Meta: Shmangëm zgjedhjet e parakohshme, nuk do hyj në qeveri
(E PERDITESUAR)- Kryetari i LSI, Ilir Meta, doli sërish në një konferencë për shtyp, duke u bërë kështu politikani që ka dalë më shumë përpara mediave këto ditë. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë me zgjedhjen e presidentit, ai tha se tani duhet të procedohet me reformat e tjera. Meta tha se me zgjedhjen e Nishanit, u shmangën zgjedhjet e parakohshme.
Ne të gjithë jemi dëshmitarë se zgjedhja e djeshme e Presidentit nuk ka qenë një moment por ka qenë një produkt i një procesi të gjatë në kohë. I një dialogu të vazhdueshëm, i një debati të vazhdueshëm, i tryezave të vazhdueshme. Ka qenë një proces ku janë përfshirë të gjitha forcat parlamentare dhe jo parlamentare, një proces ku janë përfshirë shumë kandidatë, ka pasur disa mundësi për konsensus dhe në fund fare kemi pasur rolin e Parlamentit, i cili ka qenë plotësisht sovran, por i cili ka pasur edhe detyrën, sipas Kushtetutës, që të jepte një zgjidhje konkrete edhe për të evituar zgjedhje të parakohshme, përsëri si rezultat i kërkesave të Kushtetutës, në rastin e moszgjidhjes së presidentit. Të jeni të sigurt se produkti konkret i gjithë këtij procesi, i cili tani është Presidenti i ri i Republikës z. Bujar Nishani, pavarësisht nga përkatësia në të kaluarën e Partisë Demokratike, absolutisht që është një figurë tepër konstruktive, tepër bashkëpunuese, tepër institucionale. Është një figurë që sjell qetësi dhe bashkëpunim. Në këtë drejtim mendoj që edhe opozita ndan të njëjtin vlerësim për këtë personalitet, pavarësisht nga qëndrimi i saj politik për arsye, natyrisht, edhe të pakënaqësisë së saj për mosarritjen e një konsensusi për emra që kërkonte opozita. Në fund të fundit, duhet të kemi parasysh se konsensusi kërkon dy palë. Ky proces nuk mund të themi se ishte perfekt por ka qenë procesi më gjithëpërfshirës, më demokratik, më transparent që ka pasur vendi, tha Meta.
Meta iu përgjigj edhe një pyetje të gazetarëve se a do jetë ai në kabinetin e ri qeveritar, duke thënë se kjo është e pavërtetë.
Tani, dihet që media bie dhe viktimë e të pavërtetave por dhe kjo është demokratike. Unë ju falënderoj dhe njëherë për vëmendjen dhe e theksoj që ky dialog që u vendos me rastin e procesit për zgjedhjen e presidentit të ri duhet të vazhdojë, duhet të intensifikohet, për të mbyllur tre çështje kyçe, reformën parlamentare, reformën zgjedhore, dhe njëkohësisht çështjen e imunitetit. Në rast se këto mbyllen me sukses, absolutisht, unë jam i bindur që statusi i vendit kandidat është një mundësi tërësisht e arritshme. Të jeni të sigurt ju që figura e presidentit të ri nuk është pengesë por është ndihmesë për statusin e vendit kandidat. Pengesë për statusin ka qenë konflikti i së kaluarës, ka qenë bojkoti, ka qenë mosbërja e reformave dhe përsëri ky mund të ishte një pengesë edhe për të ardhmen. Por unë besoj që të gjitha forcat politike do të ecin në frymën e bashkëpunimit edhe në frymën e interesit kombëtar dhe të përgjithshëm, tha Meta.
