E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropoja me një veteran më pak

Autori i Lajmit: red.
Në rrëzë të një vargu malor që është pjesë e masivit të Radeshës me drejtim, lindje-perëndim, me gjatësi prej 5 km shtrihet fshati turistik Gosturan.
Ky fshat vlen të përmendet jo vetëm për bukuritë natyrore po edhe për vlerat patriotike. Fshati ka nxjerrë burra, që u është dëgjuar fjala e pushka, ka nxjerrë studiues e intelektualë, që për çështjen e atdheut e interesat njerëzore nuk kanë kursyer asgjë. Në vargun e atyre që kanë lënë gjurmë të paharruar ishte edhe njëri nga pinjollët e breznisë së familjes Syl Elezi, Ramë Faslia.
Kush është Ramë Faslia...
Ramë Faslia lindi më 1921 në një familje me tradita të thella patriotike. Babai i tij, Fasli Sejda, ndonëse me moshë të kaluar e me shumë fëmijë u bashkua me lëvzjen e LANÇ-it. Shtëpinë e ktheu në bazë të asaj lëvizjeje. Vetë punoi me zgjuarsi e trimëri në formimin e këshillit të LANÇ-it dhe u zgjodh anëtar i atij këshilli. Vëllai Zymeri, që në moshë fare të re u bashkua me luftëtarët e çetës “Bajram Curri” e më vonë me ata të brigatës 25 sulmuese. Mësimet e para i kreu në vendlindje. Ishte një ndër nxënësit e parë të shkollës së parë të zonës së Gashit. 7-vjeçaren e kreu me rezultate shumë të mira, në shkollë nate, pa shkëputje nga puna. Në vitet 1963-1965 filloi shkollën e kualifikimit të kuadrove bujqësorë pranë Institutit në Kamzë. Në këtë shkollë, Rama shfaqi intelektin dhe përkushtimin më të lartë, duke e kryer atë shkollë me rezultate shumë të mira. Duke qenë i mençur e guximtar xhaxhai i tij, Zenel Sejda e mbante gjithnjë pranë. Bashkë me xhaxhain, Rama merrte pjesë në kuvendet e burrave, nëpër odat malësore. Debatet e këtyre odave ndikuan në formimin e karakterit burrëror të tij. Ditët e pushtimit fashist, Ramën e gjejnë të maturuar. Ardhja e ideatorëve revolucionarë në trevën e Tropojës ndikuan në jetën e mëvonshme të djaloshit. Ai u lidh me revolucionarët, përqafoi idetë e tyre dhe u bë një mbështetës i fuqishëm i tyre. U njoh e bashkëpunoi me Mujo Sokolin, Beqir Ndoun, Fari Ramadanin, u njoh e bashkëpunoi me djemtë revolucionarë të ardhur nga Kosova, Hysni Zajmi e Hajro Shahmani. Rama pati takim edhe me forcat e Gani beg Kryeziut, pranë të cilit qëndroi vetëm një ditë, e arsyeja e largimit nga andej ishte takimi me një nga mbështetësit më kryesorë të Ganiut, Isa Kosova. Isai thoshte se Rama më takoi mua e disa djem të tjerë nga Gashi në bjeshkën e Doberdolit e na tha:
”Djem të Gashit, këtu nuk është vend për ju. Vendi juaj e i gjithë djemve të malësisë është në malet e Shqipërisë së bashkuar, me partizanët në luftë kundër gjermanit. Gani Begu nuk ka vizion të qartë, as për çlirimin, as për të ardhmen e vendit. Kjo bisedë e qetë e ngrohtë e shumë vëllazërore më bindi mua e disa nga shokët e mi, e menjëherë u larguam për të mos u kthyer më pranë atij bashkim forcash pa krye. Në takimin e parë me Fari Ramadanin, Rama kujtonte: “Më erdhi në shtëpi një njeri nga Kovaçi e më njoftoi se dikush më kërkonte në Kovaç e patjetër duhet ta takoja. Pa humbur kohë u bëra gati, e bashkë me lajmëtarin u nisa për tek i panjohuri që më kërkonte. Pas 10 apo 15 minutash u ndodha pranë personit që nuk e njihja. Ai me një çiltërsi e qartësi në të folur m u prezentua me emrin e tij, “Jam Fari Ramadani. Më kanë dërguar në zonën operative të Tropojës, që bashkë me ju të luftojmë fashizmin gjerë në çlirimin e plotë të vendit. Biseduam shumë gjatë. Fariu më kërkoi që ta informoja për gjithçka, për bazat e luftës për lidhjen popullit me partizanët, për gjendjen ekonomike të popullit, e pasi formoi një koncept të plotë e të qartë për situatën më kërkoi që ta shoqëroja nga fshati Kovçe në fshatin Kërrnajë, ku e prisnin shokë të tjerë.
