dhe shënon në fonotekën e tij hite si “God Forgive Me”, “Barcelona”, “Doo-Wop” etj. Në vitin 2004 ata publikuan albumin e tyre të parë zyrtar “It’s All A Madcon”, që u shpall si albumi i vitit në Norvegji. Vitin e kaluar, hiti i tyre “Beggin”, shumë i suksesshëm edhe në Shqipëri, kryesoi listat muzikore për një kohë të gjatë në Francë, Holandë, SHBA etj. Së fundi u publikua edhe hiti i tyre të ri “Lier”. Pas koncertit të norvegjezëve, pritet një tjetër mbrëmje argëtuese. Bëhet fjalë për koncertin e DJ Laurent Wolf.