E Diel, 1 Nëntor 2026

Trojet me kufij të pacaktuar. Vendimi ja si do hipotekohen

TIRANE-Përmes një vendimi të miratuar dje, qeveria ka përcaktuar procedurat që do të ndiqen për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, për të cilat zotërohen dokumente të ligjshme pronësie, por që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen. Qeveria përcakton gjithashtu se në vazhdim rastet e tilla, me sipërfaqe të papërcaktuar, nuk do të mund të regjistrohen më në rast se nuk i nënshtrohen më parë këtij procesi regjistrimi. “Pasuritë e paluajtshme, që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen, të cilat ndodhen në zona kadastrale për të cilat, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, nuk ka përfunduar procesi i regjistrimit fillestar të pasurive ose ky proces është duke u zhvilluar, nuk mund të regjistrohen në një kartelë dhe hartë kadastrale, në emër të pronarit, pa u zhvilluar më parë procedura e regjistrimit të tyre, e përcaktuar në këtë vendim”, specifikohet në vendim.
Afatet kohore
Hipoteka, nëse e gjykon të nevojshme, verifikon vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga kërkuesi. Për këtë qëllim, ai ka të drejtë të kërkojë dokumente nga të tretët, persona fizikë ose juridikë, zyrat e noterisë dhe organe të administratës. Përveç verifikimit të vërtetësisë së dokumentacionit, nëse e gjykon të nevojshme, regjistruesi mund të urdhërojë verifikimin në terren të pasurisë me një grup të përbërë nga të paktën 2 punonjës hartografë të zyrës së regjistrimit, për të bërë matjet dhe për të hartuar dokumentet përkatëse (planvendosje, genplan, planrilevimi). Në vendim përcaktohet se hipoteka brenda 30 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës, me përjashtim të rasteve të afishimit, merr vendim për regjistrimin ose refuzimin e regjistrimit të pasurisë. Kundër vendimit të regjistruesit ose në mungesë të përgjigjes, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë.
Kushtet
Pasuritë e paluajtshme, për të cilat, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndodhen të pozicionuara, gjeografikisht, në zona kadastrale për të cilat ka përfunduar regjistrimi fillestar, gjatë të cilit, sipërfaqja dhe pozicioni gjeografik i tyre është përcaktuar nga matjet në terren dhe pasuritë janë regjistruar në një kartelë dhe hartë kadastrale në emër të pronarit, do të vlerësohen se e kanë të përcaktuar sipërfaqen, pa qenë e nevojshme të zhvillohet procedurë fillestare, sipas ligjit “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, me kusht që, gjatë periudhës së afishimit publik, të mos ketë asnjë pretendim të pazgjidhur për pozicionimin e pasurisë, kufijtë dhe sipërfaqen.

Për pasuritë e paluajtshme, të cilat në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi ndeshen të pozicionuara, gjeografikisht, në zonat kadastrale për të cilat ka përfunduar regjistrimi fillestar, por që janë regjistruar në kartelën e pasurisë së paluajtshme me shënimin “shtet” apo “pronar i pavërtetuar”, nuk mund të procedohet me regjistrimin e tyre në favor të pronarit, pa u zhvilluar më parë procedura e regjistrimit të tyre, e përcaktuar në këtë vendim. Kur në kufi të pronës, për të cilën është paraqitur kërkesë regjistrimi janë prona shtetërore, si rrugë, rrugica, sheshe publike, lulishte, ndërtesa publike etj., deklarata noteriale zëvendësohet nga konfirmimi zyrtar i dhënë nga institucioni, i cili është pronar apo administron pronën shtetërore.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›