Trojka mbështetje Shqipërisë, Basha: Aplikimi çështje javësh
Aplikimi i Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Evropian është çështje javësh. Qëndrimi është bërë sërish i ditur dje në Bruksel nga ministri ynë i Jashtëm, Lulzim Basha, në përfundim të një takimi me Trojkën Evropiane. Në të njëjtën kohë Trojka e BE-së i ka dhënë mbështetje Shqipërisë si dhe ka vlerësuar reformat e ndërmarra prej saj. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Çekisë Karl Schwarcenberg, në cilësinë e përfaqësuesit të presidencës çeke, theksoi se Bashkimi Evropian është duke përjetuar krizën ekonomike, por duke shtuar se Shqipëria duhet t'i nxjerrë vetë konkluzionet për periudhën në të cilën do të aplikojë.
Takimi
Trojka Evropiane vlerëson reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. "Ministrat Schwarcenberg dhe Bildt dhe Drejtori Mirel vlerësuan qartazi të gjitha reformat dhe zhvillimet në Shqipëri. Trojka përshëndeti progresin e dukshëm të arritur në të gjitha fushat, si dhe vlerësoi vullnetin e qeverisë për të adresuar me vendosmëri të gjitha çështjet për të cilat ka nevojë për përparim të mëtejshëm, duke premtuar gjithashtu asistencë e mbështetje të vazhdueshme në procesin e integrimit", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme. Në të njëjtën kohë Tirana zyrtare bën të ditur se aplikimi për marrjen e statusit kandidat tashmë është vetëm çështje javësh. Ministri Basha paraqiti para Trojkës Evropiane, (e cila përbëhej nga ministrat e Jashtëm të Çekisë Karl Schwarcenberg, ai i Suedisë Carl Bildt si dhe drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin në Sekretariatin e Këshillit Evropian, Pierre Mirel) reformat e ndërmarra nga Shqipëria që nga paraqitja e progres-raportit të Komisionit Evropian deri në muajin shkurt. Sipas kreut të diplomacisë shqiptare aplikimi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë janë dy prioritetet kryesore në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në. Zhvillimet e brendshme në Shqipëri, reforma zgjedhore, përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit, çështje që lidhen me MSA-në dhe hyrjen e saj së shpejti në fuqi, përgatitja e të gjithë infrastrukturës së nevojshme për kalimin në një fazë të re të bashkëpunimit me BE-në dhe zhvillimet rajonale e roli i Shqipërisë në rajon, ishin ndër temat e biseduara gjatë këtij takimi. Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme Basha dhe Ministrat Schwarcenberg dhe Bildt, si dhe përfaqësuesit e Komisionit, ranë dakord të koordinojnë ngushtë të gjitha veprimet e mëtejshme dhe bashkëpunimin e Shqipërisë më BE-në në kuadër të procesit të integrimit evropian, përfshi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, brenda Presidencës çeke, si dhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Në përfundim të takimit, në konferencën e përbashkët për shtyp ministri i Jashtëm i Çekisë, Schwarcenberg rikonfirmoi qëndrimin e Brukselit se kusht për integrimin e Shqipërisë mbeten edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe pavarësia e gjyqësorit. Duke u ndalur në çështjen e aplikimit të Shqipërisë, kryediplomati çek tha se: "Nuk ka dyshim që Presidenca çeke dhe suedeze janë më të hapurat në shtrirjen e BE-së në Ballkan. Shqipëria është e ftuar të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Nëse ju do më ftoni në shtëpinë tuaj, unë e pranoj ftesën, por nëse në atë moment janë çarë tubat dhe shtëpia noton në ujë, ju nuk do jeni shumë mikpritës. Nga kriza ekonomike BE është si një shtëpi e mbushur me ujë. Pra, nxirrini vetë konkluzionet e kësaj". Lidhur me këtë çështje, kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se: "Nga këndvështrimi ynë ka shumë pak ndryshim nga çfarë kemi thënë më herët, kur Kryeministri ka thënë se jemi në bashkëpunim shumë të ngushtë me Presidencën çeke. Sigurisht, ne nuk jemi indiferentë për rrethanat ekzistuese në Bashkimin Evropian, si për situatën e brendshme në BE, për situatën ekonomike dhe disa rrethana të tjera, që kanë sjellë hezitime në Bashkimin Evropian".
Vizat
Një tjetër çështje e diskutuar mes delegacionit shqiptar dhe Trojkës Evropiane ishte ajo e liberalizimit të regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Duke folur në konferencën për shtyp ministri i Jashtëm çek vuri theksin tek pajisja e qytetarëve me pasaportat biometrike. "Përsa i përket liberalizimit të vizave, që është një prioritet për Shqipërinë, ne kemi theksuar nevojën e prezantimit të pasaportave biometrike. Për këtë çështje duhet vëmendje në vazhdim si nga ana politike edhe nga ajo administrative. Së fundi, por jo për nga rëndësia, ne kemi konfirmuar perspektiven evropiane për Shqipërinë", ka shtuar shefi i diplomacisë çeke. Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga 27 vendet e BE-së, ky ishte takimi i fundit në formatin e trojkës së BE-së me Shqipërinë, që në të ardhmen do të shndërrohet në Këshillin e Asociimit.