Poni: Gati kartat për ata që aplikuan javën e dytë të procesit
Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni tha dje se nga dita e nesërme do të jenë gati kartat e identitetit për të gjithë qytetarët që kanë aplikuar javën e dytë të këtij procesi, që përket me periudhën 20-27 janar. Në një konferencë për shtyp ai theksoi se prej disa ditësh ka nisur shpërndarja e kartave për të gjithë qytetarët që kanë aplikuar ditët e para, pas miratimit të vendimit të qeverisë. “Në të gjithë Tiranën ka filluar shpërndarja e dokumenteve të prodhuara. Janë në sportelet e shpërndarjes gjithë letërnjoftimet, për të cilat është aplikuar javën e parë dhe nga pasnesër, e enjte do të shpërndahen edhe për javën e dytë të aplikimit. Ju informojmë se nga numri total i aplikimeve 74 022, të ngarkuara deri tani në sistem, nga kompania koncesionare, numri i shtetasve pa pasaportë që kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik është 31 820, në numrin e përgjithshëm prej 81 313 për qytetin e Tiranës”, theksoi Poni dje në një konferencë për shtyp. Sipas zv/ministrit të Brendshëm deri ditën e djeshme kanë aplikuar rreth 115 mijë shtetas për pajisjen me kartën e identitetit. Për sa i përket hapjes së zyrtave të reja të aplikimit Poni tha se: “Deri në momentin që po komunikojmë janë hapur përveç gjithë qyteteve kryesore, qendër qarku ose mbi 30 mijë banorë, siç janë Tiranë, Kamëz, Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan, Shkodër, Berat, Lushnjë, Gjirokastër, Lezhë, Korçë etj., edhe bashkitë e komunat sipas tabelës bashkangjitur, gjithsej 41, me një popullsi 767 938 banorë”.