Kontributi i Faslisë...
Fjala e fundit që më tha ishte: “Detyra të reja na presin“. Pas formimit të njësive të para luftarake në trevën e Tropojës, Rama u inkuadrua në komandën e vendit, oficer me detyra të ndryshme. Komandant, shok e bashkëpunëtor më të ngushtë pati një ndër pionerët e parë të lëvizjes antifashiste të Tropojës, oficerin në pension, Mujo Sokolin, i cili kur flet për Ramën thotë: Rama ishte trim, guximtar në çdo detyrë, që e caktoja, isha i sigurtë për realizimin e saj. Kur më paraqiteshin detyra të vështira e më duhej të shkoja vetë, patjetër për siguri merrja me vete të parin, Ramë Faslinë. “Për nevoja operativo-luftarake, Rama transferohet nga Tropoja në Kukës e më vonë në Vlorë. Vitet në ushtri ndikuan në formimin e personalitetit e të karakterit të Ramës, e bënë më të aftë politikisht, e bënë më trim e guximtar në përkushtimin e tij atdhetar. Çështjet familjare, veçanërisht ajo ekonomike e detyruan Ramën të kërkojë çmobilizim nga ushtria. Pas shumë ndërhyrjesh ai lirohet e kthehet pranë familjes së tij, në vendlindje për të ndihmuar babanë e vëllezërit për të përballuar jetën që në ato vite ishte shumë e vështirë. Drejtuesit e qeverisjes vendore, duke njohur aftësitë e Ramës në organizim e drejtim e angazhuan me detyra të ndryshme si: sekretar lokaliteti, referent bujqësie, si dhe drejtues i ekonomive bujqësore. Gjatë ushtrimit të detyrave në jetën civile, Ramën e ka karakterizuar aftësia, ndershmëria e insistimi që gjithçka të zgjidhet në dobi të progresit të çështjes së popullit. Kur punonte sekretar lokaliteti ndiqte çdo problem, kurdoherë ndodhej pranë hallexhinjve, pranë atyre që me vështirësi përballonin jetën, me përparësi të veçantë ndiqte funksionimin e shkollave e frekuentimin e fëmijëve, pikë të dobët në këtë fushë kishte fëmijë jetimë, për të cilët kurdoherë ka treguar zell e kujdes prej një prindi. Gjenerali Halit Gjeci, kur kujton fëmijërinë thotë: ”Jam rritur jetim pranë dajave. Kur mbarova klasën e katërt bashkë me nënën i dolëm Ramës përpara në rrugë, kur ai po kthehej për në shtëpi pas punës ditore. Nëna i thërret “Ramë, pata një fjalë more vëlla”. “Hë Sose çfarë halli ke?”, përgjigjet Rama. I afrohem me të shpejtë, e nëna fillon t i paraqesë problemin; Haliti ka mbaruar shkollën fillore, (kështu quheshin atëherë katër vitet e para), atë ciklin e ulët, jam me halle e nuk mundem të përballoj shkollimin e tij, të mëtejshëm. Ndihmomë ta çoj në konvikt në Bajram Curri. Rama pa folur asnjë fjalë nxjerr nga xhepi fletoren e një stilograf e shkruan kërkesën time për në konvikt, poshtë së cilës shkruan dhe pëlqimin e tij. Kërkesën e mbajti Rama, e dërgoi vetë ai në seksionin e arsimit, e unë Haliti, në shtatorin e atij viti vijova klasën e pestë në konvikt me shpenzime të shtetit, prandaj ai Haliti në ndarjen e përhershme me Ramën prej arkivolit i tha këtë mesazh; Daja Ramë nga ti e kam jetën, ti je pjesë e shkollimit dhe e