E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Vendim, si i akademikëve të Beogradit dhe Athinës

Autori i Lajmit: red.
Profesor Pëllumb Xhufi, nënkryetar i LSI-së, ka qenë i ashpër dje në deklaratat e tij për vendimin e turpshëm, siç thotë ai, që ka marrë Senati Akademik i Universitetit të Vlorës. Xhufi ka hedhur hije dyshimi mbi këtë vendim duke e krahasuar me një vendim antikombëtar dhe snobizëm nga ana e këtyre senatorëve.

Senati Akademik i Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, me një vendim i ka hequr emrin këtij universiteti. Cili është komenti juaj për këtë vendim?

“Është një veprimi turpshëm, tepër i turpshëm dhe provokativ. Dhe që merret andej nga nuk pritej që të merrej, nga Senati Akademik, i cili tenton që të njollos një universitet dhe një qytet i cili identifikohet me veprën dhe figurën e Ismail Qemalit. Ai është krijues i shtetit të pavarur shqiptar, me këtë cilësi është ai që i hapi rrugën zhvillimit edhe të shkencës së vet kulturës e hapjes së universiteteve në vend. Unë gjykoj që në këtë vendimarrje ka shumë mendjelehtësi, formalizëm, snobizëm, por mund të ketë natyrisht dhe qëllime të errëta nga e cila shihet edhe ndonjë person i cili bën pjesë në senatin akademik të universitetit të Vlorës. Ajo që doja të thoja është që një veprim të tillë do të mund ta merrte, por në kohë të tjera jo sot, një senat akademik i Universitetit të Beogradit apo atij të Athinës, sigurisht në kohën kur në Serbi qeveriste Pashiçi apo në Greqi qeveriste Venizellosi. Ky veprim të ndërmerret nga profesor shqiptarë anëtarë të senatit akademik aq më shumë të një Universiteti të një qyteti me aq histori, lavdi, dhe me aq përgjegjsi sa çështë qyteti i Vlorës kjo pa dyshim është një ngjarje që lë me gojë hapur dhe na ka lënë faktikisht të gjithëve, qytetarët shqiptarë, por në veçanti gjithë botën Akademike, Artit, Kulturës”.

A ka të drejtë ky Senat të marrë një vendim të tillë dhe a duhet të reagojë shteti shqiptar për këtë vendim?

“Senati mund të marrë në kuadrin e autonomisë universitare vendime që lidhen veç të tjerash edhe me shenjat e identifikimit të institucioneve të arsimit të lartë, lidhur me flamurin, stemën, simbolin edhe emrin. Mirëpo në dijeninë time këto duhet të kalojnë dhe në instancat më të larta. Kështu, unë shpresoj që Ministria e Arsimit me të cilën dhe ky universitet ka lidhjet e tij të vartësisë ta hedhë poshtë, ta kthejë mbrapsht këtë propozim që është bër nga Senati Akademik i Universitetit të Vlorës. Përsa i përket reagimit nga ana e shtetit, në këto raste duhet të dëgjojmë më shumë zërin e atyre qe janë të zotët e punës. Dhe në këtë rast të zotët e punës janë profesorët e Universitetit të Vlorës në radhë të parë dhe tërësia e profesoratit, qytetarët e Vlorës, intelektualët pastaj profesorë dhe intelektualët e gjithë Shqipërisë. Reagimi i tyre më duket se ka qenë i menjëhershëm, qeveria sigurisht që do të duhet të marrë masat e saj në mënyrë të ftohtë dhe në mënyrë ndonjëherë dhe emotive dhe reaktive siç është e drejtë të ndodhë në një rast kaq skandaloz. Dhe unë vura re se janë shprehur me nota shumë përçmuese me këtë akt të një grupi anëtarësh të këtij senati, mjaft profesorë intelektualë”.

P.Shehu
Ky lajm është publikuar: 29/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›