E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvlerësimi i lekut, këstet e kredive 3 miliardë lekë më shtrenjtë në muaj

Nga Fitim Zekthi

Shtrenjtimi i euros gjatë javëve të fundit ka rritur koston e kësteve mujore të kredive të klientëve shqiptarë në rreth 10%. Të dhëna zyrtare të Ministrisë Financave thanë dje se vlerësimet e tyre bëjnë fjalë për një kosto mujore të rritur në bazë të kursit të djeshëm të këmbimit të euros në rreth 3 miliardë lekë. Kjo do të thotë se ata që kanë kredi në euro në bankat e nivelit të dytë në vend me kursin e djeshëm të euros do të paguajnë një vlerë këstesh mujore prej 3 miliardë lekësh në total më të madhe se sa paguan rreth një muaj më parë kur kursi i këmbimit të euros me lekun vendas ishte i pandryshuar. Dje, një euro është këmbyer me 129,7 lekë duke arritur një prej niveleve më të larta të gjithë këtyre viteve. Shtrenjtimi i euros dhe zhvlerësimi njëherazi i lekut vendas prej Ministrisë Financave është cilësuar një çështje e marrëdhënieve të kërkesës me ofertën në treg dhe që nuk ka lidhje me krizën ekonomike botërore. Në fakt, ekspertë të financave kanë thënë se kjo është pjesërisht e vërtetë. Kriza ekonomike botërore ka edhe ajo pjesën e saj të ndikimit në zhvlerësimin e lekut, pasi rënia e dërgesave të emigrantëve, rënia e eksporteve kanë bërë që sasia e valutës që hyn në vend të jetë më e vogël dhe kjo përkthehet menjëherë në shtrenjtim të saj dhe në zhvlerësim për pasojë të lekut. Nuk është e qartë se për sa kohë do të vazhdojë kjo gjendje dhe deri në ç’masë do të zhvlerësohet leku vendas. Të dhënat e deritanishme nuk i japin shkas uljes së kurbës ngritëse të shtrenjtimit të euros duke qenë se elementë të tillë si dërgesat e emigrantëve dhe eksportet nuk pritet të rriten shpejt. Banka e Shqipërisë dy ditë më parë në përpjekje për të ndalur rritjen e shtrenjtimin e euros iu ka shitur euro në sasi të konsiderueshme bankave të nivelit të dytë në mënyrë që oferta në treg të jetë më e madhe. Niveli i djeshëm i euros në treg tregon se ndërhyrja e bankës ka patur ndikim të vogël. Shumica e kredive në Shqipëri janë në valutë dhe ky është një prej problemeve më të më të mprehta që shfaqen tashmë kur euro shtrenjtohet. Të gjitha kreditë me vlerë më shumë se 5 milionë lekë të vjetra thuajse janë të gjitha në euro. Në total sasia e kredive në euro kalon 60% të totalit të kredive. Guvernatori i bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, herëpashere ka kritikuar sasinë e madhe të kredive në euro që japin bankat dhe i ka nxitur ato të japin kredi në lekë. Bankat në fakt për të qenë më të sigurta nga luhatjet kanë dhënë kredi në euro dhe tashmë konsumatori është i detyruar të paguajë të paktën 10% më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›