karrierës time, por edhe unë asnjëherë nuk të kam zhgënjyer. Si drejtues i ekonomive bujqësore, më vonë kovaç, kurdoherë e ka karakterizuar kujdesi ndaj njerëzve për t u plotësuar atyre kushtet për të jetuar. Ka qenë ai kujdes i treguar nga Rama që ka rritur respektin e masave për të, ka rritur besimin e tyre në aftësitë e tij organizuese e drejtuese dhe mobilzimin e tyre në punë. Duke qenë një njohës i mirë i ekonomisë, duke patur aftësi organizuese, drejtuese e kontrolluese, ekonomitë e drejtura nga ai nuk kanë patur asnjëherë stanjacion, por vazhdimisht zhvillim e rritje rendimenti. Ramë Faslia postin nuk e ka shfrytëzuar për përfitimin e rehatinë personale. Ka qenë pikërisht, kjo cilësi e shprehur në shkallën më të lartë që Ramë Faslia gjatë gjithë karrierës së tij ka fituar besimin, respektin e ndihmën e të gjithë kuadrove, që janë alternuar gjatë qeverisjes komuniste në rrethin e Tropojës. Vitet e ndryshimit të sistemit komunist, Ramën e gjejnë në pension për ato ndryshime ai shprehej: “Komunizmi bëri gabime, veçanërisht në vitet e fundit ku theksonte tufëzimin, ashpërsimin e luftës së klasave e veçimin nga bota, faktorë këta që e bënë të domosdoshëm ndryshimin. Ai kurrë këtë ndryshim nuk e shikonte të shoqëruar me shkatërrimet që u bënë. Ai kur pa ngastrat e grurit, duke u djegur, kur pa që blegtoria u sulmua në kullotë për t u grabitur nga më të shpejtët e më të shkathtët krijoi një neveri të jashtëzakonshme për nismëtarët e parë të lëvzijes antikomuniste dhe sugjeronte; Blegtoria duhej të ishte ndarë në mënyrë propocionale, sipas frymëve. Tokat e reja duhet të ishin përdorur për ata që nuk kishin fare ose pak tokë. SMT-ja e sistemi ujitës kurrsesi nuk duheshin lejuar të shkatërrohen e me gjithë këtë, Rama si gjithmonë me këshillat e tij, që i jepte me urtësi e mençuri u përpoq të qetësonte situatat, duke i sugjeruar gjithkujt durimin dialogun e kompromisin. Jeta e Ramë Faslisë për gjithë gjakun e tij është një shëmbëlltyrë. Brezat e ardhshëm të tij kanë nder e detyrë që kudo që janë me sjelljen e tyre, me punën e tyre të nderojnë, të respektojnë e të ndihmojnë të gjithë e veçanërisht njerëzit në nevojë, siç bënte Rama që të fitojnë besimin e imazhin që kishte Rama. Nderimi për Ramën u shpreh ditën e varrimit. Qindra pjesëmarrës në mesin e të cilëve bashkëfshatarë, bashkëpunëtorë, miq e dashamirës krijuan kortezhin e përmortshëm të tij. Mjaft burra e bashkëpunëtorë të tij, duke kaluar para arkivolit, duke ngushëlluar familjarët e të afërmit e Ramës shpreheshin “Ramë Faslia djalë i mirë, burrë i mirë e plak i mirë; Krytari i veteranëve të rrethit të Tropojës z. Imer Alushi në fjalën e tij në emër të kryesisë së veteranëve, duke bërë vlerësimin e Ramës, para të pranishmëve e quajti burrë shembullor për të kaluarën, e figurë prej së cilës ka çfarë të mësohet.
Syl Gosturani
Ky lajm është publikuar: 29/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›