E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojet turistike, PS sulmon qeverinë

Partia Socialiste shprehu dje kundërshtimet e saj lidhur me projektligjin për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat turistike. Deputeti socialist, Taulant Balla, tha se projektligji është i qëllimshëm për të favorizuar familjen kryeministrore dhe ministrave të saj. Balla kërkoi që Kryeministri Berisha të publikojë listën e gjithë atyre personave që përfitojnë nga ky ligj. "Partia Socialiste i kërkon sot Sali Berishës të zbardhë publikisht autorësinë, cilët janë përfituesit apo kush favorizohen nga ky ligj. Ne kemi dyshimet tona që ky projektligj bëhet në favor të interesave familjare të tij dhe të ministrave të oborrit. Ne kërkojmë që deri nesër, qeveria të publikojë listën e familjarëve dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë që përfitojnë nga ky ligj i posaçëm që privatizon përfundimisht bregdetin shqiptar", tha Balla. Sipas tij, në rast se Sali Berisha nuk do të sqarojë për qytetarët shqiptarë se kush janë përfituesit familjarë dhe qeveritarë të këtij ligji, atëherë nesër ne do të zbardhim para qytetarëve shqiptarë se cilat janë interesat që qëndrojnë pas këtij projektligji. Njëkohësisht, deputeti i PS-së kërkoi që Sali Berisha duhet të sqarojë para qytetarëve shqiptarë se pse në muajin korrik menjëherë pas zgjedhjeve miratoi në KRRTRSH studime pjesore për ndërtime në Gjirin e Lalzit, ndërsa tashmë po miraton një ligj që këto toka t‘i shiten atyre që po ndërtojnë apo kanë ndërtuar mbi to. "Qytetarët shqiptarë duan shpjegime se pse kur është fjala për prona dhe para qeveria bën ligje mbi vendimin e gjykatave, apo ligje që anulojnë gjobat", deklaroi Balla. Në bazë të këtij projektligji, çdo person që ka ngritur ndërtesa mbi pronën shtetërore të dhënë me qira tanimë mund ta blejë dhe të bëhet pronar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›