“Oskar 2009”. Fituesit, surprizat, prapaskenat dhe të zhgënjyerit e Hollivudit
Ndonëse nuk ka pasur shumë surpriza në ceremoninë e dhënies së çmimeve më të rëndësishme kinematografike botërore (Oscar), zhgënjimet për garuesit dhe fansat e tyre duket se nuk kanë munguar. Mbrëmja madhështore e ndarjes së çmimeve u zhvillua në teatrin “Kodak” të Hollivudit. Ky ishte dhe edicioni i 81-të për këtë eveniment. Ndër më të zhgënjyerit, në fakt, mund të quhet çifti më i famshëm i Hollivudit, Bred Pit dhe Anzhelina Zholi, të cilët nuk kanë marrë çmime. Fatlumja kësaj here, e shpallur si aktorja më e mirë protagoniste, është Kejt Uinslet, e cila më 3 dhjetor ishte në Nju Jork për premierën e filmit “The reader”, në të cilin u shfaq si protagoniste. Në fakt, ky rol i përkiste më parë dives Nikol Kidman, e cila, pasi mbeti shtatzënë, i liroi vendin aktores Uinslet. Kështu, industria gjigante amerikane e filmit ka ndarë parmbrëmë çmimet prestigjioze “Oskar” për interpretuesit dhe komponentët më të mirë filmikë të vitit të kaluar. Filmi që mblodhi më tepër statuja “Oskar” në ceremoninë e parmbrëmshme ishte “Slumdog millionaire”, i xhiruar në Indi. Ky film bën fjalë për historinë prekëse të një djali të varfër, i cili arrin të fitojë një konkurs njohurish pas shumë sfidash e akuzash. Plot 8 statuja “Oscar” shkuan për këtë film dhe për regjisorin. Ndërkaq, siç thamë, e zhgënjyer nuk mbeti vetëm Zholi bashkë me fansat e saj, por edhe Pit, i cili këtë herë doli duarbosh.
Çmimi për aktorin më të mirë i shkoi amerikanit Shon Pen, për interpretimin e personazhit të Harvej Milk, politikanit të parë homoseksual që doli hapur në shoqërinë amerikane. Kështu u mbyll edicioni i Akademisë së Çmimeve “Oskar” për 2009-n me triumfues të padiskutueshëm filmin e regjisorit Deni Boil, “The Millionaire”, fitues i çmimeve të filmit, montazhit, regjisë, kolonës zanore, këngës origjinale etj.
Veç tre statuja për çmime teknike i kalojnë filmit tjetër në rivalitet me fituesin, që titullohej “Rasti i çuditshëm i Benjamin Butonit”. Me çmim ka dalë nga kjo ceremoni edhe aktorja Penelop Kruiz, si aktorja më e mirë joprotagoniste në filmin “Vicky Cristina Barcelona”. Ajo që pritej ishte edhe statuja për aktorin Hith Lexher (Heath Ledger), i cili u nda nga jeta në moshën 28-vjeçare. Vlerësimi në këtë rast bëhej për interpretimin e tij si aktori më i mirë joprotagonist, në rolin e Xhokerit te filmi “Batman: The Dark Knight”. Sipas komenteve në blogje të ndryshme profesioniste të kinemasë në internet, quhen si zhgënjime nga kjo ndarje çmimesh dalja duarbosh e filmit të animuar “Kung Fu Panda” dhe marrja e çmimit të filmit më të mirë të huaj nga prodhimi japonez “Departures”, për të cilin thuhet se është film mediokër dhe pak i njohur në krahasim me filmin “Valzer with Bashir”.
Jo vetëm mbrëmje çmimesh
Mbrëmja madhështore nuk ishte veç një ngjarje ku ndahen çmime prestigjioze për aktorët dhe emrat më të spikatur të kinematografisë botërore. Fituesit kanë realizuar një spektakël të vërtetë në skenën e teatrit “Kodak” në Hollivud, duke e shndërruar atë në “kërthizën” e botës. Para miliona bliceve dhe telekamerave kanë sfiluar çiftet më të famshme, si Heidi Klum dhe Sil, Zak Efron dhe Vanesa Hudgens, Sin Pen dhe Robin Urajt, Sarah Xhesika Parker dhe Mathju Broderik etj.
Stil dhe elegancë mbi tapetin e kuq
An Hethuej nuk ka dashur të heqë dorë nga veshja e saj “Armani”, ndërkohë që Kejt Uinslet ka zgjedhur “Yves St. Laurent”. Miki Ruk vishte një kostum të firmuar “Jean Paul Gaulteier”, Penelop Kruiz me një veshje “Balmain” të viteve ’40, Amanda Sifrid me “Valentino” dhe Marisa Tomei me “Versace”. Xhon Galliano vishte “Freida Pinto”, Millei Kirus ka përzgjedhur dezajnerin libanez Zuhair Murad. Po kaq elegantë dhe të bukur ishin edhe në pritjet pas ceremonisë Elton Xhon, Sheron Ston dhe Viktoria Bekam, të cilët janë angazhuar në fushatën e luftës kundër SIDA-s. Nuk mund të mungonin Kleir Danes, Dita Von Tis, Kejt Bekinsel. Elli MekPerson, të gjitha magjepsëse me veshjet dhe performancat që kishin përzgjedhur për këtë mbrëmje. Një tjetër eveniment mondan i modës ka qenë festa ekskluzive post-Oskar e Vanity Fair. Mbi tapetin e kuq të “Sunset Hotel”, në mes shumë yjeve janë parë
Natali Portman, Uill Smith bashkë me të shoqen Xhada Pinket Smith, Sara Xhesika Parker, Majkëll Dagllas, Sheril Krou, Naomi Uats, Sidnej Poitier, Rakel Ueix, Guen Stefani, Debra Mesing, Elizabet Banks dhe Denis Hoper.
Petrika GROSI
FITUESIT
FILMI MË I MIRË
“The Millionaire” (Fox Searchlight)
AKTORI MË I MIRË PROTAGONIST
Sin Pen “Milk”
AKTORJA MË E MIRË PROTAGONISTE
Kejt Uinslet “The Reader”
AKTORI MË I MIRË JOPROTAGONIST
Hith Lexher “Batman: The Dark Knight”
AKTORJA MË E MIRË JOPROTAGONISTE
Penelope Cruz “Vicky Cristina Barcelona”
REGJISORI MË I MIRË
Deni Boil “The Millionaire”
FILMI MË I MIRË I ANIMUAR
“WALL-E” (Walt Disney)
ZËRI MË I MIRË
Riçard King “The dark knight”
KOSTUMET MË TË MIRA
Majkëll O’Konor
MONTAZHI MË I MIRË
Kris Dikens “The Millionaire”
DOKUMENTARI MË I MIRË
Xhejms Mardh dhe Simon Çin “Man on Wire”
FILMI MË I MIRË I HUAJ
“Departures” (Japoni)
JEAN HERSHOLT HUMANITARIAN AWARD
Xheri Levis
24 Shkurt 2009